Rikthimi i Partizanit në Kategorinë Superiore po shkon sipas planit edhe pse të kuqtë mund të kishin më shumë pikë në llogaritë e tyre, nëse në përbërje do të kishin sulmues po aq të mirë sa pjesa tjetër e skuadrës. Ky është konkluzioni i arritur nga një vëzhgim Supersportit deri tani në kampionat. Në 5 javë, Partizani ka realizuar 5 gola, dy prej të cilëve nga sulmuesit Mitraj dhe Sodje, dy prej mesfushorëve Demiri dhe Hyshmeri si dhe një autogol i Gërxhos në barazimin me Bylis. Të kuqtë zënë vendin e pestë në renditjen e golave të shënuar, ndërkaq që duhet vënë në dukje edhe se krijohen shumë raste dhe realizohen pak. Kjo e bën sulmin repartin më të dobët të Partizanit. Trajneri Hasan Lika e ka evidentuar që në fillim të sezonit si pikën më të dobët të skuadrës repartin e sulmit, aty ku u bashkua edhe serbi Buaç. Por pavarësisht këtij afrimi, sulmi sërish mbetet prapa reparteve të tjera dhe kjo u konfirmua edhe në 90 minutat me Flamurtarin, ku të kuqtë krijuan volum loje dhe raste shënimi por pa mundur të realizojnë. Përpara është një kalendar i vështirë për kryeqytetasit që do të ndeshen në transfertë me Kukësin dhe më pas do të luajnë derbin me Tiranën. Ndërkaq, kjo e fundit është skuadra që ka shënuar më pak gola nga të gjithë, vetëm një të tillë. Duket e pabesueshme por është e vërtetë, madje edhe atë Tirana e ka shënuar falë një penalltie të diskutueshme kundër Lushnjës.
Vllaznia
Skuadra që ka shënuar numrin më të madh të golave, 9, në pesë javë. Shkodranët fituan 3-0 në tavolinë ndeshjen me Kukësin, por edhe në fushë kishin fituar 3-1.
Tirana
Skuadra me numrin më të vogël të golave. Bardheblutë kanë shënuar vetëm një herë në pesë javët e parë. Goli i vetëm është shënuar me penallti, nga Muça, kundër Lushnjës.
Renditja e golave
1 Vllaznia 9
2 Teuta 8
3 Skënderbeu 7
4 Bylis 7
5 Partizani 5
6 Kukësi 4*
7 Flamurtari 4
8 Besa 4
9 Lushnja 3
10 Kastrioti 3
11 Laçi 2
12 Tirana 1
Kukësit i është hequr goli i ndeshjes 1-3 me Vllazninë, vendosur 3-0 në tavolinë për shkodranët
