Sot në “Qemal Stafa” luhet takimi i prapambetur i Kategorisë së Parë
Partizani do të presë sot Elbasanin, në ndeshjen e prapambetur të Kategorisë së Parë. Takimi ishte programuar fillimisht për të hënën në orën 18:00, por nuk u luajt për shkak të shirave të shumtë që e bënë të papërdorshëm terrenin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ndeshja e sotme do të luhet në të njëjtën orë e në të njëjtin stadium, pra nën dritat e projektorëve. Aktualisht, Partizani mban vendin e pestë, me 31 pikë, por fitorja e mundshme do ta ngjiste dy vende më lart, direkt pas Mamurrasit, i cili ka 35 pikë. Elbasani mban vendin e 11-të, me 19 pikë.