Ka një përshtypje të përgjithshme e kampionati shqiptar është rihapur më shumë se kurrë për çështjen titull dhe e gjitha kjo nuk është vetëm një perceptim.
Me vetëm 2 pikë larg Skënderbeut dhe me një ndeshje direkte për tu zhvilluar në javën e parafundit në Korçë, të kuqtë me siguri do tentojnë të bëjnë maksimumin gjer në atë sfidë, qoftë dhe duke filluar këtë fundjavë nga fusha e vështirë e Kukësit.
Ku me siguri është kundërshtari më i vështirë i momentit, duke pasur parasysh atë që po kalon Kukësi në 10 ndeshje te fundit. Veriorët janë ngjitur në vend të tretë dhe kanë siguruar finale e kupës, ndërkohë që në 10 sfidat e fundit ka fituar 8 dhe ka barazuar vetëm 2.
Kuksianët duket se fushën e tyre e kanë pasur armën më të fortë në këtë periudhë me 6 fitore radhazi duke mos pësuar madje asnjë gol në këto sfida. Thuhet që sulmi është pika më e fortë e strategjisë së trajnerit Klodian Duro por është fakt që në këto 8 javët e fundit kuksianët kanë pësuar vetëm 1 gol duke treguar që mbi të gjitha mbrojtja është më në formë se kurrë.
Duke ditur që Kukësi është skuadra e momentit Partizani do udhëtojë drejt qytetit verior të paktën me shpresën se precedentët e këtij sezoni edhe mund të përsëritën. Të kuqtë kanë fituar 3 ndeshje nga 3 të luajtura nga Kukësit duke marrë 9 pikë të plot dhe duke mos pësuar asnjë gol.
Titulli i kuq kalon nga Kukësi. Nëse fiton atje atëherë po realisht nuk do besojnë vetëm tifozët por edhe ata që nuk besonin kurrë që ky Partizan mund të bënte mrekullinë duke ndalur këtë edicion supremacinë e Skënderbeut.
