Partizani B fitoi 4-1 ndeshjen e play-out ndaj Sopotit, që i jep mundësinë teorikisht të ngjitet nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë.
Por suksesi i të kuqve fushë pritet të bëhet nul, pasi për shkak të dëshirës së madhe për të aktivizuar sa më shumë lojtarë nga skuadra e parë u shkel Rregullorja e Veprimtarisë Futbollistike.
Stafi i Partizanit B aktivizoi dje ndaj Sopotit mbrojtësin Labinot Ibrahimi dhe mesfushorin Ylber Ramadanin, të cilët luajtën edhe me skuadrën e parë ndaj Teutës të mërkurën në ndeshjen e fundit të kampionatit. Rregullorja e FSHF-së sanksionon se një lojtar nuk mund të aktivizohet në dy ndeshje zyrtare brenda 24 orësh.
Ndeshja Partrizani-Teuta u luaj të mërkurën në ora 17:00, ndërsa ajo e djeshme Partizani B-Sopoti startoi në orën 16:00.
Klubi i Sopotit pritet të depozitojë menjëherë një ankesë në FSHF-së për të kërkuar tri pikët në tavolinë, masë që parashikohet në rast të një shkeljeje të tillë.
Burime nga klubi librazhdas bëjnë me dije se shkelja është mëse e qartë, por edhe në rast se ndodh që organet juridike të FSHF-së të mos i japin të drejtë, janë gati t’i drejtohen KAS-it në Lozanë për të vënë drejtësi.
Përveç duket se kemi të bëjmë edhe me një gabim të rregullores, pasi në shumë vende të botës një lojtar nuk lejohet të luajë dy ndeshje brenda 48 orëve, jo 24 orë siç parashikon rregullorja e FSHF-së. Një fakt, që e bën akoma më të qartë kontestimin e Sopotit.
KRONIKA – Sa i përket kronikës, ndeshja është dominuar totalisht nga skuadra e Partizanit B, që kishte në formacion 6 lojtarë nga skuadra e parë. Pas një pjese të parë të mbyllur pa gola, ekipi i drejtuar nga Genc Tomorri ka mposhtur vjollcët në pjesën e dytë teksa i shënoi plot 4 gola duke u ngjitur për herë të parë në Kategorinë e Parë.
Një dopietë e Jaupajt në minutat 48′ dhe 79′, duke i shtuar edhe golat e Ismailit në të 63′-ën dhe atë të Vatnikajt në minutën e 68′, i dhanë fitoren Partizanit B. Por, janë librazhdasit ata që në minutën e 82′ kanë humbur një penalti ku Polisi gjuan keq dhe pret portieri Hoxha.
Më pas, në minutën e 90-të mesfushori Polisi shënoi golin e nderit për librazhdasit. Gjithsesi, tani Partizanit B i duhet të presë vendimin e komisioneve juridike në FSHF për të parë nëse do të ngjitet në të Kategorinë e Parë apo jo.

E ka sqaruar vete FK Partizani kete çeshtje.
Diskutimet jane te kota! Sopoti ne kat. 2-te.