Partizani është gati të bëjë goditjen e madhe të merkatos. Hamdi Salihi është emri i cili po qarkullon gjithmonë e më shumë ditët e fundit te skuadra e kuqe dhe burime pranë klubit bëjnë me dije se tratativat janë duke shkuar në rrugë të mbarë. Pas arritjes së akordit me mesfushorin e Kombëtares, Emiljano Vilën drejtuesit e kuq në heshtje kanë premtuar se afrimet e kuqezinjve të tjerë në skuadër nuk do të mungojnë. Dhe mesa duket Salihi, është “qershia mbi tortë” e merkatos së Partizanit. Kjo për shkak se trajneri Duro ka deklaruar se i duhet një sulmues goli, ndërsa drejtuesit janë të gatshëm që t’i plotësojnë atij çdo dëshirë. Duhet thënë se alternativat për të marrë sulmues të huaj nuk mungojnë, megjithatë të kuqtë preferojnë më shumë një emër shqiptar, i cili do të japë garanci të padiskutueshme. Por, në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit, që aktualisht luan në kampionatin është edhe skuadra e Flamurtarit, që është e gatshme të paguajë shumë marramendëse për ta bërë të sajin lojtarin. Madje thuhet se lojtari ka thënë edhe një “po” në parim për të qenë pjesë e tyre. Megjithatë drejtuesit e kuq, janë duke provuar çdo mundësi për ta bindur sulmuesin shkodran që Partizani të jetë skuadra ku ai do të vazhdojë karrierën.
Bisedimet – Një ditë përpara prezantimit të Vilës, drejtuesit e kuq kishin nisur edhe kontaktet e para me Salihin. Presidenti Demi u shpreh se afrimi i lojtarëve të tjerë që janë pjesë e Kombëtares, ishte çështje e stafit teknik në konferencën për shtyp, megjithatë në korridoret e klubit u fol shumë për një tjetër lojtar kuqezi, i cili do të ishte edhe sulmuesi më i mirë në kampionatin shqiptar. Çani ishte emri i parë që u përfol, por ra shumë shpejt si alternativë duke qenë se bisedimet kishin avancuar në një tjetër drejtim. Megjithatë deri më tani te Partizani askush nuk flet për një gjë të tillë, duke qenë se gjithçka është duke u bërë në heshtje të plotë.
