Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) , një nga taksat më të rëndësishme do të administrohet nën partneritetin Publik-Privat. Apo e thënë me fjalë të tjera në 10 vitet e ardhshme, kjo taksë do të mblidhet nëpërmjet një kontrate koncesionare nga një kompani private. Diskutim që i përkiste vitit 2015 dhe që kishte hasur në kundërshti, por që Ministria e Financave e pohoi zyrtarisht dje.
Pse TVSH me koncesion?
I pari që e konfirmoi lajmin e dhënies me koncesion të mbledhjes së kësaj takse, ishte numri një i financave, i cili në një takim informal me gazetarët pohoi se ky shërbim do të ishte nën administrimin e koncesionarit në formën partneritet Publik- Privat. Më pas në një dalje publike, zv/ ministrja e Financave, Irena Beqiraj ka shpjeguar se koncesioni do të jepet me garë të hapur dhe ka qëllim përmirësimin e procedurës se mbledhjes së tatimit. Investimi i projektit është 9.57 mln euro ndërsa u bë e ditur se kosto e operimit do të jetë 8.2 mln euro. Në 10 vjet llogaritet një kosto totale prej 91 milionë euro. Qëllimi është gjurmimi i zinxhirit të TVSH dhe përmirësimi i grumbullimit. Zyrtarët e Ministrisë së Financave pohuan se ky vendim u mor pas aksionit anti informalitet ku u panë probleme me identifikimin e transaksioneve, falsifikim kuponash dhe mosgjurmim i mallrave në dogana, prandaj lindi edhe ideja për koncesionin e TVSH-së. Beqiraj tha se koncesioni lufton evazionin dhe nuk lejon manipulim të dhënash. Ajo shpjegoi se sistemi i ri do të instalojë faturën elektronike dhe raportimin në kohë të çdo transaksioni të mallrave dhe shërbimeve . Gjithashtu koncesioni do të konfigurojë elektronikisht shorteun e kuponit tatimor. “Marrja e këtyre të dhënave në kohë reale, instalimi i faturës elektronike, e cila është një kërkesë bashkëkohore që ndihmon administratën tatimore në punën e saj të përditshme, (por është edhe një kërkesë e biznesit sepse ul edhe kostot e të bërit biznes); gjurmimi i mallit dhe edhe mundësia e Lotarisë së Kuponit tatimor në kohë reale, mendojmë se do të jenë elementët bazë të një platforme, që do të ndihmojë administratën tatimore, jo vetëm në mbledhjen më të mirë të taksës së TVSH-së (ose ndryshe taksës së qarkullimit), por do të çojë në një përmirësim direkt edhe të deklarimit të sigurimeve shoqërore, në një përmirësim indirekt edhe të deklarimit të TAP, apo edhe të tatimit mbi fitimin”, u shpreh Beqiraj. Sistemi i ri nuk do të lejojë furnizimin pa faturë edhe në tregun e karburanteve sepse nuk i pranon transaksionet me gabim. Me këtë rast do të krijohet harta e dixhitale e regjistrave fiskale dhe sistemi do të përmirësojë analizën e riskut. Investimi i koncesionarit do të jetë 9.57 mln euro. Koncesioni nuk ka tarifa mbi publikun si të tjerët, por do jetë në bazë të performancës, pohuan zyrtarët e Financave. Koncesionari nuk shpërblehet, por nëse mbledh më shumë se 11% merr, sipas një shkalle progresive në ulje, fitimin e tij, sipas një formule, që është shpallur te dokumentet e tenderit ndërkombëtar. Skema parashikon që privati të ngrejë sistemin e posaçëm kompjuterik dhe të administrojë pjesën inteligjente të tij, ndërsa mbledhja e të ardhurave në terren do të vazhdojë të kryhet nga punonjësit e tatimeve.
Kur merr të ardhura koncesionari?
Formula bazohet mbi nivelin e rritjes së të ardhurave, ku rritja 11 për qind konsiderohet si zero. Nëse rritja e të ardhurave do të variojë nga 11 deri në 15 për qind, privati merr 90 për për qind të saj. Nëse ajo varion nga 15 në 17 për qind, atëherë privati merr 6.5 lekë në çdo 10 lekë ndërsa shteti 3.5 lekë dhe kështu me radhë sa më e madhe rritja aq më shumë ulet përqindja që merr privati.
MPOS: Sistemi i propozuar për TVSH, platformë teknologjike
Pasi Ministria e Financave bëri të ditur dje nismën e ndërmarrë prej saj për një Partneritet Publik Privat, në fushën e administrimit tatimor, shoqëria që ka dërguar propozimin e pakërkuar MPOS, ka sqaruar për Monitor projektin e saj. “Sistemi i propozuar është totalisht një platformë teknologjike. Nuk do të prekë në asnjë moment paratë e bizneseve dhe as nuk do të ketë role të tjera dytësore të pashprehura apo me dashje të shtuara në komunikime që bëhen në media. Është një platformë në ndihmesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, sqaron kompania.
