Presidenti I Rusisë Putin dhe ai i Kinës Jinping përshëndetën marrëdhëniet dy-palëshe që vitet e fundit kishin arritur një “nivel të pashembullt”.
Gjatë një vizite në Kinë në fillim të prillit, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se vendi i tij kishte tregtuar mallra me vlerë më shumë se 89 miliardë euro me fqinjin e tij të madh aziatik në vitin 2018, duke deklaruar se “Kina është partneri ynë strategjik”.
Këtë të mërkurë, Putin u takua edhe njëherë me presidentin kinez Xi Jinping në Moskë. Ishte takimi i tyre i 28-të në gjashtë vjet.
“Vitet e fundit, pjesërisht falë ndërhyrjes suaj të drejtpërdrejtë, marrëdhënia midis Rusisë dhe Kinës ka arritur, pa ekzagjeruar, një nivel të pashembullt,” i tha Putini Xi në Kremlin.
Në ngjarjet publike, Putini është i prirur për të nënvizuar faktin se Kina dhe Rusia punojnë së bashku për shumë çështje diplomatike. Të dy vendet, si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shpesh bashkojnë forcat – zakonisht për të minuar iniciativat e politikës së jashtme perëndimore, përfshi përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për të sjellë paqe në Siri ose demokraci në Venezuelë. Me fjalë të tjera, Kina dhe Rusia kundërshtojnë çdo gjë që e perceptojnë si një manifestim të “dominancës amerikane”.
Marrëdhëniet tregtare midis Rusisë dhe Kinës janë rritur edhe më në vitin 2019. Por duhet të nënvizohet se, ndërsa Rusia në Kinë kryesisht eksporton naftë, gaz, qymyr dhe lëndë drusore, Kina i shet fqinjit të saj verior automjete dhe mallra të konsumit. Për më tepër, shumica dërrmuese e eksporteve kineze nuk shkojnë në Rusi. Kina kryesisht eksporton drejt SHBA-së dhe BE-së.
Duhet theksuar se megjithëse Rusia dhe kina bashkëpunojnë edhe ushtarakisht , Moska ende nuk i beson plotësisht Kinës. Në fakt, Rusia po forcon lidhjet me Indinë, Korenë e Jugut, Japoninë dhe shtetet e tjera aziatike, bën me dije Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
