Pas biznesit pandemia godet dhe buxhetin e shtetit, të ardhurat tkurren me 280 mln euro, deficiti kalon 420 mln euro

Edlira Shehu

Ndonëse korriku dhe gushti kanë shfaqur shenja përmirësimi, duke ngushtuar hendekun e humbjeve në periudhën e karantinës, pandemia ka ndikuar ndjeshëm në performancën e të ardhurave në buxhet.

Ministria e Financave njoftoi se të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 270.7 miliardë lekë ose 99.8% të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë, të adhurat kanë pasur një tkurrje nga efektet e pandemisë prej 35.2 miliard lekë (280 mln euro), ose 11.5% më pak. Të ardhurat tatimore për 8-mujorin e vitit 2020 janë 254.8 miliardë lekë.

Shpenzimet ndërkohë u rritën me 4.3%, si rrjedhojë e paketave mbështetëse dhe financimit të rindërtimit, çka ka bërë që deficiti buxhetor të kapërcejë në 52.5 miliardë lekë, ose mbi 420 mln euro.

Sipas financave, performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 8-mujore janar – gusht 2020 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteve të Qeverisë.

Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 99.8% të planit të 8-mujorit, rishikuar me Aktin e fundit Normativ të Buxhetit. Rritja mujore e të ardhurave tatimore në 4 muajt e fundit (maj-gusht) ka pasur një trend pozitiv me rritje mesatare prej 13%.

Në krahasim me muajt e tjerë të vitit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Akciza, Taksa Nacionale dhe te tjera dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale kanë reflektuar pozitivisht rifillimin e plotë të aktivitetit ekonomik. Në periudhën maj – gusht 2020, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka pësuar një rritje mesatare mujore prej 12%, Akciza prej 17%, Taksat Nacionale prej 20% dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale prej 12%.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8-mujorin e vitit 2020, u realizuan në masën 95.5% të planit të periudhës. Në shpenzimet e përgjithshme publike, përfshihet edhe Paketa Financiare Anti COVID-19, e parashikuar përmes dy akteve normative të Buxhetit të vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e tetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 52.25 miliardë Lekë, 21,8% më i ulët nga planifikimi prej rreth 66.8 miliardë Lekë.

 

e.sh/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *