Holanda do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme pas afro tre javësh, më 15 mars, dhe sondazhet paraprake kanë kohë që konfirmojnë si parti fituese Partinë për Liri, të ekstremistit Gert Uilders. Edhe pse do të gjendej fajtor nga gjykata, në dhjetor të vitit 2016, për diskriminim, kjo nuk ka ndikuar aspak në rritjen dhe fuqizimin e tij politikisht. Me një axhendë kundër islamit, kundër imigracionit, kundër sistemit politik tradicional, kundër elitave politike dhe mbi të gjitha kundër Bashkimit Evropian, ai po shfaqet si konkurruesi më sfidues në skenën politike holandeze.
Do të ishte muaji shkurt i vitit 2014, vetëm disa muaj para zhvillimit të zgjedhjeve evropiane, ku Uilders do të prezantonte publikisht konkluzionet e një raporti të titulluar NEXIT (Netherland-Exit), publikim i “Capital Economics”. Ky raport, vlerësonte impaktin ekonomik të Holandës, në rast se vendos daljen nga BE. Sipas argumentimit të Uilders bazuar në këtë raport, dalja e vendit nga BE, do t’i rikthente Holandës sovranitetin kombëtar, do të gjeneronte ekonominë dhe do t’i ofronte Holandës, një rrugë për të dalë nga kriza. Raporti, përveçse ofronte një panoramë optimiste mbi shkëputjen e vendit nga BE, ai pasqyronte gjithashtu dhe modelet e mundshme për një bashkëpunim të ri me Bashkimin Evropian, mbi shembujt tashmë ekzistues të formatit zviceran apo norvegjez. Një raport, që mbështeste plotësisht tezat ideologjike të Uilders, por që hasi në një oponencë të fortë në lidhje me objektivitetin e metodave të përdorura në të.
Përgjatë vitit të kaluar Holanda do të refuzonte gjithashtu, nëpërmjet një referendumi nënshkrimin e Traktatit të Asocimit BE-Ukrainë. Por, a mund të flasim për një skepticizëm në rritje të Holandës ndaj Bashkimit Evropian ?
Në fakt ekzistojnë dy rryma reflektimi mbi euroskepticizmin holandez, që ngjallin interes pasi shkaktojnë një përplasje mes tyre. E para, lidhet me atë se euroskepticizmi në Holandë ka filluar të shfaqet nga vitet 2000 e këtej. Duke e parë atë të konkretizuar sa me refuzimin e Traktatit Kushtetues në vitin 2005, sa me me daljen në skenë po përgjatë këtyre viteve, të partisë ekstremiste anti-evropiane të Gert Uilders dhe rritjes së vazhdueshme të elektoratit të saj, por edhe me refuzimin që Holanda i bëri së fundmi ratifikimit të Marrëveshjes së Asocimit BE-Ukrainë. Euroskepticizëm, që gjen shtrirje edhe tek elektorati i partive të tjera, klasa politike e së cilës, ka rritur tonet me shpresën e rikuperimit të elektoratit, që ka shkuar drejt partisë së Uilders.
E dyta, e gjykon tërësisht të gabuar reflektimin, se Holanda është bërë së fundmi euroskeptike, duke vlerësuar vështirësitë që ajo ka shfaqur që në fillimet e zgjedhjes së saj, për të qenë pjesë e Komunitetit Ekonomik Evropian dhe një prej vendeve themeluese të tij. Kjo, pasi dëshira e Holandës nuk ishte të ishte pjesë e një komuniteti kontinental, me qasje të pastër politike, siç ishte Komuniteti Evropian, por të ishte pjesë e një komuniteti transatlantik të bazuar në parimet e liberalizmit dhe tregut të lirë. Zgjidhja për të qenë pjesë e komunitetit shtrihej sa tek pamundësitë për të konkretizuar ëndrrën e saj për të jetuar në një Evropë britanike, por edhe për të përfituar nga një zgjidhje pragmatiste ekonomike, çka do i mundësonte të ishte pjesë e klubit politik për të kontrolluar nga brenda orientimin e ardhshëm të këtij komuniteti. Dhe e gjithë qasja e mëtejshme e Holandës ndaj Unionit ka qenë e karakterizuar nga pragmatizmi ekonomik, por me një përplasje që ekspozohet herë pas herë dhe që lidhet me ëndrrën e fortë holandeze për një marrëdhënie të pastër në terma ekonomikë, pra pa thellimin e nevojshëm politik dhe mbikëqyrje mbi-kombëtare.
Çka është interesant tek reflektimi i dytë, është ofrimi i një panorame shpjeguese të pozicionimit euroskeptik holandez, pothuajse në të njëjtat terma si ai i pozicionimit euroskeptik britanik, por me ndryshimin e vetëm që qëndrimet holandeze si ndaj pjesëmarrjes në zonën Euro, por edhe në iniciativat dhe ndërmarrjet e tjera në nivel evropian, janë angazhuese dhe gjithëpërfshirëse për hir të filozofisë së fortë pragmatiste, që e karakterizon vendimmarrjen holandeze. Qasja e dytë, e lidh shpjegimin e euroskepticizmit në rritje në Holandë, pikërisht me ngadalësimin e ekonomisë dhe shkeljes së rregullave të deficitit buxhetor, si nga Franca, por edhe nga Gjermania që krijuan një klimë aspak favorizuese, dhe në këtë kontekst kemi dhe refuzimin e traktatit kushtetues. Dhe shtimi i krizave në një Evropë, ku kërkohet që angazhimi të jetë thellësisht ekonomik rrit tensionin mes, “ëndrrës fillestare dhe angazhimit real”. Tension, që nuk shfaqej për sa kohë ekonomia ishte në lulëzim.
Por, si është i pozicionuar opinioni publik holandez ndaj Bashkimit Evropian ?
Në fakt, në refuzimin e ratifikimit të Traktatit Kushtetues në vitin 2005, referendumi i zhvilluar ishte i një natyre konsultative, çka nënkuptonte se një vullnet qeveritar mund ta tejkalonte në fazat vijuese. E njëjta situatë, u vëzhgua edhe me refuzimin që erdhi nga referendumi për ratifikimin e Marrëveshjes së Asocimit BE-Ukrainë. Edhe pse rezultati i referendumit ishte negativ, vullneti qeveritar u shfaq për tejkalimin e kësaj barriere, duke kërkuar mënyra për zhbllokimin e situatës. Natyra e refuzimit të këtij të fundit, lidhej me mungesën e dëshirës së elektoratit holandez, për zgjerim të mëtejshëm të BE-së, në një kontekst të shumëfishtë krizash, që ka përfshirë Unionin, që mund të jetë edhe i kuptueshëm.
Sondazhet e kryera në kohë, me fokus daljen apo qëndrimin e Holandës në BE, shfaqen hapur pro qëndrimit të vendit në BE. Në këtë linjë, qëndrojnë dhe preferencat e partive të tjera kryesore në Holandë, të cilat refuzojnë idenë e daljes nga BE. Sipas tyre, lënia e Eurozonës do të thotë një krizë e re financiare për Holandën, duke marrë parasysh faktin, se ekonomia është gjerësisht e varur nga tregtia.
Ndërkohë edhe Eurobarometri i fundit EB-86, i zhvilluar gjatë vjeshtës dhe i publikuar në muajin nëntor 2016, pasqyron të dhëna interesante mbi opinionin publik holandez. Ata, renditen të dytët në BE-28, mbi vlerësimin që i japin nënshkrimit të Trakteve të Romës, duke e konsideruar “një ngjarje tërësisht pozitive në historinë e Evropës”; 68% e tyre ndjehen plotësisht qytetarë të Unionit; 58% e tyre mendojnë se zëri i tyre vlen në BE; 54% e të pyeturve shprehen se janë optimistë për të ardhmen e BE-së; 84% e tyre janë pro lëvizjes së lirë të qarkullimit; 78% e tyre pro Unionit Ekonomik dhe Monetar dhe pro monedhës së përbashkët. Pra, në tërësi, ka një orientim që nuk vjen në përplasje apo kundër BE-së.
Populizmi anti-BE
Në larminë e krizave, që kanë prekur Bashkimin Evropian, populizmi dhe rritja e ekstremit të djathtë shfaqen sfidues. Kjo pasi në ideologjinë e tyre, ato përfshijnë forma ta plota ose të pjesshme të shkatërrimit të Unionit. Zgjedhjet e përgjithshme, që pritet të mbahen në Holandë, Gjermani dhe ato presidenciale në Francë, po njohin në terrenin e tyre konkurrencën e fortë të partive anti-BE. Më pak në Gjermani, por më e theksuar në Francë dhe në Holandë, ekstremi i djathtë po shfaqet fitues në sondazhet paraprake. Por, a mund një flitet për një triumf të tyre ideologjik në Bashkimin Evropian?
Që prej 20 vitesh, ekstremizmi i djathtë, nuk bën gjë tjetër veçse intensifikohet. Me theksimin e krizës ekonomike në Evropë, kemi dhe një fuqizim të partive populiste dhe ekstremiste. Roli i tyre, nuk shfaqet vetëm tek elektorati në rritje, por edhe tek ndikimi që ato ushtrojnë mbi partitë tradicionale, duke i detyruar këto të fundit të huazojnë jo vetëm retorikën, por edhe të marrin pika të tëra të programeve të tyre. Në rastet më delikate, kemi edhe ushtrimin e presionit, që shikohet rëndom në vendimmarrjet politike.
Që ky ekstremizëm të triumfojë ideologjikisht, duhet që ai të vijë në pushtet. Aktualisht, edhe pse në vende të caktuara ka fraksione qeveritare, ku i gjejmë të përfaqësuara këto forca politike, ka gjithmonë një kufi inteligjent, që elektorati ka ditur ta vendosë, duke u shprehur nëpërmjet votës dhe penguar kësisoj ardhjen e tyre në pushtet. Suksesi lokal, që ai shfaq ka meritën edhe të partive tradicionale, që duke mos i goditur publikisht këto politika, shkaktojnë dëmin më të madh, pasi duke i huazuar dhe i kopjuar, i legalizojnë publikisht këto prirje populiste. Dhe ky legalizim publik, ka efekte të parikuperueshme në elektorat. Shembulli tipik është ai britanik, ku kjo gjuhë urrejtje politike ka nxitur aktet e ksenofobisë në vend dhe sulmet ndaj të huajve. Edhe pse organizatat e të drejtave të njeriut, i kanë bërë thirrje politikës britanike të kuptojë dëmin, që vjen nga këto deklarata, Kongresi i Konservatorëve ishte arena e mungesës së plotë të reflektimit politik.
Por, pavarësisht rolit që luajnë ekstremet e djathta, nga njëra anë, qytetarët evropianë nuk dëshirojnë të mbyllen në guaskën nacionaliste dhe të braktisin Unionin. Kjo u vëzhgua edhe në situatën pas Brexit, ku pati një reagim shumë të fortë social, por edhe politik për të bërë të mundur qëndrimin në BE. Edhe të dhëna të tjera, siç do të ishte sondazhi i kryer nga Ifop menjëherë pas Brexit në 6 vendet kryesore të BE, flasin për një reflektim të menjëhershëm pas situatës që u krijua në Britani, duke rezultuar me një nivel mbështetje për qëndrim në Union, shumë herë më të lartë nga përqindjet e mëparshme. Nga ana tjetër, vërehet edhe një strategji, që ushtron klasa politike tradicionale, sa duke krijuar “kordonë sanitarë” në rastin holandez, ku refuzohet bashkëpunimi me partitë e ekstremit, apo formimin e koalicioneve qeveritare me to, por edhe duke orientuar votën e elektoratit (si në rastin francez përgjatë zgjedhjeve lokale) në raundet pas shkualifikimit, drejt forcës kundërshtare tradicionale, për të bllokuar rrezikun e fitores së ekstremit. Strategji, që shfaqen si taktika mbijetese të politikës tradicionale, duke parandaluar avancimin e ekstremit në pushtet, por që në thelb e kanë të pashmangshëm reflektimin mbi vetveten. Mbi të gjitha, aftësinë për të ofruar zgjidhje të vërteta mbi problemet, si mënyra e vetme për të përballuar rritjen e ekstremit dhe propagandën e tij të rreme.
Im.Ta.
DITA
