Mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Thomas Meunier insiston se ekipi i tij nuk mbështetet te Neymar, për tu inspiruar në fitore. Mbrojtësi i djathtë deklaroi se PSG nuk është i varur nga 25-vjeçari Brazilian për të siguruar tre pikët, ndërkohë që ekipi parisien barazoi të shtunën ndaj Montpellier me rezultatin 0-0, në mungesë të ish-yllit të Barcelonës. I lënë jashtë për shkak të një dëmtimi të lehtë, mungesa e Neymar, në të vërtetë duket se ndikoi te PSG që u ndal për të parën herë në Ligue 1 gjatë këtij sezoni.
Neymar, i cili u adaptua shumë shpejt me jetën në Francë dhe me lojën e PSG, ka shënuar pesë gola në gjashtë ndeshje, duke shërbyer gjithashtu edhe pesë asiste, duke bërë që barazimi i ekipit parisien në mungesë të tij, të mos ishte një surprizë. Gjithsesi, mbrojtësi i djathtë i ekipit, Meunier ka hedhur poshtë spekullimet se Neymar është thelbësor për suksesin e PSG.
“Ne nuk kemi një varësi ndaj Neymar. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, por kur sheh ekipin tonë, nuk mund të thuash se ne nuk fituam për shkak se Neymar nuk ishte aty. Ne kemi futbollistë të cilët mund të bëjnë diferencën. Individualisht ata dinë se si ta nxjerrin skuadrën nga situata të komplikuara.
Ishte e vështirë sepse u përballëm me një Montpellier që dha 100% në fushë”, deklaroi mbrojtësi i PSG, Meunier në lidhje me Neymar, i cili pritet të rikthehet të mërkurën në fushë, për ndeshjen ndaj Bayern Munich, e vlefshme për Champions League.
