Pas dështimit të privatizimit të Albetrol: Vetro Energy, gati të paguajë garancinë

anazapta

Procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol ende po vijon.

 

Pas deklaratës së dy divëte më parë të Ministrisë së Ekonomisë lidhur me ecurinë e negociatave, konsorciumi “Vetro Energy” deklaron se është i gatshëm të paguajë garancinë e kërkuar në vlerën e 20% të çmimit të ofruar. Përmes një reagimi zyrtar, konsorcimi i shpallur fitues në tenderin ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë Albpetrol, ka deklaruar se garancia do të dorëzohet pas nënshkrimit të kontratës mes palëve.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria një numër dokumentesh të lidhura më privatizimin. Nga ana e saj, Qeveria ka kërkuar një garanci kontrate, të cilën Vetro Energy do ta japë brenda pak ditësh. Këto janë negociata komplekse dhe ka shumë detaje për t’u mbuluar. Gjithsesi, unë kam besim se së bashku me Qeverinë do të finalizojmë negociatat së shpejti dhe do arrijmë në një përfundim të suksesshëm të transaksionit” – ka deklaruar Rezart Taçi, aksioneri kryesor i “Vetro Energy”.

Vijimi i negociatave për privatizimin e kompanisë Albpetrol është konfirmuar edhe nga zëvëndësministri i Ekonomisë Eno Bozdo. Gjatë raportimit për projekt-buxhetin e vitit 2013 në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, zëvëndësministri tha se ky proces nuk mund të cilësohet i dështuar, pasi po vijon konform parashikimeve ligjore. Me datën 5 tetor të këtij viti konsorciumi “Vetro Energy” u shpall fitues zyrtar i garës për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol. Konsorciumi paraqiti një ofertë në vlerë 850 milionë euro, duke tejkaluar pritshmëritë e qeverisë shqiptare për këtë proces.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *