Pas meje qameti (ama demokratik)

redaktor

Interesi demokratik e do që të mos i bëhet avokati mazhorancës, për më tepër kur për ironi atë ia bën vetë opozita e PD që si akuzë kryesore ndaj qeverisë Rama servir revanshin dhe përmbysjen që po i bën ‘arritjeve’ ‘Made in PD’. Një retorikë kjo bumerang kur dihet se nga kush thuhet (ekspozon indirekt fijet e klientelizmit të djeshëm ‘blu’) dhe absurde në të njëjtën kohë, pasi reformat dhe ndryshimet që anatemohen sot nuk janë të papritura (sikurse PD devijoi prej premtimit të ‘duarve të pastra’ pas 2005) por ishin premtime solemne elektorale për të cilat pritshmëria publike është në zenit.

 

Votë për NDRYSHE

Vota e qershorit ishte votë për NDRYSHIM. Edi Rama u zotua, pa u votua për këtë gjë. NDRYSHE nga qeverisja e PD po e po por dhe NDRYSHE nga çdo qeverisje që njohëm deri më tani. Dhe nëse shumë gjëra krijuan problematika serioze gjatë qeverisjes së PD (anarkia me pronën, privatizimi klientelist, lëshimi në sovranitet, shndërrimi i vëndit në ‘gropë’ septike të botës, kapja e gjyqësorit, intimidimi i administratës etj), NDRYSHE nga to, i bie të jetë për mirë. Ndaj, nëse deri diku PD ka të drejtë kur akuzon për përmbysje dhe ‘qamet’, sa kohë gjërat përmbysen që të shkojnë në vënd, sa përmbysje paçim, aq të mira qofshin.

Por NDRYSHE nuk ka brirë dhe duket në ‘gunë’ dhe në punë. Nga dekoret kryeministrore tek anullimet e VKM klienteliste, nga emërimet e drejtuesve në administratë tek ristrukturimi në polici, nga prioritetet në politikën e jashtme tek përsosja e ligjit të nëpunësit civil etj, nga çuarja për ndjekje penale e abuzuesve tek zhbllokimi i sheshit para Qemal Stafës, nga ulja e traut të doganës plehrave nga bota tek bllokimi i kontrabandës e trafikut etj, nga shëmbja e ndërtimeve pa leje tek rikthimi i dinjitetit të projektit të xhamisë etj, po bien ‘tabu’ stili dhe abuzimi qeverisës, po ngrihet ‘batica’ e shtetit ligjor dhe po mban ‘era’ perëndim. Dhe kjo NDRYSHE, jo vetëm nuk përbën ‘mëkat’ qeverisjeje por përkundrazi, është aset politik tek përputhet me pritshmëritë qytetare duke qënë jetike për ringjalljen e besimit se ky vënd bëhet dhe në të ia vlen të ëndërrosh.

 

Ekip dhe komunikim NDRYSHE

NDRYSHIMI nuk mund të mos reflektohej edhe në kriteret e përzgjedhjes së ekipeve që marrin përsipër ta bëjnë atë. Elita politike e ditës nuk ka përse të ‘xhelozohet’ nga emrat e rinj sepse nëse demokracia është qarkullim elitash (term ky në vetvete disi patetik e vanitoz), atëhere, shansin apo privilegjin që patën politikanë të rinj dikur për të patur çelsat e shtetit në dorë, nuk ka pse të mos e ketë tjetërkush sot, dhe ku mbështetja dhe këshillimi pa rezerva prej ‘gardës së vjetër’ (tek ndajnë të njëjtin mision), është kompensim për përvojë.

Kur këta emra përfliten prej PD, askush nuk i merr seriozish sa kohë ‘sqimatarin’ demokratik e bën zullumqari i djeshëm në pushtet. Por, edhe në këtë rast, NDRYSHE nga më parë, mazhoranca e re nuk duhet të tundohet nga arroganca dhe intimidimi i dikurshëm që pushteti në tranzicion ofroi dhe tej çdo kompleksi, institucioni i opozitës dhe zëri racional prej saj, meriton respekt.

Ndërkohë, kur rezervat dhe debatet rreth përvojës së emrave në qeveri dhe administratën e lartë (shumë të rinj, shumë femra, shumë të ‘panjohur’) etj, vijnë nga vetë rradhët e mazhorancës, ato jo vetëm duhet të lejojnë më shumë kohë për NDRYSHIMIN të ndodhë (duke mos thënë fjalën e fundit të parën) por dhe duhet të menaxhohen krejt NDRYSHE nga më parë (praktikat e karshillëkut emocional mes palëve në trazicion duhet të lihen pas dhe respekti, transparenca dhe etika e komunikimit reciprok duhet të dominojë). Aq sa rëndësi ka argumenti, po aq ka dhe qasja e debatimit të tij dhe këtu, hapin e parë duhet ta hedhë qeveria e cila ka edhe ‘gurin’ edhe ‘arrën’ në dorë.

Me morinë e ‘dopiogjashtave’ të lëna pas prej qeverisjes së PD dhe ‘tik-takun’ e orës politike jo më në favor, mazhoranca nuk e ka luksin e sherrit brënda vetes dhe, nëse ka vërejtje dashamirëse e të motivuara parimish prej zërave të spikatur, pesha e fjalës dhe e aktit të të cilëve vlen shumë më tepër se parti të marra sëbashku, sikurse është edhe patriarku i politikës anglo-saksone në vënd, z. Ngjela, qasja NDRYSHE e qeverisjes është ajo e mirëkuptimit dhe e vullnetit të mirë me dorën zgjatur dhe derën hapur reciprokisht për më tej.

 

Përgjegjshmëri politike NDRYSHE

Pjesë e NDRYSHE është ndërkohë edhe reagimi i qeverisjes ndaj kritikave për performancën e saj. Ndonse ende ‘taze’, problemet dhe dështimet janë të paevitueshme dhe në varësi të tyre, praktika të tilla si dorëheqjet apo shkarkimet nga detyra nuk duhet të mbeten retorikë sikundër në tranzicion. Për më tepër kur dorëheqja, si preçedent civilizues, jo domosdoshmërisht është fundi i karrierës në politikë teksa në vetvete ajo flet për përgjegjshmëri dhe si e tillë shndërrohet në aset politik që mund të riinvestohet në të ardhmen sërisht.

Refreni i kësaj qeverie dhe pritshmëria ndaj saj nuk është thjesht NDRYSHIMI por NDRYSHIMI për mirë. Dhe nëse anatemohet si ‘qamet’ ambicja për normalitet demokratik dhe shtet ligjor, për më tepër nga pjesa e ‘NDRYSHKUR’ e politikës së tranzicionit që e mori peng kaq gjatë fatin e qytetarit dhe tashmë është në opozitë, ashtu qoftë. Është në rrugë të mbarë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *