Pas zbulimit të faktit se nxënësit më të mirë në shkallë vendi janë ata të Beratit, zbardhet një tjetër tregues po kaq i rëndësishëm, që gjithashtu lidhet me këtë qytet.
Edhe mësuesit më të mirë në të gjithë vendin janë ata të shkollave të arsimit parauniversitar në qytetin e Beratit. Ndërsa pas tij renditen mësuesit e: Shkodrës, Korçës, Fierit dhe Tiranës qark. Të dhënat bëhen publike në Raportin Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe të Drejtuesve, ku vërehet se drejtoritë arsimore rajonale me rezultate më të ulëta janë: Kukësi, Dibra dhe Vlora. “25% e mësuesve zotërojnë njohuri shumë të kënaqshme. 64% e mësuesve zotërojnë njohuri të kënaqshme, por me nevoja për përmirësim. 12% e mësuesve kanë nevoja të domosdoshme apo të konsiderueshme për përmirësim. Mesatarja e pikëve në vlerësimin e përgjithshëm është 21.4 pikë nga 30 pikë që ka instrumenti i plotë. Rezultatet e mësuesve të shkollave të fshatit janë thuajse të barabarta dhe në disa raste disi më të larta kundrejt rezultateve të mësuesve të shkollave të qytetit. Kjo vlen, si për vlerësimin e përgjithshëm, po ashtu edhe për fushat: Planifikimi; Mësimdhënia dhe të nxënit; Etika dhe komunikimi; Zhvillimi profesional”, tha drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi.
Sipas tij, rezultatet më të ulëta janë arritur në fushën e zhvillimit profesional, ku numri i mësuesve të vlerësuar me nivelin 1 dhe me nivelin 2, që kanë nevoja të domosdoshme apo të konsiderueshme për përmirësim, arrin në shifrat 35%. Theksohet se nëndrejtorët janë kategoria e punonjësve arsimorë që kanë rezultate më të larta, krahasuar me drejtorët dhe mësuesit.
Testimi i mësuesve
Pas testimit të 17.613 mësuesve në gjithë vendin, Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) prezantoi dje Raportin Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve. “Një proces i planifikuar me kujdes që filloi me testimin online në Tiranë dhe vijoi në të gjithë Shqipërinë, me rregulla të forta monitorimi dhe standarde sekretimi, evidentoi nevojat e mësuesve për trajnim”, thuhet në njoftimin zyrtar të MAS. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, deklaroi se për herë të parë, përmes këtij procesi ofrohet për çdo drejtori dhe zyrë arsimore, harta kombëtare e nevojave për zhvillim profesional e detajuar për çdo shkollë, mësues si dhe databaza e të dhënave, një instrument, që sipas saj, mund të kuptosh nevojat e detajuara për trajnim të drejtuesve, mësuesve, sipas gjinisë, profilit, vjetërsisë në punë, vendndodhjes. “Për herë të parë kemi një raport kombëtar për evidentimin e nevojave të mësuesve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar. Ky është një dokument nga i cili zhvillojmë të gjitha përgjegjësitë që na takojnë përpara 500 mijë nxënësve dhe prindërve të tyre, duke u thënë të vërtetat reale që mbajnë emrin e çdo mësuesi, shkolle, DAR/ZA. Por, ajo që është e rëndësishme, duke u angazhuar në kohë, me tregues të matshëm, për të përmirësuar situata që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente e më pas për të ndërtuar një sistem permanent, bashkëkohor për kualifikimin e të gjithë mësuesve”, u shpreh Nikolla. Sipas saj, nga raportimi që MAS kreu pranë përfaqësuesve të Komisionit Europian në kuadër të Nënkomitetit për “Inovacionin, Shoqërinë e Informacionit dhe Politikat Sociale”, konkluzionet nga ekspertët e KE-së si dhe rekomandimet ishin pozitive. “Shqipëria inkurajohet të vazhdojë reformën në arsimin parauniversitar dhe t’i kushtojë një rëndësi të veçantë trajnimit dhe kualifikimit të mësuesve. Ata kanë ofruar partneritet të plotë dhe ekspertizë për të na shoqëruar në hapat e mëtejshëm, për t’ju përgjigjur kësaj situate dhe detyrave që lindin nga ky raport”, theksoi ministrja e Arsimit.
Përfitimi i krediteve
Ndër të tjera, ministrja e Arsimit renditi edhe problematikat e skemës së trajnimit të mësuesve. Sipas saj, janë 51 agjenci trajnuese të licencuara gjatë vitit 2012 dhe 2013, të cilat ofrojnë 739 module trajnimi për mësuesit. “Shpesh këto agjenci nuk kanë pasur një bashkëpunim dhe koordinim të mjaftueshëm me DAR/ZA-të dhe shkollat për të ofruar trajnime sipas nevojave reale që përputhen me reformat në sistemin parauniversitar. Në mjaft raste, media, mësues të caktuar kanë denoncuar edhe një proces të rëndë për sistem arsimor, atë të shitjes së krediteve”, tha Nikolla. Ajo gjithashtu shtoi se ka një mungesë të literaturës profesionale dhe të botimeve mbështetëse për mësuesit, për të mësuar rreth zhvillimeve në formimin e tyre, mbi përvojat më të mira të kolegëve vendas dhe të huaj, ndërkohë që mungon edhe organizimi i trajnimeve online.
Shkolla e drejtorëve
Në fjalën e saj, ministrja përmendi edhe rëndësinë e krijimit të shkollës së drejtorëve, duke theksuar se do të ketë një diplomë për të gjithë drejtuesit që janë në sistem, por edhe për ata që duan të jenë pjesë e drejtimit të shkollave.
Debati shkencor për skemën e re të zhvillimit profesional të mësuesve, do të vijojë javën që vjen, në konferencën e parë ndërkombëtare mbi zhvillimin profesional të mësuesve, ku ekspertë ndërkombëtarë nga vende të zhvilluara europiane, por dhe nga vende të rajonit, rektorë e pedagogë universitetesh do të mblidhen për të ofruar ekspertizën e tyre në lidhje me skemën e re të zhvillimit profesional, sipas standardeve europiane./shqip
