Pas sulmit në Kabul, Trump anulon bisedimet për paqe

Edona Llukacaj

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, presidenti i SHBA, Donald Trump, ka bërë me dije se ka anuluar një takim në Uashington me liderët e talibanëve dhe presidentin afgan, Ashraf Ghani, pas sulmi me bombë në Kabul që la të vdekur 12 persona, përfshi një ushtar amerikan.

Duke u shprehur se kishte planifikuar larg vëmendjes publike të zhvillojë bisedime të veçanta me të dyja palët dhe të takohej në mënyrë sekrete të dielën, Trump shtoi: “Nëse ata nuk mund të pajtohen për armë-pushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme për paqe, si dhe janë në gjendje të vrasin 12 persona të pafajshëm, atëherë nuk kanë fuqi për të negociuar një marrëveshje të mirëfilltë”.

Trump, i cili do rikandidojë për president në vitin 2020, po përpiqet t’i japë fund konfliktit 18 vjeçar në Afganistan si dhe të tërheqë trupat amerikane nga vendi e kështu të vërë në jete një prej premtimeve elektorale gjatë fushatës së vitit 2016.

Që nga shtatori i kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe grupi Taliban kanë mbajtur tetë raunde bisedimesh për paqen. Të dyja palët kanë njoftuar për përparim në bisedimet për një marrëveshje të mundshme. SHBA ka premtuar se mund të tërheqë trupat, nëse talibanët nuk lejojnë që Afganistani të përdoret si bazë për terrorizmin.

Kjo ndërhyrje e SHBA ka qenë e nevojshme edhe sepse talibanët kanë refuzuar të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë e mbështetur nga perëndimi në Kabul, duke e quajtur atë të paligjshme, raporton Dita duke iu referuar mediave ndërkombëtare.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *