Pas vrasjes së Fatmir Haklajt, ekzekutohet me breshëri dhe truproja i Fatos Nanos

anazapta

Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Si u ekzekutua pas vrasjes së Fatmir Haklajt një nga të akuzuarit, Anton Gjergji, ish-truproja i Fatos Nanos. Kush ishte djali nga Puka dhe si u përfshi ai në zinxhirin e vrasjeve në Tropojë. Këmbëngulja e kolonel Gani Malushit për arrestimin e vrasësve dhe neglizhenca e eprorëve të tij në Ministrinë e Brendshme në Tiranë.

 

Artan Hoxha: Një palë dylbi speciale zbuluan autorët e pritës së Bujanit, ku u vranë dy persona dhe u plagos një i tretë. Jaho Mulosmani nuk pranoi mjekimin në Tiranë, por iku në Kosovë. Pengu i Lazër Gjergjit, babait të ish-truprojës së Kryeministrit, nuk mori asnjë telegram apo letër ngushëllimi nga Fatos Nano.

Midis provave materiale që Policia e Tropojës gjeti në vendngjarjen e 4 nëntorit në Bujan, ishin dhe një palë dylbi optike për shikim gjatë natës, me rreze infra të kuqe. Vrasësit gjatë tërheqjes nga prita, në nxitim e sipër, kishin lënë pas një gjurmë që mund t’i dekonspironte keq. Komisar Malushi dhe stafi i tij u përpoqën ta mbanin të fshehtë këtë provë në mënyrë që nëpërmjet saj të shkonin te autorët. Dylbi të tilla në atë kohë, përdornin vetëm trupat speciale të policisë. Malushi kërkoi që të hetohej se në inventarin e kujt reparti mungonin një palë dylbi të tilla. Nga verifikimi i kryer në atë kohë prej policisë, rezultoi se ato dylbi ishin në inventarin e një reparti të ndërhyrjes së shpejtë në kryeqytet. Ai kërkoi të merreshin gjurmët e gishtave nga dylbitë dhe të bëhej krahasimi me ato të personave të dyshuar. Por Malushi tashmë është vrarë dhe nuk mund të dëshmojë pse nuk iu kthye ndonjëherë përgjigje për provat që zbuloi. Po atë natë ai mësoi nga burime operative dhe nga informacionet e siguruara prej stafit të tij, që përbëhej prej një grupi ekspertësh kriminalistë nga më të mirët në vend, se në vrasjen e Fatmir Haklajt kishin marrë pjesë dhe dy efektivët më të mirë të repartit special 77, i njohur ndryshe si njësia e Luftës Kundër Drogës. Policia e Tropojës njoftoi Ministrinë e Brendshme që të verifikonte vendndodhjen e dy efektivëve të trupave speciale, në datat 3, 4 dhe 5 nëntor. Nëse nuk gjendeshin në repart, të urdhërohej ndalimi i tyre deri në fund të hetimeve. Sërish kërkesat e policisë së Tropojës ranë në vesh të shurdhër, mbase në Tiranë nuk i interesonte askujt të zbuloheshin emrat e vrasësve të Fatmir Haklajt. Mosreagimi i Ministrisë së Brendshme u la dorë të lirë Haklajve, të cilët duhet të vepronin vetë për të marrë hak.

 

KËRKESA

Një ndër emrat e specialëve që komisar Malushi u kërkoi eprorëve të tij ta ndalonin, ishte ai i Anton Gjergjit. Efektivi i trupave speciale Anton Gjergji u akuzua se ishte një ndër personat që kryen atentatin e Bujanit, ku mbetën të vrarë Fatmir Haklaj e Sami Kërnaja, si dhe u plagos, Jaho Salihi. Gjergji, kolegu i tij dhe një person i tretë, ish-funksionar policie, dyshoheshin se ishin truri i kësaj ngjarje. Ata ishin me përvojë dhe ndër më të stërviturit që kishte policia shqiptare. Të mbështetur dhe nga njerëz të interesuar direkt për vrasjen e Haklajt ata përmbushën me sukses një mision që dukej i pamundur deri në atë kohë. Dy ditë pas atentatit, komisar Malushi deklaroi për mediet identitetin e tre personave të dyshuar, mes tyre dhe emrin e Gjergjit. Sipas Malushit, tre autorët kishin njohje dhe lidhje të afërt me njëri-tjetrin.

 

SPECIALI

Pukjani 30-vjeçar Anton Gjergji konkuroi në maj të vitit 1997 dhe kaloi shkëlqyeshëm testimin për t’u pranuar efektiv i repartit special antidrogë numër 77. Ai punoi në këtë repart deri në fundin e tetorit 1999. Më 15 nëntor ai doli i pari në testimin për t’u pranuar si efektiv i Repartit të Operacioneve Speciale(ROS) që po ngrihej nga Ministria e Brendshme. Në pritje për të nisur detyrën e re, Gjergji qëndroi i angazhuar në repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë numër 712, në Kombinat. Kolegë të Antonit që kanë punuar me të për vite të tëra, thonë se ai ishte një djalë i rritur në forcat speciale qysh nga koha e shërbimit ushtarak. Antoni ishte një qitës i shkëlqyer me pistoletë e Kallashnikov. Stërvitej vazhdimisht për orë të tëra. Nuk abuzonte kurrë me pijen dhe qeshte shumë rrallë. Ishte mjaft me sedër dhe bënte shumë për shoqërinë e tij. Ai njihte shumë mirë gjuhën angleze dhe në momentin që u vra vazhdonte shkollën e lartë në fakultetin juridik pa shkëputje nga puna.

Në kohën kur punonte në repartin special 77, Antoni rrinte pothuaj gjatë gjithë kohës me mikun e tij më të ngushtë, Përparim Hyka, vëllai i drejtorit të Policisë së Kukësit Jonuz Hyka, i vrarë më 13 tetor 1999. Lazër Gjergji, babai i Antonit, kujton: “Përparimi ka qenë dhe në varrimin e tij, ishin shokë të afërt shumë, me djalin tim.”

 

AUTORËT

Ngjarja e Bujanit dhe vrasja e Fatmir Haklajt krijoi përshtypjen se truproja i liderit socialist, Nano, e hodhi lumin pa u lagur. Por ngjarjet treguan të kundërtën. Më datë 11 nëntor Antoni festoi 30-vjetorin e lindjes bashkë me shokët e tij të repartit në Tiranë. Ky ishte përvjetori i fundit për të. Fatmir Haklaj nuk jetonte më por lista e tij ishte ende në fuqi. Personat që morën përsipër ekzekutimin e Gjergjit u munduan të linin sa më pak gjurmë të ishte e mundur. Për këtë shkak pasditen e 22 nëntorit 1999 ata blenë në tregun e makinave në Plepa të Durrësit një Volksvagen Golf me targa të huaja, të cilën e përdorën për t’iu afruar Antonit pa u zbuluar prej tij. Në mbështetje të ekzekutorëve që ndodheshin në Golfin me targa të huaja ishte dhe një autoveturë e dytë, e gatshme të ndërhynte për çdo të papritur. Vrasësit i kishin studjuar mirë lëvizjet e Antonit duke qenë të informuar deri në detajet më të hollësishme. Mbrëmjen e të martës së 23 nëntorit 1999, Anton Gjergji po kthehej në banesë për të parë një ndeshje ndërkombëtare futbolli. Ai banonte në katin e tretë të vilës me numër 56, që ndodhet pranë Gjimnazit “Partizani”, në rrugën “Dëshmorët”. Lagjen numër 45 të kryeqytetit, ku ndodhej banesa e Antonit, e kishte pllakosur errësira për shkak se dritat ishin fikur afro 30 minuta para ngjarjes, ndërsa një shi i imët që sapo kishte nisur të binte, i ndihmoi vrasësit të mos binin në sy.

 

ATENTATI

Rreth orës 19:42 minuta ai parkoi në krah të garazhit, auto veturën e tij të re, një Volksvagen tip Passat, ngjyrë gri, me targa austriake, të cilën e kishte blerë vetëm një muaj më parë. Antoni e la veturën me dritat dhe motorin e ndezur dhe iu drejtua garazhit. Qepeni i garazhit ku parkonte auto-veturën hapej në distancë me telekomandë. Por për shkak të mungesës së dritave ai u detyrua ta hapte atë me dorë. Në orën 19:45, në çastin kur ai ngriti qepenin rreth një metër nga toka dhe ishte i përkulur në gjunjë, u qëllua nga pas me tre breshëri kallashnikovi. Plumbat e kanë zënë kryesisht në pjesën e poshtme të trupit, në të dyja këmbët dhe në legen. Breshëritë e kallashnikovëve të lëshuar njëkohësisht nga tre persona, tronditën qendrën e kryeqytetit. Duke e ditur sa i përgatitur ishte Antoni, vrasësit i kishin marrë masat qysh më parë. Nëse 30-vjeçari nga Puka nuk vritej qysh në goditjen e parë, atëherë vrasësit mund të përfundonin fare mirë në viktima. Por zjarri i pandërprerë i drejtuar mbi oficerin e Repartit të Operacioneve Speciale nuk i la atij asnjë mundësi të kundërpërgjigjej. Në çastin e atentatit ai mbante në brez një armë pa leje, pistoletë tip “Kllok”, jashtë serie, e kalibrit 12 milimetër, të cilën ai e kishte blerë në Hollandë. Në makinën kishte dhe një kallashnikov por nuk iu dha shansi t’i përdorte ashtu siç dinte ai. Ai mori shumë plumba në këmbë, madje këpucët i ishin bërë vrima-vrima. Pantallonat i ishin bërë shoshë, pasi vrasësit nuk ia kursyen fishekët. Por plagën më të rëndë që e çoi drejt vdekjes, Gjergji e mori në arterien kryesore pranë organeve gjenitale, e cila i shkaktoi një hemoragji të madhe, duke mos i dhënë asnjë shans për ndërhyrjen mjekësore.

 

AUTOMJETI “GOLF”

Në vendngjarje mbërritën të parët dy kolegë të Gjergjit që e  transportuan me një makinë të rastit në spital, por gjithçka rezultoi e kotë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë në atë kohë, atentati ndaj Gjergjit ishte i pari pas 22 ditëve pa vrasje në kryeqytet. Policia deklaroi se Gjergji ishte qëlluar për motive hakmarrje, nga persona të panjohur që ishin larguar në drejtim të paditur duke përfituar nga errësira e natës dhe mungesa e dritave. Një ditë më pas policia gjeti të braktisur një auto-veturë Volksvagen tip Golf, e cila ishte përdorur nga autorët. Golfi me targa të huaja u gjet në afërsi të fabrikës së qumështit Ajka, pranë ish-uzinës “Dinamo”. Brenda në të u gjet dhe një kallashnikov që rezultoi se ishte përdorur në krim. Fakti që vrasësit e blenë mjetin e krimit në Plepa, e nxiti policinë të ndërmerrte një aksion të gjerë dy ditë pas ngjarjes duke e bllokuar të gjithë tregun e makinave të ardhura nga jashtë. Më 25 nëntor 1999 u bllokuan 286 auto-vetura dhe fuoristrada, por nuk u identifikuan personat që e kishin blerë Golfin, detaj ky që do të çonte në zbulimin e vrasësve të truprojës së Fatos Nanos. Nga dëshmitarët okularë rezultoi se në atentat kishin marrë pjesë 6 persona. Tre prej tyre ishin pjesëtarë të një grupi shumë të fuqishëm në kryeqytet dhe u vunë në mbështetje të tre personave të ardhur nga Tropoja. Të nesërmen në media u botua lajmi se ishte vrarë Anton Gjergji, president i firmës së baterive “Varta” në kryeqytet. Vrasja e Antonit zuri një hapësirë shumë të vogël në mediet e kohës, pavarësisht se kush ishte ai.

 

JAHO MULOSMANI IKËN NË KOSOVË

Vrasja e Fatmir Haklajt i shokoi njerëzit e tij dhe u dha krah kundërshtarëve, që më në fund ia dolën mbanë ta eliminonin fizikisht pas shumë përpjekjesh të dështuara. Haklajt u vunë menjëherë në lëvizje për të zbuluar autorët e pritës së 4 nëntorit në Bujan. Për t’u treguar kundërshtarëve të tyre se ishin ende gjallë dhe njëkohësisht të mbanin bashkuar njerëzit e tyre, ata duhej patjetër të godisnin. Kundërpërgjigja duhej bërë sa më shpejt dhe sa më e fortë që të ishte e mundur. Haklajt arritën të lokalizonin shumë shpejt kush ishin autorët e pritës. Për këtë i ndihmoi fakti që njëri nga objektivat e atentatit Jaho Mulosmani, mbijetoi. Menjëherë pas ngjarjes Jaho u transportua në spitalin e Bajram Currit, ku u sigurua me masa të forta, jo vetëm nga njerëzit e tij por dhe nga policia. Komisar Gani Malushi u kërkoi eprorëve të tij që ta ndalonte Jahon, ose prokuroria të lëshonte një urdhër arresti për të. Por nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra, duke i dhënë mundësi Jahos që t’i shpëtonte sërish arrestimit. Njëri nga plumbat që kishte marrë Jaho, i kaloi shumë afër zemrës duke i rrezikuar jetën. Pavarësisht kësaj, ai refuzoi të transportohej me helikopter drejt Tiranës, ku mund të përfundonte me pranga në duar si Fatmir Haklaj pas ngjarjes së 4 gushtit. Pasi e mori paksa veten Jaho nxitoi të largohej drejt Kosovës, ku kishte mundësi të operohej pa qenë i rrezikuar të përfundonte në burg si i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit. Më datë 10 nëntor 1999, 6 ditë pasi ishte plagosur para kullës së tij në Bujan, Jaho u largua i shoqëruar nga njerëz të besuar drejt Kosovës. Para se të kalonte kufirin ai u ngjit në kullën e Haklajve, në Kërnajë. Ai shkoi të ngushëllonte familjen e Fatmirit dhe njëkohësisht të bisedonte me vëllanë e madh të Haklajve, Hamdiun se kush kishin qenë autorët e pritës. Pasi përmbushi këtë mision të fundit, Mulosmani u zhduk pa lënë gjurmë. Ai u kthye në njeriun më të kërkuar nga policia shqiptare deri në pranverën e vitit 2001, kur vendosi të dorëzohej në rrethana që ende dhe sot nuk janë sqaruar.

 

Babai i Anton Gjergjit: Kush dhe pse ma vranë djalin!

 

Lazër Gjergji: Fatos Nano nuk më ngushëlloi për vrasjen e djalit

Para vrasjes, në momentin që po e ndiqnin për ta vrarë, Anton Gjergji njoftoi ministrin Poçi, por nuk u arrit të evitohej atentati…

“Mirë do të ishte që Fatosi të ma kishte nis një copë telegram ngushëllimi, se Antoni ka punuar me të disa kohë. Kur ra në burg i ka shoqëruar familjen pa kurrfarë paresh, nuk i ka lyp kurrë ato. Nano ka ardhur më pas në Pukë për punë të tij disa herë, por s’është kujtuar me pyet për të, a njerëzit e tij”, thotë Lazër Gjergji, babai i Antonit për liderin historik të socialistëve Fatos Nano. Atij i ka mbetur peng që i biri u trajtua sikur të mos ishte askush pas vrasjes mafioze në Tiranë.

 

TRUPROJA

Anton Gjergji lindi në një fshat të thellë të Pukës, Qerret i Vogël. Ai ishte djali i Lazër dhe Marie Gjergjit, dhe kishte tre vëllezër e dy motra të tjera. Qysh në moshën 18 vjeç, sapo mbaroi gjimnazin ai shkoi ushtar në repartin 326 (sot Reparti Special RENEA). Antoni u stërvit aty dhe i pëlqeu të qëndronte përgjithmonë pjesëtar i forcave speciale. Në vitin 1991 u përzgjodh nga reparti 326, për të qëndruar si truprojë personale i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Antoni qëndroi si truprojë e parë pas Nanos edhe kur ai u largua nga kryeministër, por vazhdoi të ishte kryetar i Partisë Socialiste. Kur Nano u arrestua nga qeveria e presidentit Berisha në qershor 1993, Antoni vazhdoi ta merrte rrogën edhe për 6 muaj të tjerë si truproja personale i kryetarit socialist. Kolegët e Gjergjit e kujtojnë atë si një njeri shumë të aftë, mjaft i përgatitur fizikisht dhe ushtarakisht, si një njeri që merrte zjarr në çast por tepër besnik. Besnikërinë ndaj liderit socialist Nano, ai e tregoi edhe gjatë burgosjes së tij. Antoni punoi pa pagesë dhe shoqërisht për të siguruar familjen e shefit të tij për vite me radhë. Ai pati pasoja për këtë punë që bëri duke u arrestuar disa herë, madje qëndroi me ditë të tëra në burg vetëm pse ishte shoqërues i familjes së Nanos. Antoni ishte ndër të parët që e priti liderin e majtë Nano kur doli nga burgu. Por këtë radhë Gjergji qëndroi shumë pak kohë pas kryeministrit të ri të vendit.

 

PARALAJMËRIMI

Fatmir Haklaj kishte rënë në gjurmë të Anton Gjergjit qysh përpara se të plagosej më 4 gusht 1999. Atentati me mina të telekomanduara ia mbushi mendjen top Haklajt, se pas autorëve fshihej një ekspert tepër i përgatitur. Sapo u lirua nga spitali i Burgut në fundin e shtatorit, Fatmiri u kërkoi njerëzve të tij të mbanin nën vëzhgim specialin nga Puka. Qysh nga ky moment Gjergji ishte në listën e Haklajt. Ai e nuhati rrezikun dhe e shtoi vigjilencën. Babai i tij Lazri kujton: “Antoni nuk kishte pasur kurrë shqetësime por nga mesi i muajit tetor 1999 kishte vënë re disa persona që lëviznin me një makinë me targa të Bajram Currit, të cilët ishin duke e ndjek nga pas, por nuk na ka thënë se kush. Për Zotin Antoni është mundu, por s’ka arrit dot me i njohë. U ka rënë pas, por nuk i ndalte dot kush. Nuk e di në kanë qenë ata personat që e kanë vrarë Antonin. Pas kësaj ka shkuar te Ministri i Rendit Spartak Poçi dhe e ka vënë në dijeni për këtë fakt. Antoni i ka thënë se po e ndiqnin disa persona me një makinë me targa të Bajram Currit dhe kërkonte që të merreshin masa për ta mbrojtur ose ndryshe të merrte masa privatisht për t’i dalë zot vetes. Por s’e vuri kush ujin në zjarr për këtë shqetësim të tij dhe më pas ndodhi fatkeqësia”, thotë babai i Antonit.

 

FAMILJA

Babai i tij, Lazër Gjergji kujton: “Di që e kërkuan për të shërbyer si shoqërues i dytë dhe i tretë pas Nanos, por nuk pranoi. Ai kërkonte të ishte shoqërues i parë i tij dhe s’pranonte asnjë detyrë tjetër. Djali e ka dashtë fort Fatosin, e bënte be në krye të tij. Nëse do të më jepej mundësia qoftë dhe një herë të vetme ta takoja Nanon, do t’i thosha se baba dhe nëna e Antonit kanë pas qejf të takohen njëherë. Me ditë se ku i ka lënë Antoni ata pleq. Qoftë, thjesht dhe me e pa njëherë me sy.

Për çdo polic të vrarë në Pukë, shteti ka çuar ministra a kryeministrin, ndërsa për djalin tim s’deshi me ditë kush.

Ne e kena zakon jo vetëm malësorët por dhe gjithë shqiptarët, nëse e ke shok apo dashamir nuk duhet t’i hedhësh poshtë ata”. 

 

(Vijon nesër)

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Si dhe pse vrasësit e Anton Gjergjit, truprojës së Fatos Nanos, vranë dhe studentin kosovar Nexhat Zyhon, kushëririn e Bujar Bukoshit.

-Akuza e policisë ndaj Haklajve si autorë të vrasjes së Anton Gjergjit dhe misteri i parave dhe pasurive të paluajtshme që kishte ish-truproja i Fatos Nanos.

-Ekzekutimi më 12 qershor 2000 i Salih Mulosmanit, babait të Jaho Mulosmanit në afërsi të kullës së tij në Bujan dhe sulmi i parë mbi kullën e Haklajve.

Share This Article
9 Comments
  • Antonin e kam njohur.Pa hyre ne lojerat politike qe e perdoren ate mund te them qe ka qene vertet djale trim,inteligjent,fjalepak edhe besnik.Kish lindur per bodiguard nga na fizike dhe nuk i dridhej qerpiku.Politika perdori shume djem te tille per hesap te saj dhe i beri te humbin jeten dhe te harrohen.

  • Efekte të luftës civile në Shqiperi,shperthyer per pushtet personal nga Sali Berisha!Nano,ka treguar dhe nje herë papergjegjshmerine e tij morale,duke mos ngushelluar dhe takuar familjen e bodigardit te tij personal!Edi Rama duhet te deklaroje fundin e luftes civile duke cuar para drejtesise se munguar,Sali Berishën!…Kam njohur nga afër të shquarin dhe te ndritshmin drejtues te policise,vrare tmerresisht ne Durres,të paharruarin Gani Malushi!Ne dite të vështira të Shqiperise,ndofta ishte oficeri i policisë me i pakorruptuar dhe me i ndershmi në vendin me luftë civile ende te paperfunduar!Lufta civile perfundon kur prangoset dhe ndeshkohet Sali Berisha dhe banda e tij kriminale në panik!

  • EEEE H O GANO CTE TE SHKRUAJ ME PARE O SHOKU IM I DASHUR BISEDOJE HAPUR ME MUA DHE QE NE ATE KOHE ME TOSHE NE KOFIDENCE ,,,I MIRI NUK HA BUKE DHE VERTETE SHOKU DOLI FJALA JOTE ,,,,,CTE SHKRUAJ PER TY I PA HARURI IM ,BURERIA JOTE ESHTE SHKROJTUR ME SHKRONJA TE ARTA ,,TE VRANE ATA QE QE MBRONJE O TRIM TE HENGREN NE TE PA DY VETA ,KANIBALET E POLITIKES SE RUGES TE ASAJ KOHE I PA HARUAR PER JETE SHOKU IM I DASHUR

  • O stafi vendosni pjesen e sotme tè historis se na cat veshet me zgjedhjet .dakort fitoi e majta jeta vazhdon prandaj publikoheni vazhdimin e historise se haklajve

  • antoni ishte burre trim por su tregu i zgjuar per veten e vet mire ashte se tani qe ato jan vdekur ti lem te prehen te qet keshtu si bejm edhe nej muhabet per jeten tone kush jena neve antoni ishte burre dhe pukjanet jan trima

  • E kam njohur nga afer Antonin,kemi qen bashke ushtar ne 326,biles me nje toge,kur e kam mar vesh per vrasjen me ka ardhur keq shum,nuk e di!!!! ka qen cun i paster,cun trim me zemer i pa djallezuar,po politika nuk donte njerez si Antoni,po do njeres kurva si jan politikanet te behesh llastik,dhe ai nuk i kishte keto veti

    • Kur nuk zbardhet e verteta,cdo gje eshte hamendje.Populli thote:
      “Ku ka ze nuk eshte pa gje”
      Interesant duket fakti i lidhjes te Gjergjit me Perparimin.Kam frike se GJURMET TE COJNE NE QELE.
      Duket hapur ,qe vellai i Perparimit GENJEN NE SHKRIMIN PER TOP!
      Me vlere do te jete thenia e Mulosmanit!

  • Ai ishte yll i bukur. Do e kisha zili ate kosovarin qe u vra ate nate bashke me te, me te cilin kishte marredhenie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *