Rruga e Kombit do të bëhet me pagesë, pas zgjedhjeve të qershorit. Gazeta “Shqip” shkruan sot se Ministria e Transporteve do të nënshkruajë marrëveshje koncesionare me një kompani, e cila do të mirëmbajë rrugën, kjo kundrejt një kostoje për drejtuesit e mjeteve. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje duhej të ishte nënshkruar, por problemet për garancinë i kanë detyruar autoritetet për ta shtyrë firmosjen e saj. Megjithatë, nga ministria mësohet se “e sigurt është që rruga do të bëhet me pagesë në muajt e verës”.
Kompania fituese që do të marrë me koncesion Rrugën e Kombit për 25 vjet do ta marrë nën kontroll atë pikërisht në pikun e sezonit turistik, menjëherë pas përfundimti të zgjedhjeve.
“Projekti synon dhënien me koncesion të akseve Milot-Kalimash-Morinë, e gjatë afro 115 km, me synimin e mirëmbajtjes nga shoqëri private, kundrejt pagesës prej 5 eurosh. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka deklaruar më parë se, do të ketë prioritet ajo firmë private që aplikon në tender çmimin më të ulët të kalimit, pra 5 euro dhe nën të. Mirëmbajtja e rrugës, që ka kushtuar 1 miliard euro, ose sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto shikohet me mjaft shqetësim nga autoritetet vendase. Nga përllogaritjet e kryera, në bashkëpunim me konsulencën e IFC, rezulton se kompania që do të marrë rrugën me koncesion, duhet të investojë të paktën 80 milionë euro, jo vetëm për mirëmbajtjen, por edhe në vendosjen e sigurisë dhe mbledhjes së pemëve”, shkruan Shqip.