Gazetën Dita e lexojmë çdo ditë që nga dalja e numrit të parë të saj. I kemi lexuar të gjitha prononcimet e guximshme të Izet Haxhisë, po nuk mbahen mend të gjitha, gazetat grisen e nuk kanë jetëgjatësi. Kurse libri i Xhevdet Shehut është një thesar i paçmuar për shqiptarët sepse ka të gjitha ngjarjet, prapaskenat, mashtrimet e qeverisë në 1997. Ky libër me 340 faqe që u fut në bibliotekën time është një thesar me vlera shumë të mëdha për ne dhe për brezat që vijnë. Libri ka përmbledhur të gjitha ngjarjet e ‘97, ka artikuj për vrasjen e gazetarëve, politikanëve, zbardh atentatin dhe vrasjen e Azem Hajdarit. Po ta lexosh me kujdes librin deri në fund të gjitha tregimet e tij ngjajnë me Luftën NaÇl që bënë partizanët tanë për çlirimin e vendit në 1944. Dëshmitari i ngjarjeve është gjallë dhe me vendosmëri tregon përpjekjet që ka bërë ish kryeministri i asaj kohe për të eliminuar kundërshtarët politikë, si e si ta mbante pushtetin me grykën e pushkës në 1997. Në libër është edhe një rast unik që tregon se si Saliu bëri gati valixhen që të largohej nga vendi si Zogu. Bëra gabim, thotë dëshmitari, që e ndalova të mos ikte. Tani unë pyes: A është lexuar ky libër nga organet kompetente? Shteti kur vjen puna heton një njeri që s’ka asnjë dëshmitar, ndërsa libri me 340 faqe i ka ngjarjet konkrete, ka fakte. Organet e drejtësisë duan më shumë se kaq?
Letër e nënshkruar,
Luftar Kuka, Patos
