Paskal Andoni: Në tribunën e 1 Majit 1948 mbaja në shënjestër Mehmet Shehun, dyshonim se do vriste Enverin

redaktor

Dëshminë e rreshterit Ali Zylfo: Me urdhër të Koçi Xoxes, nga muaji prill deri në muajin tetor të vitit 1948 kisha për detyrë të survejoja dhe të mbaja shënime për personat që hynin e dilnin tek shtëpia e Mehmet Shehut.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Seanca e V-të e gjyqit ndaj Koçi Xoxes dhe katër bashkëpunëtorëve të tij kryesor të akuzuar për veprimtari armiqësore e trockiste kundër Partisë e popullit, vazhdon me dëshmitë e ish-punonjësve të Sigurimit e funksionarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme. Dëshmitari Paskal Andoni pohon se në tribunën e festimeve të 1 Majit 1948, ka qenë i ngarkuar dhe ka qëndruar pranë Mehmet Shehut, për ta mbajtur nën kontroll, pasi dyshohej se ai do të ekzekutonte Enver Hoxhën. Ndërsa rreshteri Ali Zylfo dëshmon: “Me urdhër të Koçi Xoxes, nga muaji prill deri në muajin tetor të vitit 1948 kisha për detyrë të survejoja dhe të mbaja shënime për personat që hynin e dilnin tek shtëpia e Mehmet Shehut”.

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën. Shokë gjyqtarë! Kërkoj që të pyeten ata dy oficerët që shërbenin pranë të pandehurit Koçi Xoxe në lidhje me alarmin që ky ka bërë me rastin e zbrazjes së një kobureje kur vrau veten Nako Spiro. Të thirren gjithashtu dëshmitarët Foni Qirko, Paskal Andoni, Strati Papaj, rreshter Ali Zylfo, të cilët do të deponojnë për censurimin e korrespondencës dhe për survejimin e udhëheqësve.

 

(Para se të procedohet në dëgjimin e dëshmitarëve të mësipërm, u lexuan tre telegrame që i kanë mbërritur gjykatës nga delegatët e Konferencave të Partisë së Punës të Shqipërisë të Korçës(rreth e qytet dhe të rrethit Rrëshen, me të cilat shprehet indinjata e thellë kundër trockistëve tradhtarë të popullit dhe të Atdheut dhe kërkojnë që gjykata të mos ketë aspak mëshirë për ta dhe t’u japë dënimin kapital)

 

Foni Qirko (Dëshmitar. Lindur në Zagorie më 1911, banues në Tiranë, nëpunës): -Unë di një rast të një letre frëngjisht të drejtuar Komandantit nga i burgosuri Enver Zazani, për të cilën më thanë ta përktheja. Por unë refuzova duke thënë se Komandanti e di vetë mirë frëngjishten. Më kujtohet gjithashtu se një letër po prej këtij të burgosuri që i drejtohej shokut Medar Shtylla, si dhe një letër a dy, që e kishte për të shoqen…

 

Koçi Xoxe: -Nuk kam gjë për të thënë.

 

Paskal Andoni(Dëshmitar. Lindur në Vuno më 1924, nëpunës): -Kur ishte shoku Tuk Jakova Ministër i Industrisë, ata të Sigurimit më kërkuan një shofer që të ishte informator i mirë, të cilin unë do ja dorëzoja Kleanthit. Në Sigurim kërkuam gjithashtu që të ndërhynim që të pushohej nga puna shoferi që kishte Tuk Jakova atë kohë. Në fakt, u ndërhy pranë personelit të Ministrisë së Industrisë dhe me pretekst se nuk kishte qëndrim të mirë, u pushua shoferi i parë. Dhe pas disa ditësh, pashë që shoferi i rekomanduar prej nesh, ishte marrë në shërbim pranë shokut Tuk Jakova. Di gjithashtu se me rastin e “Festës së 1 Majit” të vitit 1948, më është thënë që të qëndroja në tribunë pranë gjeneral Mehmet Shehut dhe të vëzhgoja se mos ky bënte ndonjë atentat kundër Komandantit(Enver Hoxhës).

 

Strati Papaj(Dëshmitar. Lindur në Koshovicë në vitin 1923, nëpunës):- Kleanth Andoni ishte përgjegjës për Sektorin e Sigurimit të Udhëheqjes në Drejtorinë e Sigurimit. Ky një ditë më tha se na duhet një shofer informator i mirë. Dhe ne, pasi e gjetëm, pas dy ditëve pashë që ky shofer ishte caktuar me shërbim pranë shokut Tuk Jakova. Për të pushuar shoferin e parë u gjet justifikimi se gjoja nuk kishte qëndrim të mirë, e për këtë, ndërhymë pranë zyrës së personelit të Ministrisë së Industrisë. Nga këto, kuptova se shoku Tuk Jakova survejohej.

 

Koçi Xoxe: -Nuk kam asgjë për të thënë…

 

Ali Zylfo(Dëshmitar, rreshter i policisë. Lindur në vitin 1924 në Bilisht): -Isha ngarkuar nga Drejtoria e Sigurimit që të mbaja shënime se kush hynte e dilte tek gjeneral Mehmet Shehu dhe raportin ja jepja Kleanth Andonit. Këtë detyrë e kam bërë që nga prilli i vitit 1948 deri në muajin tetor të vitit 1948. Isha shënuar si polic pranë gjeneral Mehmet Shehut.

 

(Mbi këtë shoku prokuror tha se heqim dorë nga ekspertët që kërkuan të dëgjohen para gjyqit, pasi kjo doli e sqaruar fare mirë dhe kështu nuk e shohim më të nevojshme të zgjatemi me dëgjimin e tyre).

 

Prokurori: -Për planin djallëzor, të të pandehurit Koçi Xoxe, për suprimimin e udhëheqësve duke i survejuar ata dhe duke kërkuar informata të çdo lloji, për t’i mposhtur ata, doli e qartë para gjykatës. Këtu u panë dosjet, u konstatua gjithashtu se korrespondenca e udhëheqësve censurohej. Por më lejoni ta bëj të qartë këtë me anën e një skice që do ta përshkruaj gjithë planin e tij kriminal.

 

Koçi Xoxe: -Nuk ka pasur asnjë plan, por kjo është një shpifje me katër brirë.

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri a ka dyshuar se kishte një grup kundërshtar në radhët e udhëheqësve dhe të personaliteteve?

 

Koçi Xoxe: -Nuk kam dyshuar që të ketë në Shqipëri një grup të tillë kriminal që të jetë kundërshtar.

 

Prokurori: -(Përshkruan me anën e një skice në mur në të cilën, të ndarë me grupe, përshkruhen emrat e personaliteteve që survejoheshin, nga i pandehuri Koçi Xoxe: Omer Nishani, Hasan pulo, Sejfullai, Qirjako Harito, Ymer Dishnica, Sami Baholli, Koço Tashko): -Si shpjegohet që nga ky grup përmenden tre veta në letrën kompromentuese që i është dërguar Ymer Dishnicës? Cilët janë atakuar në Plenumin e  8-të?

 

I akuzuari: -Këta janë: Enveri, Nako, Mehmeti, Liria, Bedriu.

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Pandi Kristo!

 

Pandi Kristo: -Ai ka thënë se edhe shoku Enver është në këto ujëra.

 

Prokurori: Atëherë kemi shokët: Enver, Bedri Spahiu që gjenden sipas Koçit në rrugën e oportunizmit me Sejfullanë.

 

Prokurori: -I pandehuri ka pranuar dhe këtë e ka deklaruar lirisht në procesin hetimor, se në ushtri ishte një grup oficerësh kundërshtarë i ashtuquajturi “Grupi i Kurveleshit”, disa prej të cilëve ndiqnin rrugën e Bedriut… Këta oficerë janë Tahir Kadareja, Spiro Moisiu, Shefqet Peçi, Qazim Kondi… Nga ana tjetër, trockisti Koçi Xoxe, u provua se ka pasur lidhje me agjenturën e jugosllavëve në vendin tonë: Me Tempon që në qershor të vitit 1943, në Odriçan e në Berat me Velimir Stojniçin erdhi koha e revizionimit në të cilën aty ndodhet një difensivë sulmuese dhe bën që të mos pranohet teza e Sekretarit të Përgjithshëm Enver Hoxha. Erdhi pastaj Plenumi i 8-të para të cilit pamë se ishin dy akuzat e jugosllavëve. Nga Berati, Koçi Xoxe merr në dorë Partinë dhe nga ana tjetër merrte në dorë dhe Sigurimin. Kjo i duhej medoemos, se duke mos pasur me vete masat e popullit, donte të nënshtronte Partinë nëpërmjet Sigurimit. Paralelisht, me këto ky goditi shokët e udhëheqjes: Enverin, Nakon, Lirinë, Mehmet Shehun, goditi gjithashtu shokët Tuk Jakova, Bedri Spahiu, e të tjerë…

Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe me të cilët të burgosur është takuar?

 

Koçi Xoxe: -Me asnjë të burgosur nuk jam takuar.

 

(U këndua procesi në të cilin pohon se ka pasur takime me të burgosur)

 

Prokurori: -Çfarë keni për të thënë ju i pandehur Vaskë Koleci?

 

Vaskë Koleci: -Unë di që i pandehuri ka shkuar për t’u takuar me të burgosurit Salim Kokolari, Uan Filipi, Tefik Deliallisi, Pandi Furrxhi.

 

Prokurori: -Del nga proceset dhe këtë gjë e ka pranuar vetë i pandehuri Koçi Xoxe, se ky është takuar me këta të burgosur: Faik Shehu, Salim Kokolari, Pandi Furrxhi, Uran Filipi, Kost Boshnjaku, Hasan Reçi, Tefik Deliallisi, Mestan Ujaniku, Islam Radovicka, Anthim Konomi. Përse ka vajtur tek këta, – ose tek ndonjëri të ketë dërguar ndihmësit e tij më të ngushtë – është interesant të dihet materiali që ka kërkuar të nxirret prej tyre. Salim Kokolari kërkonte të takohej me Nakon ose me Bedriun, mundësisht edhe me Komandantin, Enver Hoxhën.

 

Prokurori: -Çfarë keni për të thënë i pandehuri Vaskë Koleci?

 

Vaskë Koleci: -Kur doli Koçi nga pyetja e Salim Kokolarit, i pandehuri Koçi më tha se nuk kishte treguar gjë, porse duhet të dijë mbi të mëdhenjtë.

 

Prokurori: -Çështja është se i pandehuri Koçi Xoxe ka dyshim edhe për Sekretarin e Përgjithshëm dhe nuk është vetëm puna e Bedriut. Salim Kokolari njihej më mirë me Komandantin dhe me Nakon, e jo me Bedri Spahiun dhe i duhej material kompromentues për Enverin dhe Nakon…

Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe se çfarë procesesh me rëndësi janë zhvilluar në vendin tonë?

 

Koçi Xoxe: -Ato që dihen.

 

Prokurori: -Atëherë, shokë gjyqtarë, “ato që dihen” janë: Grupi i deputetëve, grupi tekniko-intelektual dhe një grup spiunësh. Dihet nga ana tjetër se ata që ishin goditur nga Partia kanë qenë: Sejfullai, Ymer Dishnica, Dali Ndreu…

Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci se a dolën nga këto procese emrat e këtyre personave të goditur nga Partia?

 

Vaskë Koleci(I pandehur): -Sejfullai ka dalë si Nënkryetar i organizatës tekniko-intelektuale. Në grupin e deputetëve ka dalë i implikuar Dali Ndreu. Gjithashtu del i implikuar nga Tefik Deliallisi në grupin e deputetëve edhe gjeneral Spiro Moisiu.

 

Prokurori: -Po ju i pandehur Vango Mitrojorgji?

 

Vango Mitrojorgji: -Kur erdha nga Bashkimi Sovjetik m’i dorëzoi këto Lefter Lakrori, i cili më tha se janë disa deklarata të rëndësishme që janë marrë nga të dënuar me vdekje. Pas Plenumit të XI-të, shoku Komandant(Enver Hoxha) kërkoi një raport për gjeneral Spiro Moisiun dhe e nxorëm nga dosjet e grupit të deputetëve.

 

Prokurori: -Çfarë keni për të thënë për këtë, i pandehur Koçi Xoxe?

 

Koçi Xoxe: -Nuk më kujtohet.

 

Prokurori: -Gjendemi pra para të goditurve nga Partia, të cilët dalin të implikuar në rrugë të Sigurimit në proceset e armiqve të popullit.  Përveç kësaj, vetë Koçi Xoxe shkon nëpër të burgosur për t’i takuar me qëllim që të nxjerrë informata të rëndësishme që atij i nevojiten…

Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe sa letra ka dërguar i pandehuri Anthim Konomi?

 

Koçi Xoxe: -Nuk më kujtohet.

 

(U kënduan deponimet e tij (të Koçi Xoxes) në procesin hetimor ku pranon se ka marrë prej Anthim Konomit dy letra)

 

Prokurori: -Megjithëse kjo është e qartë, kërkoj të thirret në gjyq rishtas dëshmitari Nesti Kerenxhi.

(Thirret dhe dëshmon në gjyq Nesti Kerenxhi)

 

Nesti Kerenxhi: -Anthim Konomi kishte dërguar një letër në të cilën thoshte gjëra të rëndësishme lidhur me sabotimet. Unë ja tregova Koçi Xoxes dhe ky më porositi t’i jepnim letër për të shkruar. Në letrën e  dytë Anthimi tregonte biografinë e tij dhe përmendte një rast se si kishte takuar shokun Nako në Itali apo në Francë, nuk më kujtohet.  Edhe letrën e dytë të Anthimit e mori i pandehuri Koçi Xoxe. Kjo, me sa më kujtohet, ka qenë në tetor të vitit 1947. Unë letrat Koçi Xoxes ja kam dhënë në shtëpinë e tij.

 

(Ju treguan dëshmitarit Kerenxhi shënimet e Koçi Xoxes në Byro dhe pohoi se janë të Koçit dhe se Koçi Xoxe, në një bisedë me sovjetikët  ka përmendur ekzistencën e një grupi kundërshtar si Omer Nishanin, Bahollin, Hasan pulon, Koço Tashkon, etj… Shkrimi në këto shënime që më tregoni, është i Koçit).

 

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:

-Prokurori në gjyq: Provat kundër të pandehurit Koçi Xoxe dhe materialet kompromentuese që ai i ka marrë Lari Postit për Enver Hoxhën, Nako Spiron, Bedri Spahiun e Mehmet Shehun.

-Pohimet e dëshmitarëve Xhevdet Kamberi e Pandi Dimashi për misteret e natës së vetëvrasjes së Nako Spiros dhe urdhrin që morën nga Koçi Xoxe.

-Dëshminë e Anthim Konomit: Si më vinin në qeli të dërguarit e Koçi Xoxes dhe më kërkonin dëshmi kompromentuese për drejtuesit e lartë të vendit.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *