Prof. Ksenofon Krisafi
Këto ditë ka dalë nga shtypi dhe është vënë në qarkullim vëllimi i dytë i librit të Paskal Milos, “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, 1939-1944”. Ai mban si titull specifik “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, II, 1943-1944,Të pathënat dhe enigmat”. Botimi i një libri për autorin është ngjarje. Por ai është ngjarje edhe për lexuesit dhe natyrisht edhe kolegët dhe miqtë e autorit. Me këtë ndjesi e përjetova daljen e tij edhe unë, veç të tjerash edhe sepse me autorin jemi kolegë dhe miq të hershëm.
Më erdhi ndërmend se rreth 50 vjet më pare, Paskal Milo, një djalosh me origjinë nga “Bregu”, kishte mbërritur nga Vlora në Tiranë, për të trokitur në derën e madhe të historisë. Do të fillonte studimet e larta në Fakultetin e Histori Filologjisë, në degën e Historisë, që e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

Njohja jonë nisi kur u caktua në sektorin e jashtëm të gazetës “Zëri i Popullit”, një nga dy tre gazetat kryesore të vendit, ku herë pas here unë botoja ndonjë shkrim në fushën e politikës së jashtme. Më tej rrugët tona do të afroheshin edhe më shumë. Ai ishte ministër i Punëve të jashtme në vitin 1998, kur unë u caktova dhe fillova punë si ambasador, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera me seli në Gjenevë. Komunikimet dhe kontaktet tona u shpeshtuan dhe u institucionalizuan, në interes të përmbushjes korrekte të përgjegjësive zyrtare me të cilat ishim ngarkuar. Por, cilido që të ishte pozicioni që patëm në jetë, të dy vazhduam rregullisht lidhjet me punën shkencore, akademike, publicistike, çka na jepte mundësinë që të njiheshim gjithmonë edhe me veprimtarinë kërkimore, shkencore e botuese të njëri tjetrit.
E kujtoj shumë mirë botimin e parë monografik të Paskalit, i cili i kushtohej pranimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mbante titullin “Fundi i një padrejtësie: rreth çështjes së pranimit të Shqipërisë në OKB”. E kishte përgatitur nën udhëheqjen shkencore të prof. Arben Putos për të mbrojtur gradën “Kandidat i shkencave”, çka e arriti me rezultatin shkëlqyeshëm. Do të pasohej më tej me shumë botime të tjerë, një pjesë e të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Midis tyre do të veçoja Të vërtetat e fshehura, Incidenti i Kanalit të Korfuzit, të cilën do ta konsideroja si një ndër arritjet e tij veçanërisht cilësore. Ndoshta edhe nga fakti se ai trajton një ngjarje shumë të rëndësishme të pasluftës, incidentin e Kanalit të Korfuzit, që e vuri Shqipërinë në “syrin e ciklonit”. Është libri që ka arritur ta trajtojë atë me kompetencë të spikatur historike dhe juridike. Mua, si specialist i së drejtës ndërkombëtare dhe njohës i historisë diplomatike të çështjes shqiptare, më befasoi pikërisht hyrja e tij në labirintet e ndërlikuara të procedurave dhe institucioneve juridiko-ndërkombëtare dhe përballimi gjithë kompetencë i gjithëçkaje që ka të bëjë me këto aspekte tepër të veçanta.
* * *
Veprat e historianëve të vërtetë, të mirëfilltë, siç është edhe rasti i prof. Paskal Milos, sjellin, kontribute për zbulimin dhe identifikimin e të vërtetave historike.Veçanërisht në këto kohë, kur nën pretekstin e rishkrimit të historisë, jo pak “guximtarë”, pavarësisht profilit profesional, ulen dhe shkruajnë “historinë” e gjyshërve, etërve, familjes, fisit, fshatit e më tej, sipas preferencave, interesave, kulturës, mentalitetit, orientimit politik, etj. Disa prej tyre falsifikojnë, përdhosin historinë dhe çorodisin mëndjet e njerëzve.
Krejt ndryshe nga kjo kategori shkruesish Paskal Milua, i formuar në shkollën historiografike shqiptare, të themeluar nga të mëdhenjtë Aleks Buda, Arben Puto, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Rexhep Qosja, Ali Hadri, Muin Çami, Kristaq Prifti, Selami Pulaha, Ligor Mile etj. eci me shumë sukses në gjurmët e tyre dhe ka krijuar një vepër të tërë, shumë të vyer historike.
Ai i takon brezit që e filloi veprimtarinë si studiues në kohën e regjimit monist, kur lënda e parë për të bërë histori censurohej paraprakisht dhe cungohej kështu deri në njëfarë mase kriteri i objektivitetit. Rënia e sistemit monist, për atë dhe shumë të tjerë, erdhi si një oportunitet për t’iu kthyer dhe riparë ngjarje historike, sjellje, qëndrime dhe kontribute personazhesh. I ndërgjegjshëm që historia nuk bëhet pa dokumentet origjinale burimore, ishte ndër të parët që përfitoi nga dalja jashtë vendit. Pati privilegjin të shfrytezonte arkivat e shumë shteteve, përfshirë edhe ato që patën role protagonisti në LDB, siç ishin SHBA, Britania e Madhe, ish Bashkimi Sovjetik-Rusia, Franca, Gjermania, Italia, fqinjët, për aq sa ka qenë e mundur, si edhe arkivat vendase etj. Bëri një punë të lodhshme dhe grumbulloi një material të pasur, voluminoz, mjaft të vlefshëm dhe me të dhëna të panjohura më parë.
Por nuk u ndal këtu, gjurmoi dhe vlerësoi edhe kujtimet e disa dhjetra pjesëmarrësve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe shkrime për këto çështje, të publikuara në shtypin shqiptar dhe të huaj.
I bindur se ato çka pasqyrohen në këtë kategori burimesh mund të kenë edhe një marzh relativiteti, për shkak të censurës dhe autocensurës së kohës së shkuar ose të prirjeve individuale nga ana e disave për protagonizëm, për glorifikimin e vetvetes dhe të njerëzve të tyre, është munduar të operojë duke parë gjithëçka me ftohtësi dhe sy kritik, duke i gjykuar të krahasuara me njëra tjetrën. Është shtuar kështu ndjeshëm shkalla e objektivitetit, që, së bashku me nivelin e lartë të kompetences profesionale, ia ka rritur së tepërmi vlerat librit “Shqiptarët në uftën e Dytë Botërore, II, Të pathënat dhe enigmat”, të cilin lexuesi mund ta ketë në duar këto ditë.
Në parathënien e tij autori thotë ndër të tjera se “Projekti që mori udhë para shumë vitesh për të shkruar një histori të shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, me botimin e këtij vëllimi të dytë mund të quhet i kryer. Vepra të tjera janë shkruar e do të shkruhen për këtë temë që vazhdon të mbetet ende shumë tërheqëse për lexuesit shqiptarë. Brezat e rinj shqiptarë nuk e përjetojnë këtë histori me atë gjallëri dhe me ato emocione si paraardhësit e tyre. Është e njohur, koha i relativizon ngjarjet dhe e bën gjykimin e tyre më të matur e objektiv. Mendjet e militarizuara e me barut të thatë në gojë, për fat të mirë, janë pakësuar shumë dhe në llogoret e vjetra të luftës verbale kanë mbetur vetëm ushtarë që nuk e kuptojnë kohën që jetojnë.”
Megjithëse në përgjithësi jam i një mëndjeje me autorin, mendoj se sidoqoftë ka ende disa që nuk janë vetëm ushtarë të cilët nuk e kuptojnë kohën që jetojnë. Shfaqen vërtetë në rolin e ushtarëve, por misioni i tyre është ai që iu është caktuar nga strategët e kohëve të shkuara, si dhe etërit, gjyshërit ose stërgjyshërit e implikuar në veprimtari antikombëtare. Gjithçka bëhet me shpresën e krijimit të situatave konfuze që, nën pretekstin fals të rishkrimit, historia të shtrembërohet, të mohohet.
Rishkrimi është i dobishëm, madje i domosdoshëm, por duhet bërë duke i qëndruar besnik të vërtetës. Shtrembërimi përbën mëkat, dëmton formimin e brezave, iu mohon mundësinë për ta njohur historinë me vërtetësinë dhe paanshmërinë që duhet ta karakterizojnë.
Këta “ushtarë” në pamje me role dytësore, të ngarkuar nga “strategët” e vet, ndodh që të spekulojnë edhe me autoritetin e ndonjë organi shtetëror të shndërruar në institucion të censurës politike. Vërehen raste tentativash për të manipuluar faktet, për të fshehur realitetet, zhvillimet e ngjarjeve, rolet, karakteret dhe kontributet e personazheve, për të spekuluar nëpërmjet përzgjedhjes arbitrare të dokumenteve, ndërhyrjes në përmbajtjen e tyre ose nxjerrjes së mesazhit jashtë kontekstit kohor dhe hapësinor.
Pikërisht se si duhet vepruar për të identifikuar të vërtetën ose për t’iu afruar asaj sa më pranë, në një nga temat më delikate, më të debatura dhe ndoshta edhe më të komplikuara, siç është Lufta Nacionalçlirimtare, ndihmon libri i profesor Paskal Milos.
Ai shërben edhe si model metodologjik që tregon se si duhet operuar me burimet arkivore e bibliografike, me kujtimet e njerëzve, me shtypin dhe akte të tjera rastësore.
* * *
Spektri i interesimit shkencor të prof. Milos është i gjerë. Nis nga ngjarje, zhvillime dhe personazhe të botës shqiptare dhe kapërcen përtej saj, kur aty zbulon “lëndë të parë” që i shëben për misionin e tij, shkrimin e saktë të historisë së vendit të vet.
Nga pena e tij kanë dalë deri tani botime me vlera të shumta si “Fundi i një padrejtësie (Rreth çështjes së pranimit të Shqipërisë në OKB)”, “Shqipëria dhe Jugosllavia 1918-1927”, “Bashkimi Europian, Idea, integrimi, identiteti, e ardhmja”, “Kosova nga Rambuje në pavarësi”, “Ditari i një ministri të jashtëm. Konflikti i Kosovës 1997-2001”, “Të vërtetat e fshehura, Incidenti i Kanalit të Korfuzit”, “Politika e Jashtme e Shqipërisë”, “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore I, 1939-1943”, “Udhëkryqe shqiptaro-gjermane” dhe “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, II, Të pathënat dhe enigmat”.
Veprat e prof. Milos vijnë në vazhdën e arritjeve më cilësore të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj për zhvillimet në Shqipëri. Ato kontribuojnë për të thelluar studimin e çështjeve të caktuara, për t’u zgjeruar atje ku gjendet dokumentacion i pakonsultuar më parë, për t’i shqyrtuar dhe interpretuar ngjarjet dhe personazhet larg ndikimeve partiake, politike, nacionaliste etj.
Fondi burimor i shfrytëzuar për përgatitjen e librit objekt i këtij shkrimi është impresionues nga pikëpamja e numrit të titujve dhe e përmasave të materialit. Është dashur një punë e jashtezakonshme e karakterit tekniko-administrativ për gjurmimin, përzgjedhjen dhe administrimin, punë që zakonisht përballohet nga një aparat kompleks strukturash ndihmëse.
Libri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, II, Të pathënat dhe enigmat”, prestigjioz në përmbajtje, në vëllim e në paraqitje, i kushtohet një prej luftrave më heroike të shqiptarëve, që pati ndikime të karakterit epokal. Vitet 1943-1944, për të cilat flet autori, përkojnë me një periudhë relativisht të shkurtër kohore, por ato ishin vite kur betejat në frontet e Luftës së Dytë Botërore përcaktuan fatet e saj. Në Shqipëri ishin vitet e zgjerimit, organizimit dhe konsolidimit të Lëvizjes Nacional-çlirimtare, që do të vulosnin perspektivat e të ardhmes politike të shqiptarëve. Autori i ka pasqyruar ato në tërësinë e vet, të analizuara me hollësi, gjakftohtësi, ekuilibër dhe vërtetësi. Ka dhënë kështu një vepër serioze, gjithpërfshirëse, e cila për vlerat, risitë dhe konkluzionet që sjell, përfaqëson një skanim besnik të asaj çka ndodhi aso kohe në trevat shqiptare.
Në këtë libër si edhe në shumë të tjerë më përpara, antifashizmi i shqiptarëve dallohet i qartë. Është argumentuar dhe riafirmuar e vërteta e pakontestueshme, për karakterin antifashist të luftës së tyre, i cili shfaqet në kontributin dhe rolin e LANÇ-it dhe të Partisë Komuniste Shqiptare, pavarësisht ekceseve që mund të jenë vërejtur në raste të caktuara. Theksimi i kësaj të vërtete në këto kohë kur vërehen edhe shtrembërime merr vlerë për t’i qëndruar besnik realiteteve historike.
Me guxim është përballuar edhe trajtimi ndryshe i disa çështjeve të luftës dhe janë mbajtur qëndrime që përbëjnë risi. Përmes skrupulozitetit shembullor dhe rigorozitetit shkencor janë bërë interpretime në një mënyrë tjetër, të paanshme, për ngjarje e njerëz. Janë vënë në dukje vlerat, meritat dhe të vërteta që kanë qenë “harruar”, shpërfillur ose edhe deformuar. Ato kanë të bëjnë fjala vjen me angazhimin në luftë të disa formacioneve balliste, të prirur nga ideale atdhetare, pavarësisht politikës dhe qëndrimeve antikombëtare të një pjese të drejtuesve të tyre. Është një borxh që historiografia shqiptare ua ka atyre që lanë shtëpitë dhe familjet sepse kishin në zemër Shqipërinë, mendonin se luftonin për të.
Dallohet përnjëherësh ndryshimi ndërmjet mënyrës serioze se si trajtohen çështje kardinale të historisë nga profesionisti, që nuk bën kompromise me politikën dhe disa militantëve, bishta partiake ose pinjollë të kolaboracionistëve, etërit e të cilëve, dje në luftë, tradhëtuan interesat e vendit dhe u bashkuan me pushtuesit, kurse bijtë ose nipërit përpiqen sot t’iu pastrojnë baltën e historisë.
Paskal Milua me këtë libër, që vjen si monument i lavdisë së luftës partizane, ngrihet gjithë meritë e dinjitet dhe riafirmohet edhe një herë tjetër si historian i mirëfilltë, i palëkundur dhe si patriot, mbrojtës objektiv i vlerave madhore të atdheut të vet.
Autori nuk nguron të pohojë se, në ndonjë rast, në botime të së shkuarës, ndodhí, zhvillime ose personazhe, nuk shfaqen të plota sepse “mungojnë” ose kanë “humbur” dokumentet, disa prej te cilave mund të hidhnin dritë të plotë mbi të vërtetat reale. Këtë e thotë psh kur flet për kompromisin e Beratit, për bashkëpunimin partizano-gjerman, të cilin Balli Kombëtar e shfrytëzoi gjatë për të hedhur baltë mbi LANC-in. Të njëjtën gjë ka konstatuar edhe për mungesën e Procesverbalit të plenumit të I të KQ të PKSH, mbajtur në Helmës, në 15 maj 1944 etj. Megjithatë ai ka arritur që, nëpërmjet burimeve të tjera, të tërthorta, siç janë kujtimet e disa pjesëmarrësve ose edhe protagonistëve në ngjarje, artikuj nga shtypi etj. të plotësojë zbrazëti.
Autori flet gjerësisht për qëndrimet e aleatëve, veçanërisht të disa përfaqësuesve të misionit anglez përkundrejt Ballit, të cilët u ndodhën në vështirësi për shkak të bashkëpunimit të tij të hapur me pushtuesit gjermanë.
Një tjetër çështje me të cilën autori merret gjerësisht është Mukja. Prof. Milo, me materiale të reja si dhe me profesionalizëm ndihmon për të shkuar drejt të vërtetës. Ai trajton dhe sqaron edhe një tjetër çështje, atë të luftës civile.
* * *
Në gjykimin e ngjarjeve si dhe të personave të involvuar, autori ka adoptuar një qëndrim racional, realist, njerëzor. Besnik i këtij qëndrimi pohon se “mbishtresat që janë vendosur në rrjedhën e viteve gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në interpretimin e ngjarjeve e në vlerësimin e figurave historike e kanë deformuar natyrën e marrëdhënieve njerëzore.” Dhe, me shumë të drejtë, shpalos qëndrimin e vet që duhet të përshkojë trajtimin e historisë, duke pohuar se “përpara se të ishin fashistë, komunistë, ballistë e legalistë, shqiptarët ishin njerëz që i lidhnin shumë fije bashkë, të idenditetit e të historisë, krahinore, fisnore, familjare, shoqërore etj. Bindjet e ndryshme politike nuk mund të denatyrojnë në mënyrë ekstreme marrëdhënien njerëzore…”.
Ky këndvështrim i vënë në themelin e mënyrës së vlerësimit të histories, në kuptimin e ngjarjeve, personazheve, pjesëmarrësve, e ka relaksuar se tepërmi narativën, frymën, vetë historinë, e bën lexuesin të ndjehet komod, t’i shpëtojë stresit që shkaktohet nga betejat politiko-ideologjike, kaq shumë të zakonshme në politikën shqiptare.
Libri përshkohet nga një gjuhë korrekte, njerëzore në thelbin e vet, një gjuhë që nuk ngre barriera, nuk distancon njerëzit, por fton për pajtim, solidaritet, miqësi. Ai i trajton të gjithë si shqiptarë, pa hezituar të pohojë se ishte fakt që shumica e tyre u orientuan drejt, kurse një pjesë gabuan. Por në fund të fundit nuk mund të mohohet se të gjithë ishin shqiptarë, bij të kësaj toke.
Lexuesi provon ndjesi lehtësimi kur sheh fjala vjen që, në urdhërin e ditës së komandantit të shtabit të qarkut të UNÇL, Nexhip Vinçani, shkruhet “shtrini dorën, ftoni për bashkim ballistin e ndershëm” ose kur mëson propozimet për bashkëpunim që komanda rajonale e Ballit Kombëtar të zonës së Korçës, i bënte Shtabit të Brigadës së Parë të UNÇL ose propozimet që vinin sërish nga Balli për bashkëpunim pas kapitullimit të Italisë fashiste dhe pushtimit të vendit nga divizionet gjermane. Siç thuhet në libër, ata deklaronin se qëllimi i tyre ishte që të shmangej lufta e armatosur mes palëve. Prandaj nuk munguan rastet e bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të të dy krahëve. Sepse ata ishin kundërshtarë politike, por jo armiq. Ai përmend takimin e Enver Hoxhës, ish-nxënësit të Liceut të Korçës, me mësuesin dhe me pas kolegun e vet, Safet Butkën, në 12-13 gushtin e 1943. Këtë ndjesi krijojnë edhe shtjellimi i disa raporteve të UNÇL me eksponentë të Ballit si fjala vjen me Hysni Lepenicën, Uan Filipin, Fuat Dibrën, Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, Faik Qukun, Thoma Orollogain, Isuf Luzajn etj.
Autori ka ekspozuar disa nga format ekstreme që merrnin ndonjëherë qëndrimet e “krahut tjetër” përballë këtyre nismave, pavarësisht motiveve nga niseshin. Tipik është rasti i Liri Gegës, e cila thoshte “ne nuk duam asnjë bashkëpunim në luftë, luftën e bëjmë vetë.” Por, duket se tjetër mendim kishte udhëheqësi i komunistëve, Enver Hoxha, i cili në Konferencen e Labinotit, në shtator të vitit 1943, deklaronte se pranohej bashkëpunimi, por nën ombrellën e Frontit Nacionalçlirimtar dhe vetëm në luftë.
Nëse të vërtetat thuhen siç janë, nëse ekspozohen episode që flasin pozitivisht për pjesëmarrës idealistë edhe në forcat ë balliste, siç bën autori i këtij libri, nuk do të thotë se përmbysen të vërtetat për Luftën Nacionalçlirimtare dhe aktorët e saj, ashtu siç nuk duhet menduar që Lufta do të bëhet më pak heroike, më pak e lavdishme dhe do të zbehen roli i atyre që e bënë ose e udhëhoqën. LANÇ-it nuk i humbasin vlerat as edhe meritat nëse pohohen takimet dhe bisedimet e drejtuesve të brigadave partizane ose të UNÇL me eksponentë të forcave balliste etj.
Duke ecur në këtë linjë, ai ka shkruar pa rezerva edhe për qëndrime ose ngjarje ekstreme të disa drejtuesve të njësive të UNÇL, të cilat, më parë ose kanë qenë relativizuar ose janë anashkaluar. Fjala vjen flet me keqardhje për pushkatimin e 65 robërve ballistë në tetor 1943, me urdhër të Mehmet Shehut ose për ekzekutimin, po në tetor te atij viti, të 110 karabinierëve dhe 20 oficerëve robër Italianë që mbaheshin në afërsi të Labinotit. Ato edhe pse te kryera nga elemente të veçantë dhe të dënuara nga drejtuesit e lartë të UNÇL, shërbyen ndonjëherë edhe si justifikime për ndarjen e madhe midis komunistëve dhe ballistëve dhe për bashkëpunimin e Ballit me gjermanët.
Autori shpjegon se për këtë, në ndonjë rast, ka shërbyer edhe qëndrimi ekstrem i disa udhëheqësve të FNÇ dhe të PKSH. Iu referohet letrave të Enver Hoxhës të 1 tetorit 1943, të cilat, sipas tij, e provokuan Ballin, që duke e menduar veten midis dy zjarreve, i trembur më shumë nga komunistët se sa nga pushtuesit, bëri gabimin e madh strategjik, historikisht fatal, duke u bashkuar me gjermanët.
Në libër afirmohet qartë ajo që është thënë se të gjithë synonin marrjen e pushtetit në mbarim të luftës, si forcat partizane, FNÇ-ja dhe PKSH-ja, që luftuan për çlirimin e vendit nga okupatorët fashistë, ashtu edhe aktorë të tjerë të skenës shqiptare të asaj kohe, gjithë turbulenca politike. Të parët me meritë sepse luftuan dhe sakrifikuan realisht dhe kontribuan duke u rrjeshtuar me Koalicionin Antifashist. Të dytët, u duk hapur se synonin vetëm rikthimin në zyrat e rehatshme të pushtetit që kishin lënë kur filloi lufta, të cilat disa prej tyre i rimorën sërish, shpejt, si shpërblim për bashkëpunimin me pushtuesit në luftë kundër partizanëve. Kjo është arsyeja pse ata mbetën në pritje ose ndërmorën vetëm disa akte simbolike në luftë, pa ndonjë peshë.
Një tjetër konkluzion i rëndësishëm, të cilin e sjell autori është se lufta e shumicës së shqiptarëve në krah të aleatëve të mëdhenj e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi pas lufte dhe i dha asaj prestigjin dhe kredon e duhur për afirmimin ndërkombëtar si shtet i pavarur.
Qëndrimi ndaj Partisë Nacional Zogiste, Legalitetit, u përshkua nga cilësimi i tyre prej Enver Hoxhës, si “hiç i madh”, megjithëse nuk ishin refuzuar propozimet që vinin për takime dhe bashkëpunim. Prandaj pati takime edhe ne nivele te larta, por pa rezultat. PKSH duket se mbante shënim për qëndrimin disaprovues të Legalitetit ndaj Ballit Kombëtar, madje edhe të rivalitetit ndërmjet tyre.
Një tjetër çështje që shfaqet me një pamje disi ndryshe është ajo e marrëdhënieve të LANÇ-it dhe forcave politike shqiptare me Koalicionin Antifashist të Popujve, misionet e tyre në Shqiperi, fqinjët etj. Drejtuesit e tyre, të vënë në vështirësi edhe nga qëndrimet kolaboracioniste të Ballit, u përpoqën pa sukses, të realizonin bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në kuadrin e një fronti të përbashkët antifashist.
Përpjekjet e anglezëve të konsultuar edhe me amerikanët për të krijuar një Komitet Kombëtar Shqiptar jashtë shtetit, në vend të një qeverie në mërgim, që u kundërshtuan nga Enver Hoxha, nën justifikimjn se ato ishin tentativa për krijimjn e një koalicioni midis FNÇ-së dhe reaksionit të zi, siç pohon autori. Befasues është edhe parashtrimi i ekzistencës së disa projekteve amerikano-britanike për pushtimin e Shqipërisë në mbarimin e Luftës së dytë Botërore.
Ai flet gjithashtu ndryshe nga sa është thënë më parë edhe për ndihmat në armatime, veshmbathje, ushqime etj që vinin nga aleatët, të cilat ndoshta mund të ishin më të shumta, por sidoqftë nuk duheshin mohuar.
Vijnë dëshmi plotësuese për sakrificat, vuajtjet madje edhe heroizmin e një grupi drejtuesish të LANÇ-it, forcave mbështetëse etj. gjatë Operacionit te Dimrit, që çoi në rrudhjen e FNÇ.
Trajtimi i asaj që autori e ka quajtur Ringjallja partizane, në kuadrin e rezistencës së pranverës 1944, por edhe të marrëdhënieve me aleatët, vijnë edhe njoftime për diskutimet që bëheshin në Londër, Uashington, Moskë etj për ndarjen e Ballkanit pas lufte, për të ardhmen politike të Shqipërisë dhe kufijtë e saj. Raportet e LANÇ-it me misionet aleate, veçanerisht me zyren e SOE ne Bari, ishin delikate dhe me episode acarimesh. Britanikët tregoheshin skajshmërisht prudentë për të mos pranuar në Bari një përfaqësi të saj, nga frika se mos ajo konsiderohej njohje zyrtare ose edhe ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.
Zhvillim i veçantë ishte ardhja e misionit amerikan në nëntor 1943, sepse, siç shprehet autori, “siguroi fillimin e një procesi realist të njohjes nga brenda të vendit.”
Informacionet, të dhënat dhe analizat e tij për përçapjet e bëra gjatë luftës nga qeveria kuislinge shqiptare dhe sidomos nga Balli për krijimin pas lufte të një federate shqiptaro-greke, janë befasuese. Ato zhvilloheshin paralel marrëdhënieve të forcave antifashiste shqiptaro-greke, ku autori i jep një vend të posaçëm çështjes çame, me ç’rast trajtohet gjithashtu pjesemarrja e popullsisë çame në luftën ndaj pushtuesve gjermanë etj.
Mbi bazën e burimeve të reja, të vështruara në një optikë realiste, të çideologjizuar, ai i kushton vemendje edhe aleances komuniste dhe antifashiste shqiptaro-jugosllave, duke u fokusuar posaçërisht te Kosova, një çështje sa e rëndësishme, po aq edhe objekt spekulimesh nga forca të ndryshme politike. Por, me të drejtë ai pohon se pavarësisht dilemave dhe përgjegjësive që mbeten mbi PKSH, për shkak të konjukturës dhe “krushqisë” me PKJ, nga pikëpamja strategjike ajo adoptoi një zgjidhje të drejtë. Vëmendjes së autorit nuk i ka shpëtuar edhe një nga çështjet më të rëndësishme siç është ajo e rënies dhe ngritjes së pushteteve, sikurse shprehet ai vetë. Edhe këtu trajtimi objektiv i ka dhënë vërtetësi shtjellimit të saj.
Janë prekur gjithashtu edhe acarimet në marrëdhëniet me aleatët, kur njësi të UNÇL kaluan Shkumbinin, “Rubikonin” shqiptar dhe hynë në përplasje me Abas Kupin, e cila u përjetua si sfidë ndaj Londrës. Edhe këtu ka burime, analiza dhe konkluzione me vlerë.
“Revolucioni qe ha bijte e vet” është një tjetër çështje, ku bëhet fjalë për luftën për pushtet në radhët e fituesve të luftës, në formën e “larjes së llogarive në prag të fitores”.
Ngjarje që nuk mund të mos binte në sy ishte ardhja në Shqipëri e përfaqësuesit sovjetik, “oficerit mistik”,majorit Ivanov, për çka autori ka sjellë jo pak të dhëna të panjohura më parë.
Duke shtuar pareshtur faqe dhe fakte, analiza dhe konkluzione origjinale, në librin e vet voluminoz “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, vol II, prof. Paskal Milo, i afrohet Epilogut të luftës, pasi ka “skanuar” qeverinë “Biçaku”, ka folur për zgjimin e vonuar të nacionalizmit, për të ka mbërritur më së fundi te mbledhja e Beratit dhe çlirimi i Tiranës.
* * *
U ndala disi gjatë në rreshtimin e këtyre çështjeve, të cilat i gjej si kontribute kryesore të veprës së prof. Milos. Nuk guxoj të pretendoj nëse ato dalin ose jo për herë të parë në publik. Por them pa ngurim se ato dalin nga pena e një mjeshtri të madh të historisë shqiptare dhe jepen në një sfond të gjerë dhe në një kontekst të plotë, duke u shfaqur larg qëndrimeve emocionale. Pozicioni i autorit në këto çështje më duket inert, neutral dhe objektiv, çka ndihmon në çlirimin e historisë së kësaj periudhe dhe të LANÇ nga vargojtë e panevojshëm ideologjikë. Ato ndihmojnë në kthjellimin e të vërtetave, në dezinfektimin nga indoktrimi i tejskajsshëm politik i historisë. Unë bashkohem me mendimin e shumicës së shqiptarëve që, pavaresisht nga ekceset e kohës së luftës që janë të papranueshme, të dënueshme, si edhe pavarësisht jo pak rasteve të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut që u vërtetuan pas lufte, LANÇ përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së shqiptarëve, që i rreshtoi ata në kahun e duhur, duke iu dhënë atyre një vend të merituar nderi në panteonin e historisë.
Nuk është e lehtë të marrësh kurajon të shkruash për “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, 1939-1944”, sidomos pas disa edicioneve të Historisë së Shqipërisë si dhe botimeve të tjera specifike. Nga kjo pikëpamje nisma e prof. Paskal Milos përbën një sfidë jo të lehtë, të cilën ai e mori parasysh dhe, i udhëhequr nga kritere rigoroze shkencore realizoi me shumë sukses një vepër ë me vlera të padiskutueshme shkencore, duke dhënë një kontribut madhor në trajtimin e kësaj periudhe plot lavdi të historisë së shqiptarëve.
Libri ka përfituar mjaft edhe nga ilustrimi me një numër impresionues fotosh, shumica e të cilave publikohen për herë të parë.
“Sfida e historianëve, thotë diku autori, është të përpiqen të rindërtojnë maksimalisht ngjarjen brenda një afërsie të pranueshme të së vërtetës historike me ato njohuri e dokumente që disponohen.” Pohon gjithashtu se “për autorin libri është jo vetëm kënaqesi, por edhe sfidë.”
Paskal Milua, i ka fituar me shumë sukses të dyja këto sfida.


Jam në krahun tuaj z. Krisafi, po kështu të z. Milo, por kam një vërejtje: z. Milo është një historian i mirë për çështjet e shek. XX. Në një emision televiziv është prononcuar duke deklaruar që Skenderbeu kishte nënën serbe, pa dhënë ndonjë dokument se ku bazohej!!! Nuk është në nderin e një historiani që të bëjë deklarata të tilla me opinione. E vërteta është që Vojsava nuk ishte serbe, por arbërore. Të ndrosh etnicitetin vetëm duke u bazuar në gjëra sekondare sikurse janë emrat, gjyha e folur, apo ndonjë çështje tjetër, nuk i bën nder historianit serioz. Të paktën hesht, kur nuk je i sigurtë, se kështu dëmton në vënd që të ndreqësh, ashtu si po heshtin historianët për kriminelin nazist Xhafer Deva. Pa dokumenta historiani është memec, përndryshe e ul veten në nivelin e opinionistëve.
hahahaha Shkrim per muzhike ne kooperativat bujqesore…atehere. Vetem ata qe kane ngelur…atehere…kane nevoje per fryme revolucionare nga keto palo libra.
Botojeni ne rusisht e serbisht, sepse muzhiket atje e mirepresin krahapur e ballin lart kete shkrim e libra.
Po normalisht qe nuk eshte shkrim per gomare si puna jote!
Vetem perseritja “rishkrim i historise “hedh poshte tere kete shkrim qe gati barazohet me dy “veprat”per te cilat flet!Nuk ka ,rishkrim historie , historia shkruhet dhe mund te plotesohet , me fakte te reja te panjohura me pare por asnjihere me interpretime faktesh te njohura! Historia nuk mund te rishkruhet sa here ndryshojne qeverit apo edhe sistemet shoqerore!Rishkrimi historise eshte permbysje e fakteve te njohura nga ata qe vijne ne pushtet!
Si nuk doli Nje Patriote Epirote tju tregoje vendin Osmanllinjve te vetequajturit qe detyrojne ta quajne edhe sot Qendren tone mijevjecare Kostantinopolis ne Stamboll.
Si mund te presin te ashtuquajturit Albanians te respectohen dhe te llogariten si Njerez kur mohojne figura Perandoresh Ilyre si Kostantinos i Madh dhe te Nderojne nje figure si Tereza qe ishte nje figure Fetare me prapavije politics ne nje vend Greke Orthodhokse para Osmaneve?
Si
Ardhja e Terezes me renien e Diktatures Komuniste ishte e planifikuar nga Papà i Romes dhe Italia fashiste me missionin te convertonte te Pa fete si ata me Identitet Myslimane dhe atyre Orthodhokse.
Si ka mundesi te ofendohet kaq shume ka popull i Lashte gjoja me Tituj “Nobel”?
A mund te ndodhte kjo ne Turqi?
Jo.Sepse nuk eshte nje shtet servil,i vogel,krenare per te qe eshte.
Do thote dikush qe jane pushtues si Serbet,Angleset ne Sh.b.a cifutet ne Palestine etj.
Kush pyet sot per Kombe dhe te Drejta Kombetare dhe Historike.
Imperializmi dhe Perendimi cuti ne Naton e “Papes” Turqine Islamike!
Sepse nuk kane Mirenjohje dhe Drejtesi per Kombin Greke te Ilyreve, Epiroteve,Maqedhonasve,Ioneve ku eshte sot Turqia.
Falemnderit i nderuari te nderuarve Pr.Ksenofor kristafi,sa na sillni kete shkrim BRILANT,me argumenta teper bindese,per kete aritie te Pr nderuar Historian e Politikan i ralle si PPr. Paskal Milo.
Si nje lexues i thjeshte,(nje jete MESUES),u mbrekulova, me shkrimin tuaj te rralle sa ANALTIK dhe, me vertetesi bindese, per lexuesin. Per moshen qe kam, 85 vite jete kaluar,nisur jeten ne ate LUFTE(8 vjecar ne perfundimin e saj), ne nje zone te Njohur si*DANGELLIA Naimjane*,(Bir i Zavalanitmfshat i mirenjohur nga Bijte etij atddhetare ),me keni mbrekulluar, sa rinuar,(edhe pse tej oqeanit),me shkimin e dhe argumentat tuaja,Ju vertet, nje nga kreret e Dipllomacise shqiptare, pas clirimit,arumentuar Vepren e Paska Milo .Ju faleminderi dhe mirenjohie.Nje jete me Ju dhe vepren tuaj, ne vite.
Me urimin *DITET NJEMIJE te DYVE*- ju.KREATYRA te PENAVE dhe drejtesise shqiptare,sa beni me ATDHETRIZEM, sa profesional…
*Pasuesi Veteran*85 vjecar,nga tej oqeani,me ne krah mbi 100 antare-te org sone,Shoke e shoqe kryesisht te rinj,emigracioni detyruar shpene,mes Torontos,qe e falenderojme shtetin Kanades, per trajtimin. VO. 5 komentuesve te mesiper,do ju sygjerroja,*KUJDES* sidomos ,komentuesit *Muza*qe drejt i drejtohe anallogu komentues*Rome*