Pasojat e prindërve që duan t’u japin gjithçka fëmijëve të tyre

J L

Shumë shpesh, është e natyrshme që prindërit të jenë mbrojtës ndaj fëmijëve të tyre. Kur një fëmijë është në telashe, mami dhe babi nxitojnë për ta shpëtuar. Por një qëndrim tepër mbrojtës nuk është gjithmonë pozitiv dhe shpesh ka pasoja në rritjen emocionale të fëmijëve dhe autonominë e tyre.

Roli i prindërve është të kujdesen për fëmijët e tyre, t’i mirëpresin por edhe t’i lënë të lirë në vendimet dhe gabimet që do të bëjnë. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të bëhen vërtet të rritur të përgjegjshëm. Sigurisht që prindërit duhet të mbështesin dhe motivojnë fëmijët e tyre, pa i zëvendësuar ata në zgjedhjet e tyre.

Të mirat dhe të këqijat e hiper-prindërimit

Hiper-prindërimi karakterizohet mbi të gjitha nga një fakt: prindërit duan të plotësojnë të gjitha nevojat e fëmijëve të tyre, edhe para se ata të lindin. Nga njëra anë, kjo sjell padyshim avantazhe : për shembull, kujdes në zgjedhjen e kopshtit apo shkollës fillore, të cilat ofrojnë mundësi të shumta dhe të ndryshme; vëmendje e veçantë që mund të kuptojë nëse ka diçka që nuk shkon .

Megjithatë, hiper-prindërimi shpesh çon në mani të tepruar për kontroll, në dëshirën për të zgjedhur më të mirën që mund të kenë për fëmijët e tyre. Është një prani që, për fat të keq, shpesh përfundon si ndërhyrëse, veçanërisht në nivelin psikologjik , dhe sigurisht që mund të shkaktojë më shumë dëme sesa përfitime. Të dy prindërit dhe fëmijët kanë gjasa të zhvillojnë ankth të rëndë, stres dhe parehati.

Fëmijët ndihen nën presion sepse do t’u duhet të përmbushin të gjitha pritshmëritë e prindërve të tyre vetëm për t’i “kënaqur” ata. Prindërit , tepër mbrojtës dhe të fiksuar pas kontrollit , jetojnë keq, shpesh janë të frustruar dhe të pakënaqur, me shumë ankthe dhe të paaftë për të përballuar me qetësi vështirësitë e realitetit, me dështimet e tij të pashmangshme.

Një rrezik tjetër është ai i krijimit të një marrëdhënieje shumë simbiotike,në të cilën fëmijët vështirë se do të arrijnë autonominë.

Hiperprindërimi mund të çojë në zhvillim të dobët të aftësive të kontrollit emocional dhe të sjelljes; në vështirësi në përballimin e situatave të vështira , për shembull në shkollë (ku mund të kenë një performancë më të ulët) ose në marrëdhëniet shoqërore me bashkëmoshatarët.

Efektet e hiper-prindërimit

Efektet e hiper-prindërimit janë të shumëfishta. Para së gjithash, doza e lartë e stresit që krijon tek fëmijët. Me dëshirën për t’i bërë fëmijët e tyre të përsosur, prindërit reduktojnë ndjeshëm hapësirën për eksplorim, gabime, kohën e lirë, mërzinë dhe zhgënjimin.

Ata nuk mund të jenë fëmijë, dhe kjo prek veçanërisht të vegjlit. Ata e dinë mirë se sa pritet shumë prej tyre. Një tjetër nga efektet e mëdha të hiper-prindërimit është ngecja e zhvillimit të autonomisë. Fëmija rritet me ndjenjën se duhet të drejtohet dhe të orientohet për gjithçka.

Është e vështirë për hiper-fëmijët të tolerojnë kritikat dhe ata ndihen të lënduar në shpirt nëse dikush i vë në dyshim. Është gjithashtu shumë e mundshme që ata të kenë frikë nga gjithçka: ata kanë nevojë për një dorë për t’i mbështetur, sepse nuk kanë forcë të mjaftueshme shpirti për të guxuar të ndërmarrin.

Arsyet pse prindërit posesivë duhet të bëjnë një hap prapa

Një studim i ri ka treguar se prindërit që rrinë ulur dhe i lënë fëmijët e tyre të mundohen të ecin vetë në rrugët e jetës janë më pak të stresuar sesa prindërit që duan të udhëheqin çdo hap të fëmijës.

Ekspertet nga Australia morën në studim një grup prindërish të regjistruar në një klasë prindërimi ku morën leksione rreth një metode të re të shkëputjes nga fëmija dhe treguan sa e efektshme ishte. Kjo metodë e ashtuquajtur ‘qasje respektuese’ i trajton fëmijët si njerëz të aftë dhe të pavarur si dhe u krahasua me teknikat e tjera të prindërimit.

Studimi tregoi se prindërit që e ndoqën këtë leksion një herë në javë për një muaj e gjysmë ishin dukshëm më pak të stresuar.

Mandy Richardson, pedagoge në Universitetin Edith Cowan, pjesë e studimit mori të dhëna nga 15 prindërit e regjistruar në klasat e “Qasjes Respektuese” dhe e krahasoi me një grup prindërish posesivë. Një herë në javë, prindërit dhe fëmijët e tyre ndiqnin një orë, ku të rriturit shikonin foshnjat ose vogëlushët të luanin në një dhomë me lodra të përshtatshme për moshën. Në fund të gjashtë javëve u mbajt një mbledhje për të vlerësuar se si të rriturit kishin konstatuar ndryshimin në metodat e prindërimit dhe ndikimin që kishte ai në shëndetin e tyre mendor. Prindërit në klasat e “Qasjes Respektuese” raportuan ndjeshëm nivele më të ulëta të stresit, me më shumë besim tek fëmijët e tyre.

Richardson tha që “Qasja Respektuese” ka të bëjë me ndërtimin e një lidhje të qëndrueshme me komunikim midis prindërve dhe fëmijëve.

“Pjesëmarrësit në studim treguan se shqetësoheshin më pak për performancën e fëmijëve pas ndjekjes së mësimit, gjë që i le ata të përqendrohen në marrëdhëniet e tyre me fëmijët,” tha ajo.

Ajo tha se “si prindër ne kemi prirjen të shkojmë dhe ‘të shpëtojmë’ fëmijët tanë kur po kalojnë diçka në jetë në vend që t’i lejojmë ata të përpiqen të zgjidhin vetë sfidat e tyre dhe nëse fëmijët nuk po kërkojnë ndihmë, mbase ata mund të lihen të bëjnë vetë gjërat e tyre.

Richardson shpjegoi se “Qasja Respektuese” ndihmon në krijimin e modeleve të mira në vitet e para, gjë që i ndihmon fëmijët për jetën e mëvonshme.

Prindërit posesivë u kushtojnë shumë vëmendje fëmijëve të tyre në përpjekje për t’i mbrojtur ata nga dështimi, refuzimi dhe dëmtimi. Ata duan fëmijë ‘të lumtur’ dhe shpesh besojnë se mësuesit duhet t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve të tyre në të njëjtën mënyrë.

Kjo qasje ka ngjallur polemikë, me disa ekspertë që argumentojnë se në mënyrë që fëmijët të përshtaten mirë, ata duhet të provojnë një gamë të plotë të emocioneve gjë që prindërit posesivë janë kundra dhe se duhet gjithmonë të jemi aty kur fëmija ka dhe problemin më të vogël dhe të zgjidhim çdo gjë.

Disa ekspertë thonë se kjo mund të çojë në fëmijë që nuk janë në gjendje të përballen me çështje edhe të vogla, pasi atyre asnjëherë nuk u jepet mundësia të dështojnë dhe pastaj të mësojnë nga gabimet e tyre.

Prindërit posesivë nuk e kuptojnë se ndikojnë në zhvillimin e fëmijës dhe rolit të tij në shoqëri, sipas ekspertëve.

Një studim ka zbuluar se të ashtuquajturit ‘Gen-Z’ (të rinj që janë të ndjeshëm, si flokë bore) individë të moshës 16 deri në 22 vjeç shqetësohen shumë më tepër kur ata kanë prindër posesivë të përfshirë në jetën e tyre.

Në një kohë kur të rinjtë e tjerë janë jashtëzakonisht ‘të lidhur dhe komunikues’ me prindërit e tyre, ata me prindër kontrollues janë më të shqetësuar për kapërcimin nga fëmijë në adoleshent apo kalimin nga adoleshent në të rritur.

Studiuesit e udhëhequr nga Universiteti i Misisipit anketuan 335 studentë që sapo ishin larguar nga shtëpia dhe kishin filluar arsimin e lartë në lidhje me marrëdhëniet e tyre me prindërit. Ata që prindërit e tyre u jepnin më pak pavarësi ishin më të shqetësuar për kalimin në universitet.

Mendonin për mbingarkesën, për faktin se do ta bënin çdo gjë vetë, paratë dhe nëse të tjerët do ti donin apo jo. Pra fëmijët me prindër kontrollues dhe posesivë e kanë shumë më të vështirë të përballojnë jetën kurdo që të jenë vetëm, sepse një ditë do të jenë.

****

“Për fëmijën tim bëj gjithçka!”, Lira Gjika shpjegon pse kjo shprehje dëmton fëmijën

“Për fëmijën bëj gjithçka”, këtë shprehje mund ta keni dëgjuar nga shumë prindër, por sipas mjekes pediatre Lira Gjika, kjo nuk është një deklaratë dashurie. Përkundrazi, tregon ndjenjë faji dhe paaftësi për të dashur. Ajo argumenton se prindi duhet të bëjë më të mirën për fëmijën dhe jo “gjithçka:. Ja ç’shkruan pediatria në statusin e saj:

“Për fëmijën tim, jam gati të bëj gjithçka”.

Këtë shprehje, të cilën kam një jetë, që e dëgjoj dhe, që më ka krijuar gjithnjë bezdi, dyshim dhe iritim, sot si profesioniste dhe si një njeri që kam mbi 60 vite mbi supe, i përgjigjem me përgjegjsi që nuk është shprehje, që tregon dashuri të madhe, por paaftësi për të dashur dhe ndjenjë faji. Një prind, sidomos një nënë, zgjedh për fëmijën e vet, të bëjë më të mirën dhe jo gjithçka. Ashtu siç zgjedh, ushqimet, veshjen, shampot dhe sapunët larës të rrobave, po ashtu, duhet të zgjedh si ta preki, si t’i flas dhe si të sillet me fëmijën, cila është gjëja më e mira për të.

Pra një prind, dhe sidomos një nënë nuk mund të bëjë gjithçka, por vetëm më të mirën, (natyrisht për aq sa e di të mirën), për veten dhe fëmijën e saj. Një prind, që bën një deklaratë të tillë nuk di të dojë me më të mirën e shpirtit. Ky prind apo prindër, veprojnë nëpërmjet ndjesive, pra sipas ngarkesës emocionale apo më saktë sipas ndjenjës së fajit, që për ta është bërë stofa për të njohur e “endur” të mirën. (Ka studime të plota që merren pikërisht me këto sjellje të prindërve.)

Kjo shprehje dhe shprehje të tjera të kësaj kategorie, nuk lejojnë të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme prind-fëmijë, pasi këto gjendje të prindërve ku ndjesitë luhaten vazhdimisht, te fëmija shkaktojnë frikë dhe pasiguri. Kur fëmija shikon dhe ndjen nënën, që grindet apo qan apo flet me pasion, trembet dhe mendon se është fajtori ai, fëmija. Prandaj ju nëna dhe baballarë, por edhe gjyshe e gjyshër, kujdes, nëse vërtet i doni fëmijët, bëni më të mirën për ta, dhe jo atë, që ju duket ju e mirë

Share This Article
1 Comment
  • Hiper prinderimi eshte më mire se hypo prinderimi, apo jo prinderimi.
    Shume femije sot, qe nuk kane kujdesin prinderor, shiojne ne shkolle pa mengjes. Kur jane ne adoleshence, per shkak se prindi, ose u ka dhene liri, ose nuk ka mundesi ti ndjeke, nuk shkojne fare ne shkolle. Ose mbas shkolle,perfshihen ne shoqeri te keqija, fillojne vese, pirje duhani e deri ne perdorim substancash.
    Edhe une si prind do doja mos e ndiqja femijen se ku shkon pas shkolle dhe e di se problemi nuk eshte femija im por ambienti aty jashte, qe ate, si i ri qe eshte mund ta coje ne rrugen e gabuar.
    Deri ne 18 vjec quhet femije, prandaj mos u japim atributet e te riturve dhe le te inkuranojme kujdesin prinderor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *