Një gusht i mbushur me mbytje në det dhe zjarre

redaktor

Temperaturat e larta me motin e paqëndrueshëm nuk kanë kaluar pa pasoja në vend. Pas një jave të zezë me 7 të mbytur dhe 16 të shpëtuar nga rojat bregdetare, dita e djeshme ka rikthyer edhe dukurinë e zjarreve. Gjashtë persona, mes tyre një fëmijë, u nxorën nga deti në kohë, teksa 2 po kurohen në spital në gjendje të rëndë. Ngjarjet ndodhën në bregdetin e Durrësit, Gjiri i Lalëzit. Kurse katër zjarre ranë në Fushë-Krujë, Tiranë dhe Berat, me pasojë plagosjen e një gruaje. Policia po kryen hetime për zbardhjen e tyre.

Berat

Një banesë është djegur plotësisht dje në mesditë, në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ndërsa mësohet se nga zjarri është asfiksuar një grua. Policia bëri me dije se gruaja 56-vjeçare është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas terapisë së mjekëve. Mësohet se ajo ka qenë e vetme në banesë në momentin e ngjarjes. Shtëpia është në pronësi të ish-drejtorit të Pyjores së Beratit, Sabri Zyka, gruaja e të cilit është edhe e dëmtuara. Banesa një katëshe, shtëpi private, në afërsi të tregut industrial, është parë në tym dhe flakë nga fqinjët që njoftuan policinë dhe zjarrfikësit. Gruaja është përpjekur të shuajë e vetme zjarrin fillimisht, por u asfiksua. Po hetohet për shkaqet e zjarrit të rënë.

Tiranë

Një zjarr i madh përfshiu katin e dytë të pallatit, një apartament që shërbente si klinikë dentare, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku banon dhe kreu i qeverisë. Banorët e pallatit kanë dalë menjëherë nga ndërtesa rreth orës 13:20, ndërsa zjarrfikësit kanë mundur të hyjnë duke thyer xhamat e jashtëm të klinikës dentare. Nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërsa flakët u lokalizuan brenda pak minutash. Dyshohet se shkak për flakët është bërë një shkëndijë elektrike.

Fushë-Krujë

Një mobilieri është djegur për herë të dytë brenda 8 vitesh në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Zjarri ra në zdrukthtarinë e mobilierisë së Agim Rryta, duke u përhapur më pas në ambientet e mobileve të reja.
Flakët e zjarrit mundën të shuhen nga 4 zjarrfikëse që mbërritën në vendngjarje nga Durrësi, Kruja dhe Kamza. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të shumta materiale. Policia po heton shkaqet e zjarrit dhe paraprakisht dyshohet për ndonjë shkëndijë elektrike në rrjet.

Në bregdet

Katër të rinj nga Tirana, dy prej të cilëve vëllezër, kanë mundur të shpëtohen nga efektivët e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në Gjirin e Lalëzit. Dy prej tyre kanë kaluar gjendje të rëndë shëndetësore pasi ishin asfiksuar nga uji dhe u dërguan në qendrën e Manzës për mjekim. Ngjarja ndodhi në orët e mesditës së djeshme. Të rinjtë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, po lundronin me një varkë, ku si pasojë e dallgëve të larta është përmbysur. Kurse në zonën e Borshit, një efektiv policie arriti të shpëtonte një fëmijë 5-vjeçar nga mbytja dhe një tjetër pushues mësohet se është shpëtuar në plazhin e Durrësit po dje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *