Festimet e 100 Vjetorit të pavarësisë kulmuan një dukuri që ishte rritur rrezikshëm kohët e fundit në trojet shqiptare, krahas krenarisë së ligjshme për identitetin tonë. Deri më pak se një vit më parë dukej se Shqipëria ishte disi indiferente ndaj saj dhe e kujdesshme në raportet me bashkësinë ndërkombëtare e shtetet fqinjë të rajonit. Por sot kjo dukuri duket se ka marrë forcë të madhe. Retorika e saj pompohet fuqishëm nga politika e ditës. Ndoshta pa kuptuar se po dëmtohen ngrehina ekonomike shumë të ndjeshme. Dhe pikërisht, parë në këndvështrimin e interesave ekonomike të Shqipërisë pasioni i fortë, praktikisht dalldia nacionaliste që e ka kapur një pjesë të politikës e të qeverisë shqiptare(madje deri tek personi i Kryeministrit të vendit, në bazë të disa deklaratave të tij të forta në vizitat dhe inagurimet e ditëve të fundit), mund të sjellë reperkusione ekonomike.
E para dhe më e dukshmja është humbja e vendeve të punës së emigrantëve shqiptarë në punët sezonale në Prevezë të Greqisë, nga afendikojtë e zemëruar grekë, prej deklaratave për Shqipëri etnike nga Preveza në Preshevë. Nëse vijohet me theksimin e nacionalizmit nga partia kryesore në pushtet sot në Shqipëri, për të fituar vota zgjedhore për qershorin 2013, rrezikohen edhe pritshmëritë pozitive të Bashkimit Evropian për statusin e vendit kandidat për ne. Kjo, pse fryrja e tullumbaces nacionaliste në një rajon si Ballkani është shumë shqetësuese dhe e rrezikshme për Brukselin. Nga ana tjetër, BE është treguar gjithnjë mjeshtre që me shkopin e asistencës ekonomike, në kuadër të zgjerimit të frenojë pasionet nacionaliste të qeverive të gadishullit tonë. Nëse shtyhet edhe për më tej statusi i vendit kandidat, ekonomia jonë rrezikon humbjen e rreth 240 milionë eurove ndihma gjatë vitit 2013.
Sot ndihma e BE-së nëpërmjet projekteve IPA(Instrumenti i para-Aderimit) është diku rreth 80 milionë euro në vit. Eksperienca e vendeve të tjera që kanë përfituar nga statusi i vendit kandidat tregon se me këtë status menjëherë katërfishohen fondet e BE-së, duke shtuar fondet strukturore të organizatës, ato që ndihmojnë thellë në projektet e infrastrukturës, në zhvillimin rajonal e atë agrar. Një tjetër pasojë me dëm për ekonominë shqiptare do të ishin raportet tregtare. Edhe pse këto raporte me Greqinë, për shkak të krizës në këtë vend fqinj, janë ulur, ato sërisht mbeten shumë të rëndësishme për ne. Mirëpo tregtia me Serbinë dhe investimet e këtij vendi ishin në rritje vitet e fundit. Nuk duhet të harrojmë se ekonomia serbe është ekonomia më e madhe e rajonit tonë. Nëse ftohen këto marrëdhënie të gjalleruara ekonomike me këtë partner, humbet e gjithë ekonomia jonë.
Jo vetëm ekonomia e Kosovës, por edhe ajo e Shqipërisë. Mes pasioneve nacionaliste që futen si plumba dum-dum në politikën ekonomike të shteteve përqark nesh, edhe projekti i gazsjellësit ITAP mund të vështirësohet. Dhe bëhet fjalë për një projekt që nëse realizohet, mund t’í sjellë Shqipërisë një fitim 100-150 milionë euro në vit, plus hapjen e qindra vendeve të punës.Të gjitha këto pasoja do të ishin një faturë, një kosto tepër e lartë për interesat ekonomike të çdo shqiptari. Nacionalizmi mund të paraqitet si një ëndërr e bukur, por që në fund të lojës të lë duarthatë. Bashkimi i trojeve tona dhe i ekonomive përkatëse mund të realizohet vetëm në kuadrin e tregut unik të Bashkimit Evropian. Çdo ide apo plan tjetër është thjesht aventurë. Dhe në kushtet e krizës së sotme të përgjithshme që ka kaplluar vendet e Eurozonës, të kërkosh aventura nacionaliste ekonomikisht është si t’ia shkrepësh kokës.