Kosovarët nderuan Sali Ram Berishën për naftën e dhënë në kohë lufte Serbisë dhe e bënë “Qytetar nderi!” Ata nuk harruan ta falënderojnë edhe për 400.000 Euro që i ka falur një fshati serb në Kosovë dhe e falënderuan posaçërisht për faljen e detit Greqisë. Plakat e “APF”, pas analizave shterues që i bënë filxhanëve, erdhën në përfundim se kjo falje do ta mbushë me mend Greqinë për ta njohur Kosovën dhe do ta bëjë të pashkulshëm Berishën.
Për t‘ i qetësuar atdhetarët, kryesisht ata që luftojnë për komb kosovar, Berisha u premtoi bashkimin në BEE. Ata e duartrokitën në mënyre të shfrenuar, sepse të gjithë e dinë, se kur bashkohet Kosova në BEE me Shqipërinë, menjëherë bashkohet edhe me Serbinë, me të cilën ekonomikisht është e lidhur më mirë se para lufte.
Madje, kryetarja e “APF” shtoi edhe këtë: “Shqiptarët do të digjen flakë, por Sali Berisha do krihet në pasqyrë!” Ky mendim është shumë shqetësues, por historia e maçokut me çizme nuk përfundon aty: Ai shtoi edhe këtë: “Europa po përjeton krizën, që kishte Shqipëria në vitin 1997.” Në vitin 1997 nga qeverisja e keqe e Shqipërisë, u mundësua vrasja e 2000 shqiptarëve. Në krizën europiane, që qenka si ajo shqiptare, nuk është vrarë askush, por Berisha u rekomandoi ta bëjnë, sepse vrasje të tilla, qetësuaka popullin më mirë se anestezia. Në fakt, ai nuk foli atje për t’ u marrë seriozisht nga opinioni publik europian, ai prej atje po i drejtohej shqiptarëve të Shqipërisë dhe pasqyrës së vet.
Ditën e ditëlindjes Sali Berisha pati vegime. Ç’ ka janë vegimet? “Diçka që na përfytyrohet në vetëdije pa e kapur me anë të shqisave; përhitje; përfytyrimi “ Gjatë atij vegimi, kishte bërë një dialog me Zotin. Në Gjermani kur dikush deklaron publikisht se komunikoi me Zotin, e dërgojnë në psikiatri, kush e thotë në Shqipëri, dërgohet në Kryeministri. Dallime tjera nuk ka. Njëri në spital, tjetri në politikë!
Ja si rrodhi bashkëbisedimi me Zotin duke cituar fjalët e fatmirit:” Unë do tu rrëfej ju, se momentin e misterit u pyeta, të shpreh 3 dëshira.” Dhe i kishte pasur të gatshme: Ja se çka është përgjigjur kryeministri:” 2 i pata në gojë, çfarë kërkova unë? 2 gjysma të tjera të viteve dhe mandateve.” E shihni? Nuk i kërkoi Zotit mirëqenie ekonomike për kombin dhe kthim të shqiptarëve nga emigracioni, por i kërkoi “dy gjysma të mandateve!”
Meqenëse Zoti ishte i gëzuar dhe po çmendej nga ekzaltimi për ditëlindjen e Sali Berishës, ai erdhi personalisht dhe nuk dërgoi ambasadorët e vet. Madje, në këtë ditë festive, harroi edhe të uriturit, të sëmurët nëpër botë dhe aterroi direkt e tek dylberi jonë për t’ ia plotësuar ca dëshira: “Cila është dëshira jote e tretë?”, pyeti Zoti me zë të lartë, duke e parë Sali Berishën ndërmjet syve. Ja se çka i tha pinjolli i oxhakut të Berishajve: “I thashë, ma lejo për vitin tjetër dhe u pranua”. Citati edhe një herë: “I thashë, ma lejo për vitin tjetër dhe u pranua.” Edhe këtu nuk i kërkoi Zotit diçka të mirë për kombin, e luti Zotin ta ndihmojë në shalimin e shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufirit.
APF (Akademia e Plakave me Filxhan) bëri publik këtë deklaratë: “Nuk rezulton askund se Saliu ka folur me Zotin. Në filxhan na shfaqet një qenie me brirë.” Ato janë të mendimit se Sali Berisha ka diskutuar me shejtanin, sepse në fakt, Zoti nuk i shfaqet njeriut para vdekjes, por vetëm pas, kur ta zërë pisk njeriun dhe kur nuk mund të ikën. Dada Hajrije, kryetarja e Akademisë së Plakave me Filxhan, dialogun me Zotin, e quajti blasfemi dhe kërkoi të ndiqet Kryeministri penalisht. Kjo kërkesë po shqyrtohet seriozisht në Bruksel.
Pra, siç shihet nga dialogu, Zoti i ka premtuar Berishës edhe një mandat, por jo falas. Ai i kishte thënë se do t’ ia mundësonte vdekjen Berishës edhe në atë karrige, por vetëm nëse kthen atë, domethënë Zotin, në himnin shqiptar, nga e kishte syrgjynosur Enver Hoxha. Kontrata dy palësh u nënshkrua dhe Berisha piskati: “Zoti dhe kombi shqiptar janë një.” Kjo len të kuptohet se Zoti, si edhe krejt kombet dhe gjuhët tjera, kanë origjinën shqiptare! Plakat mendojnë se do t’ i ndërtohet një përmendore Zotit në Shqipëri. “Se si duket ai, mund ta përshkruaj vetëm njeriu i parë në tokë, që bashkëbisedoi me të”, tha në mes të tjerash Dada Hajrije.
Sapo përfundoi bisedën shumë miqësore me Zotin, Saliu u ndalë para pasqyrës dhe bërtiti:
“Pasqyrë, pasqyrë në mur,
kush është më i miri burrë? “
Erdoani, Nikoliçi dhe Andonis Samaras u shfaqën në pasqyrë dhe folën:
“Mos u brengos Sali kurrë
Ti je kryelezeti o burrë!
Borëbardhën e kemi shtrirë për dhé
Rrofsh e qofsh së bashku me ne!
Shtatë xhuxhat janë fundosur në gjumë
Na shtrëngo o Sali, na përqafo sa më shumë…
NJE RAST KUR NJERIU MUND TE KETE NJE FARE TALENTI NE TE SHKRUAR POR KA MENDJEN E RRJEDHUR OSE TE PJE….