I thashë ‘lëre’. Ai më kërcënoi dhe më tha që, ‘ik se do të të vras’”… Kështu pohon për “Gazetën Shqiptare”, një nga pastrueset e hotelit ku dy ditë më parë 52-vjeçari nga Tetova, Agim Emini plagosi 21-vjeçaren me iniciale A.S. dhe më pas qëlloi veten. Flora B., e terrorizuar dhe ende me frikë për atë që ka përjetuar, rrëfen momentin kur ka gjetur në korridorin e hotelit, 52-vjeçarin që i mbante pistoletën në kokë vajzës nga Skrapari. “Nuk ndërhyra, se më kërcënoi”, – pohon Flora. Ndërkohë, nga ana tjetër, burime policore bëjnë me dije se dyshohet se vrasja ka ndodhur për shkak se 21-vjeçarja ka dashur që t’i japë fund lidhjes së saj me shqiptarin nga Maqedonia. Sipas grupit hetimor, 52-vjeçari Agim Emini ka kërkuar që vajza të shkonte ta takonte që ditën e parë që ishte vendosur në hotel, por vajza ka shkuar vetëm ditën që ka ndodhur ngjarja. Sipas policisë, dyshohet se studentja ka dashur që t’i japë fund lidhjes me 52-vjeçarin dhe mendohet se ka qenë pikërisht kjo arsyeja se pse ata janë zënë. Burime policore sqarojnë se 52-vjeçari dyshohet se nuk ka pranuar që të ndahet nga vajza, duke i bërë asaj presion me armën me të cilën pastaj e ka qëlluar në bark, dhe më pas, duke kujtuar se e ka vrarë, ka qëlluar veten në gojë. Emini ka ndërruar jetë vetëm pak minuta më pas në spital. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbulimin e ngjarjes, pasi ka dyshime të pavërtetuara se 21-vjeçarja ka punuar kohët e fundit në Maqedoni, edhe pse policia ka vërtetuar shumë hyrje-dalje të saj në kufi.
A e kishit parë më parë autorin e ngjarjes në hotel?
Po, e kisha parë, sepse kishte pesë ditë që rrinte tek hoteli ynë. Kishte ardhur edhe herë të tjera në hotel.
Ka qëndruar i vetëm këto ditë?
Po, unë e kam parë vetëm.
Po vajzën që u plagos, e kishit parë më parë?
Jo, nuk e kisha parë më parë. Ishte hera e parë që e shikoja atë ditë.
Po ditën e ngjarjes, ku ishte çifti?
Atë ditë, fillimisht çifti u ul për të pirë kafe jashtë. Ne nuk kemi lokal, por kemi vendosur një tavolinë. Ai burri kishte marrë një birrë, ndërsa vajza mori një lëng frutash. Aty jashtë ata dukeshin mirë, nuk vura re ndonjë shenjë të dyshimtë.
Po më pas, çfarë ndodhi?
Pas disa minutash vajza u ngjit lart. Pas saj shkoi edhe ai dhe pastaj dëgjova zhurma.
Çfarë dëgjuat konkretisht?
Fillimisht dëgjova ulërima. I dëgjoja që ata po ziheshin, por nuk ndërhyra sepse ishte çështja e tyre.
Sa zgjati e gjithë zënka?
Gjithçka ka ndodhur brenda 5 minutave. Në këto momente ka dalë vajza nga dhoma dhe ka kërkuar ndihmë.
Juve, ku ishit në ato momente?
Unë isha në katin e parë, por dëgjoja zhurmat dhe të bërtiturat e saj përgjatë gjithë korridorit, sepse Emini e ndiqte nga pas. Ajo nuk ndalonte e për pasojë ai qëlloi me pistoletë.
Po më pas, juve, u ngjitët lart?
Po, u ngjita të shikoja se çfarë po ndodhte, sepse plumbat më erdhën deri këtu poshtë në katin e parë. Kur shkova lart, burri e kishte kapur atë vajzën prej fyti dhe ia kishte vënë pistoletën në kokë. I kërkova që ta lëshonte, por ai më kërcënoi.
Çfarë ju tha?
Në momentin që e kishte kapur prej flokësh, i thashë që ta linte dhe të mos e qëllonte. Por, ai më tha të ikja se ndryshe do të më vriste.
Juve, ikët?
Po. Ika sepse pata frikë se ai do të më qëllonte, sepse ishte shumë i acaruar. U futa në dhomën që shërben për hekurosjen e çarçafëve të hotelit, mora bashkëshortin tim në telefon. Aty dëgjova edhe krismat e plagosjes së vajzës.
Po policinë, kush e lajmëroi?
Nuk e di kush e lajmëroi./gsh
Leave a Comment
