Pasuritë e paluajtshme, jo kontratë pa regjistruar lejen e ndërtimit

redaktor

Ligji nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, pëson ndryshime në nene të veçanta të tij. Neni 46 dhe 47 i ligjit pëson ndryshime të rëndësishme, e ku përcaktohet mënyra se si një objekt mund të jepet për ndërtim, apo rastet kur ndërhyn banka dhe e tjetërson pronën, kur ajo është vendosur garanci.

Konkretisht pika 2 e nenit 46 të këtij ligji formulohet kështu: “Leja e ndërtimit regjistrohet nga regjistruesi brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të saj.

Pas regjistrimit të lejes së ndërtimit, regjistruesi, sipas kërkesave të paraqitura nga personat e interesuar, regjistron në regjistrin e veçantë, në të cilin është regjistruar leja e ndërtimit, aktet noteriale, si dhe kontratat e sipërmarrjes/porosisë të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në   cilësinë e investitorit dhe pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale,   që përbëjnë strukturën që do të ndërtohet, bazuar në lejen e ndërtimit”.

Shtesa në ligj saktëson se “zhvilluesit e pronës apo pronarët e truallit nuk mund të lidhin kontrata sipërmarrjeje apo porosie pa regjistruar lejen e ndërtimit”. Në pikën 2 të këtij neni më parë thuhej se “pas regjistrimit të lejes së ndërtimit, regjistruesi, sipas kërkesave të paraqitura nga personat e interesuar, regjistron në regjistrin e veçantë, në të cilin është regjistruar leja e ndërtimit, aktet noteriale të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, në cilësinë e investitorit, dhe pronarëve të truallit apo blerësve/porositësve të njësive individuale, që përbëjnë strukturën që do të ndërtohet, bazuar në lejen e ndërtimit”.

Kur banka e tjetërson pronën

Një shtesë e rëndësishme ligjit i është bërë dhe në nenin 47, pas pikës 3 në të cilën thuhet se “pas regjistrimit të karabinasë, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të zhvillimit në cilësinë e investitorit dhe të subjekteve, me të cilat ky i fundit ka nënshkruar aktet noteriale, të përmendura në pikën 2 të nenit 46 të këtij ligji.

Regjistrimi i karabinasë dhe certifikatat e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri, sipas nenit 48 të këtij ligji”.

Kësaj pike të ligjit i shtohet rasti kur banka kreditore ndërhyn në ndërtimet që janë karabina. “Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një banke kreditore, dhe në regjistrin e veçantë nuk është regjistruar asnjë akt tjetër   noterial, ose kontratë sipërmarrjeje/porosie, sipas këtij neni dhe nenit 46, të ligjit, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e bankës, e cila ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri, vetëm për ato njësi ndërtimore që janë të lira dhe nuk kanë akte noteriale të regjistruara më parë.

Regjistrimi i karabinasë dhe    certifikatat/vërtetimet e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri, sipas nenit 48 të këtij ligji”. Kështu përcaktohet në ndryshimet e reja ligjore të bëra në këtë ligj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *