Pato akuzon Milanin: Më kuronin keq

redaktor

Alexandre Pato është një ndër futbollistët më në formë të kampionatit brazilian të futbollit dhe falë përshtatjes së shpejtë me lojtarët e tjerë të Sao Paolos si Kaka, Denilson, Ganso e Luis Fabiano është duke përfituar pikërisht klub paulist, që po i ngjit me shpejtësi shkallët në renditjen e përgjithshme. 25-vjeçari nga Parana i ngacmuar nga “Estadao” e Sao Paolos deklaroi se ndihet i kënaqur me veten, përsa i përket rendimentit në Kontinentin Europian.

Pato pa humbur kohë shfrytëzoi rastin për të thumbuar Milanin, klubin e tij të vjetër, të cilin ai e bëri përgjegjës për dëmtimet e shumta. Sulmuesi shpjegoi se në të kaluarën ka qenë vërtet i pafat me gjithë ato dëmtime, dhe sipas tij është e kuptueshme që me një shkallë kaq të lartë dëmtimesh nuk mund të kishte vazhdimësinë e duhur.

Pato konfirmoi se dëshira e tij asokohe ishte për të luajtur sa më shpesh dhe pa u dëmtuar e pikërisht për këtë arsye ai preferoi që të rikthehej në kampionatin brazilian. 25-vjeçari refuzon në mënyrë kategorike gjithë komentet e bëra nga mediat e ndryshme italiane që dikur e cilësonin atë si tepër të brishtë, e që dëmtohej qoftë edhe duke ecur. Ai rrëfeu se gjatë kohës që dëmtimet nisën të përsëriteshin gjithmonë e më shpesh bëri gjithçka iu kërkua, por procesi i riaftësimit nuk po shkonte siç duhej.

Sipas tij disa dëmtime ishin fryt i sforcimit të tij për të rikuperuar sa më shpejt, si dhe dëshirës së madhe për të luajtur, megjithatë ai nënvizoi faktin se kurrë nuk ka patur dy dëmtime të rënda identike, pavarësisht spekulimeve të shumta të mediave italiane. Alexandre Pato vazhdoi intervistën e tij duke theksuar se filloi të ndihej mirë nga momenti që u shpërngul në Brazil dhe brenda një jave ishte gati për të luajtur. Sulmuesi që ka zhvilluar 27 ndeshje me përfaqësuesen shtoi gjithashtu se ishin të shumtë ata që mendonin se problemi i vërtetë ishte ai vetë, megjithatë sipas tij ishin gjithë analizat dhe kontrollet mjekësore që vërtetuan më së miri se procesi i riaftësimit ishte kryer keq, madje deri në atë pikë sa për ta penguar atë që të luante.

Të vetmet fjalë të mira Pato i ruajti për presidentin e Milanit Sivio Berlusconi, për të cilin deklaroi se ishte sjellë përherë njësoj me të dhe e ka bërë të ndihet shumë mirë, pak a shumë në të njëjtën mënyrë siç edhe trajton që të gjithë të tjerët në atë klub. Për Berlusconin ai shtoi se është një njeri tepër i veçantë ndaj të cilit ushqen shumë respekt, pasi ishte pikërisht ai që e transferoi në Itali.

Pato gjatë intervistës i lidhi vështirësitë e fillimit me Corinthiansin me problemet taktike, gjithsesi pasi u transferua te “Timao” në vitin 2013 për 15 milionë euro ai nuk pati një sezon pozitiv, ndërsa te Sao Paolo sidomos pas kthimit të trajnerit të famshëm Muricy Ramalho ai është përshtatur më së miri dhe pas ngjitjes në vendin e dytë, 7 pikë larg kampionëve në fuqi të Cruzeiros, Pato shpreson shumë që të rikthehet për të luajtur sërish me përfaqësuesen e vendit të tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *