Edhe pse fundjavë, grupi parlamentar demokrat përmes kryetarit të tij Astrit Patozi ka shfrytëzuar rastin për ti bërë sërish apel opozitës për kalimin e tre ligjeve për integrimin.
Në një deklaratë për mediat Patozi shprehu gadishmërinë e mazhorancës për diskutime në cdo moment, por siç theksoi ai, zgjidhja më e mirë është diskutimi në Parlament, duke mirëpritur cdo sugjerim dhe amandamet nga opozita lidhur me tre prioritetet.
Patozi ka ironizuar edhe debatin mes dy kampeve lidhur me festimet për 100 vjetorin dhe nderimet e figurave historike, ku deklaroi se goditja më e madhe për këtë 100 vjetor do të ishte bllokimi i integrimit të vendit dhe jo fakti nëse nderuam më shumë Ismail Qemalin apo Mbretin Zog.
“Mosvotimi i ligjeve do të ishte goditja më e rëndë për 100 vjetorin. Askush s’do të na gjykojë si e nderuam Ismail Qemalin apo si e festuam 100 vjetorin e pavarësisë, por se cfarë bëmë ne në funksion të integrimit të vendit.Vetëm kështu do nderonim realisht 28 nëntorin” tha Patozi.
Seanca parlamentare e së enjtës u mbyll pa miratuar tre projektligjet e vendosura si kusht nga Brukseli për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Shpresa e fundit mbetet arrijta e një konsensusi përmes negociatash deri në 19 nëntor, pasi afati i vënë nga Brukseli skandon një ditë më pas.