Kur Ismail Qemali, i cili u bë më pas i pari kryeministër i Shqipërisë, valëviti flamurin nga ballkoni i shtëpisë ku u mblodh Kuvendi i Vlorës më 28 Nëntor 1912 dhe shpalli pavarësinë e vendit, ai e kreu këtë akt mbas një udhëtimi të gjatë dhe mbasi kishte siguruar mbështetjen nga Austro-Hungaria.
Austria dhe fqinjët e saj në juglindje
Austria ka patur një traditë të gjatë në vendosjen e lidhjeve politike e miqësore me rajonin e Ballkanit, si dhe një të kaluar plot ngjarje të rëndësishme me Perandorinë Otomane. Duket se kërkime të thella shkencore lidhur me fqinjët e saj në juglindje, herët a vonë, do të bëheshin të pashmangshme. Në shekullin e 18-të, Perandoresha Maria Tereza e vlerësoi rëndësinë që kishte Lindja e Mesme përsa i përket marrëdhënieve tregtare dhe politikës së jashtme, prandaj themeloi në Vienë “Akademinë Orientale”, e cila u bë institucioni kryesor europian në këtë fushë. Vecanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, çështjet e Ballkanit u kthyen në një detyrë të përditshme për diplomatët dhe burrat e shtetit të asaj kohe, aq më tepër për arsye se Perandoria e Habsburgëve ishte shtrirë thellë në juglindje. Më tej, zbulojmë arsye krejt specifike përse njohja e vendeve të Ballkanit kishte rëndësi shumë të madhe për Austrinë dhe përkatësisht për Austro-Hungarinë (d.m.th. monarkinë e dyfishtë Austro-Hungareze gjatë periudhës 1867-1918).
Gjatë shekujve, Perandoria Otomane dhe Austria kanë patur konfrontime të forta me njëra-tjetrën, madje si pasojë e tyre Viena u rrethua dy herë, konfrontime këto që sollën nënshkrimin e disa marrëveshjeve në shekujt e 17-të dhe 18-të të cilat i jepnin Austrisë të drejtën të ushtronte patronazh kulturor ndaj banorëve katolikë në territoret Otomane. Nga fundi i shekullit të 19-të, këto marrëveshje shiheshin si një mundësi për të ndërhyrë në rajonet në juglindje të Monarkisë dhe, po ashtu, të pengonin vendosjen e Fuqive të huaja në bregun lindor të detit Adriatik.
Është krejt e qartë që angazhimi i mëvonshëm i Austro-Hungarisë kërkonte një ekspertizë të gjërë, ndaj është vështirë të mendosh se ka patur ndonjë shtet tjetër në Europë që ta njihte Ballkanin, e sidomos Shqipërinë, më thellë sesa Austro-Hungaria. Në shekullin e 19-të, gjejmë shumë emra që duhen përmendur për atë kontribut që dha secili prej tyre e që siguroi mbështetjen që Austro-Hungaria i dha Shqipërisë dhe më vonë shpalljes së saj si Shtet i pavarur.
Emra të shquar në ndërtimin e Shtetit Shqiptar
Zakonisht, emri i parë që duhet përmendur është Johan Georg fon Haan (Johann Georg von Hahn; 1811-1869). Ky diplomat austriak konsiderohet si themeluesi i studimeve për Shqipërinë. Gjatë qëndrimit të tij në Janinë, ai u njoh me vendin, mblodhi informacion dhe filloi të mësonte gjuhën.
Teodor Ipen (Theodor Ippen; 1861-1935) ishte një tjetër studiues e diplomat austriak që zhvilloi një veprimtari të dendur në Shqipëri. Ai kishte studiuar në “Akademinë Orientale” dhe shërbeu për disa vjet në Konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër, ku u caktua Konsull i Përgjithshëm më 1900. Më pas shërbeu në Londër, ku edhe ishte pjestar i Konferencës së Ambasadorëve. Ipen është autor i disa monografive mbi historinë e hershme dhe etnografinë e Shqipërisë së Veriut, me fokus të vecantë tek periudha e Mesjetës. Më 1912, Ipen skicoi një hartë etnografike të trevave shqiptare nën Perandorinë Otomane. Këtë hartë do ta përdorte më vonë delegacioni austro-hungarez në Konferencën e Ambasadorëve lidhur me vendimin për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë. Falë saktësisë që i karakterizon, shumë nga veprat e tij historike, etnografike dhe arkeologjike, e ruajnë rëndësinë e tyre edhe sot e kësaj dite.
Alfred Rapaport Riter fon Arbengau (Alfred Rappaport Ritter von Arbengau; 1868-1946), i cili ndoqi “Akademinë Orientale” në Vienë dhe mori kështu arsimin e nevojshëm për të shërbyer në Ministrine e Punëve të Jashtme, është konsideruar si njëri nga njohësit më të mirë të Lindjes e sidomos të Shqipërisë. Në Mars 1893, ai u caktua në Shkodër, ku në Tetor të vitit 1895 u emërua Zëvendës-Konsull duke pasur si titullar z. Teodor Ipen. Këtu filloi të mësonte gjuhën shqipe dhe u bë një ndër ekspertët kryesorë për çështjet e Shqipërisë. Është thënë se Ministri i Jashtëm, Konti Leopold Bertold, e kishte këshilltar të rëndësishëm për çështjet e Ballkanit. Kur Princ Vidi shkoi në Vienë, Shkurt 1914, bashkë me T. Ipen dhe Talocin (Thallóczy), Alfred Rapaport ishte duke ndihmuar Ministrin Bertold me njohuritë e thella që kishte si ekspert përkatës. Më 15 Mars 1916, Perandori Franc Jozef e nderoi me urdhër kalorsiak për shërbimet ndaj Atdheut. I dhanë të drejtën të zgjidhte për veten një titull dhe ai zgjodhi von Arbengau, që lidhej me emrin latin Arbanum e me të cilin quhej rajoni i Shqipërisë së Sipërme.
Mandej, meqë po flasim për Austro-Hungarinë e rrjedhimisht edhe për Hungarinë e sotme, duhet të përfshihen edhe emrat e të sipërpërmendurit Ludvig fon Thaloci (Ludwig von Thallóczy; 1854–1916), historian austro-hungarez që konsiderohet si babai i studimeve hungareze për Ballkanin, si dhe Baroni Franc Nopça (Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás; 1877-1933).
Rruga drejt pavarësisë dhe caktimi i kufijve të Shqipërisë
Midis viteve 1909-1911, në Shqipëri ndodhën kryengritje të ndryshme lokale. Në Mars të vitit 1911, disa fise katolike filluan një kryengritje të përgjithshme në zonën e Malësisë, në Veri të Shkodrës. Duke ushtruar funksionin e avokatit për banorët katolikë të asaj zone, bazuar në marrëveshjet që Austria kishte nënshkruar me Perandorinë Otomane, Austro-Hungaria ndërhyri pranë Portës së Lartë dhe kërkoi që t’i jepej fund shtypjes së fiseve katolike. Në këtë pikë të historisë, mund të thuhet se mbështetja austro-hungareze nuk shtrihej si mbështetje për mbarë Shqipërinë, por tashmë nuk ishte vështirë të parashikohej që Ballkani po ndryshonte. Një shembull konkret në këtë drejtim na e jep Konsulli i Austrisë Lipih fon Lindburg (Lippich von Lindburg), i cili punoi për 24 vjet në Prizren e në Shkodër dhe që qysh në vitin 1877 kishte rekomanduar përkrahjen e shqiptarëve kundër lakmisë së fqinjëve për zgjerim territorial në kurriz të Shqipërisë.
Megjithatë, Austro-Hungaria e mbështeti Shqipërinë në disa zona të ndryshme. Influenca e Austro-Hungarisë nëpërmjet klerikëve dhe përgatitjes së mësuesve, nën moton “Shqipëria për shqiptarët”, solli krijimin e një elite të vogël për shtetin që po lindte dhe ishte një përpjekje e rëndësishme që u ngjalli shqiptarëve një lloj të ri besimi në vetvete.
Ndërkohë, në fillim të shekullit të 20-të, Perandoria Otomane nuk mundej ta mbante edhe më tej pushtetin e saj në Ballkanin Perëndimor. Dobësimi përfundimtar do të vinte me shpërthimin e luftës kundër Italisë në Shtator 1911.
Si rrjedhojë, më 1912 plasi Lufta e Parë Ballkanike dhe Ballkani Perëndimor përjetoi një ndryshim shumë të shpejtë të rendit politik. Ushtria e Perandorisë së dobësuar Otomane u dërmua nga Aleanca Ballkanike dhe intelektualët kryesorë shqiptarë arritën në përfundimin se Austro-Hungaria mund të ishte i vetmi mbrojtës potencial i interesave të tyre. Duheshin ndërmarë veprime para se Shqipëria të ndërronte duar nga njëri pushtues tek tjetri.
Ismail Qemali shkoi në Vienë e Budapest që të siguronte përkrahje diplomatike dhe u takua me Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontin Bertold. Së paku qysh nga kjo kohë e më pas, mund të thuhet se Austro-Hungaria i dha një mbështetje të gjërë Shqipërisë, përkatësisht gjithë shqiptarëve.
Ndërsa viti 1912 po i afrohej fundit i ngarkuar me konfuzion e trazira, në Londër u mblodh Konferenca e Ambasadorëve, ku Austro-Hungaria u përfaqësua nga Konti Mensdorf-Pujli-Ditrihshtajn (Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein). Austro-Hungaria kërkoi që “Asnjë territor i banuar vetëm nga shqiptarë nuk duhet t’i jepet ndonjë shteti tjetër, ndaj Shqipëria duhet të jetë autonome dhe me mundësi për t’u zhvilluar”. Duhet shënuar se përsa u përket raporteve nacionale në Shqipëri, asnjë delegacion diplomatik në Konferencë nuk kishte informacion më të saktë sesa delegacioni austro-hungarez. Kjo u bë e mundur në saje të njerëzve si Teodor Ipen, i cili i kishte furnizuar pjestarët e këtij delegacioni me informacion shumë të saktë.
Ndonëse duhej gjetur një kompromis dhe Fuqive të tjera u duheshin bërë ca lëshime, Austro-Hungaria u paraqit si mbrojtësi i interesave legjitime të shqiptarëve. Kriza në Ballkan arriti një pikë kulmore kur mbrojtësit Otomanë ia dorëzuan qytetin e Shkodrës trupava malazeze, të cilët ndoshta donin të dilnin para Fuqive ndërkombëtare me një fait accompli. Më në fund, trupat malazeze u urdhëruan të tërhiqeshin dhe u vendos që Shkodra të ishte pjesë e Shtetit të ri shqiptar. Kur në Maj të vitit 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës dhe trupat e huaja u tërhoqën, kufijtë e Shqipërisë ishin përcaktuar. Sado që më e pakët në shtat nga sa donin shqiptarët dhe Austro-Hungaria, Shqipëria më në fund kishte zënë vend në hartë si një shtet i pavarur, i aftë të rrojë e të përparojë.
*Autori studion Zhvillimet Ndërkombëtare në Universitetin e Vienës, Austri. Si fitues i një internship-i nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë, autori ndodhet në Shqipëri prej katër muajsh i atashuar pranë Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe po punon për t’u njohur më gjërësisht me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Përktheu për DITA nga gjuha angleze në shqip: Arben P. Latifi