Pavarësia Sopa, e cila lindi në minutën kur u shpall Pavarësia e Kosovës, kërkon kushte më të mira për nxënësit e shkollës së saj, karrige të reja, dollapë për t’i vendosur librat…
Ka lindur tetë vjet më parë dhe tani shkon në klasën e dytë në fillore. E rritur mjaftueshëm për ta kuptuar se emri që mban lidhet me Ditën e Pavarësisë së shtetit të saj.
Pavarësia Sopa, po arrin të kuptojë se atë ditë ishte fëmija më me fat, pasi emri i saj i pari u shënua në Kosovën shtet, por jo dhe aq me fat tetë vjet pas kur Kosova po numëron dështimet si shtet.
Ajo kërkon nga Qeveria që të ketë një shkollë për të dhe nxënësit e Kosovës, ku fëmijët kanë kushte për të mësuar, nuk rrezikohen nga të ftohtit në klasë, kanë karrige të reja për t’u ulur, banka, dollap për të vendosur librat…, që sot jo vetëm shkollës ku shkon Pavarësia, por dhe shumë të tjerave në mbarë vendin iu mungojnë.
E do shumë flamurin e Kosovës
Fëmija i parë i lindur në Kosovën shtet po pret me padurim të festojë ditëlindjen e tetë. Në ditën kur Kosova mbush tetë vjet si shtet i pavarur, në fshatin Sllovi të Lipjanit mbush tetë vjet dhe vajza me emrin Pavarësia.
Ajo lindi në Repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) në minutën e njëjtë kur Kosova u shpall shtet më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës. /GE/