Mavraj uron Shqipëri të bashkuar, Etrit Berisha dëshiron botërorin si dhuratë për gjithë shqiptarët
Në të ditën më të madhe të shqiptarëve, pikërisht në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, kur edhe “Google” në respekt të ndjenjave të një kombi shfaqet me një sfond ku spikatin simbolet kombëtare shqiptare, nuk mund të mungonin urimet e trajnerit dhe futbollistëve të përfaqësueses kuqezi, që shfrytëzuan si të mundnin komunikimin nëpërmjet rrjeteve sociale për të ndarë emocionet me të gjithë shqiptarët në këtë ditë jubilare të krijimit të shtetit tonë.
Një urim i thjeshtë dhe mjaft i sinqertë vjen nga trajneri Xhuzepe De Biazi për ditëlindjen e 100-të të shtetit të shqiptar. Nuk mund të mungonte në këtë ditë historike për kombin shqiptar një koment i kapitenit Lorik Cana, që si gjithmonë krejt origjinal, shfaqet me nota nacionaliste: “Ka 100 vjet që ka ardhur Liria, ku ka ma mirë se Shqiptaria”.
Dashurinë për Shqipërinë, në një moment shumë të veçantë për të gjithë bashkëkombasit e tij, e shpreh edhe Hamdi Salihi, i cili ndodhet në kontinentin amerikan tek skuadra e DC United.
Mërgim Mavraj, kapiteni i Greuther Furth në Bundesligën gjermane, shpreson që në shekullin e dytë të jetës së shtetit shqiptar të vijë edhe bashkimi i madh i kombit, duke përqafuar divizën e tifozëve kuqezi, “Një komb një kombëtare”.
I veçantë është edhe urimi i portierit Etrit Berisha, i cili në faqen e tij në Facebook uron gjithë shqiptarët për festën, duke dëshiruar t’u jepte atyre si dhuratë kualifikimin në botërorin brazilian.
100-vjetorin e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë ua uron edhe Debatik Curri si dhe të tjerë pjesëtarë të kombëtares kuqezi, të cilët kanë zgjedhur pikërisht rrjetet sociale për të ndarë emocionet e kësaj ditë të shënuar me të gjithë tifozët e Shqipërisë.
Urimet e kuqezinjve
Xhani De Biazi
Auguri Albania! 100 anni d’Indipendenza!
Mërgim Mavraj
Shpresojmë që ta fillojmë këtë shekull të ri me punë më të madhe për bashkim! Urime vllaznën e motra!
Hamdi Salihi
Uroj të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen GEZUAR 100-Vjetorin e Pavarësisë. SHQIPERI TE DUA!
Lorik Cana
Ka 100 vjet që ka ardhë Liria, ku ka ma mirë se Shqiptaria.
Etrit Berisha
Nuk besoj se do të kishte dhuratë më të mirë për gjithë shqiptarinë se kualifikimi në Kupën e Botës dhe ne do mundohemi ta realizojmë këtë ëndërr me të gjitha mundësitë dhe përkrahjen tuaj… Urime festa e kalofshi një ditë të paharrueshme!
Samir Ujkani
100 vjet, gëzuar Shqipëri!