Kleanth DEDI
Gjirokastra të lë pa gjumë. Aty i gjen të gjitha. Me ato që ka mbi të, e ato që ka nën vete, në histori. Se ja, psh, të vesh sot në Bashte të Teqesë, ku bëhej pazari i vjetër, nuk gjen asgjë, por ai ka qenë vendi më i bujshëm, më mbresëlënës, ku kryqëzoheshin kulturat e zonave për rreth, por edhe më gjerë të Labërisë dhe të të gjithë Jugut.
Bashteja e Teqesë, që fshatarët e quanin Llonxha, në vitet para çlirimit dhe vitet e para të çlirimit ishte rreth 50-100 m mbi Qafën e Pazarit. Pazari aty bëhej çdo të hënë dhe të premte, por sidomos të hënën pazari ishte plot dhe i përmblidhte të gjithë. Nuk bërtitej e nuk bëheshin thirrje të zëshme nga shitësit. Malli “fliste” vetë. Ambalazhi të thërriste që larg t’i afroheshe. Frutat ishin në ato shporta prej xunkthi që i prodhonin ata të buzëlumit. Fiqtë bulëzonin mjaltë, ishin të porsa këputur nga dega. I kishin vendosur shtresa-shtresa. Një shtresë gjethe fiku e tjetra fiq, dhe mbi fiq prapë gjethe e mbi gjethe prapë fiq e prapë gjethe, e kështu derisa nxinte shporta. Manat e bardhë, e sidomos ata të kuq e larash, që ishin edhe më të ndijshëm, ishin vendosur në enë që edhe po të goditej, manat brenda nuk e ndjenin shtypjen, nuk shtrydheshin. Bulmetin që kakot e Lunxhit e kishin të paktë e sillnin në disa bragaçë të kallaisur brenda e jashtë. Kërc bragaçi e kërce e pastër e zonja që shiste atë gjalpë e djathë erëmirë. Bulmet me shumicë: gjalpë, djathë, gjizë, gjizë kaçupi, uler, por edhe kafshë të imta e të trasha sillnin lebërit. Napat e tyre me djathë vareshin në degët e pemëve përreth. Qari i blerësve e merrnin me më pak hirrë. Në treg s’kishte rrëmujë. Shitës e blerës ishin seriozë e korrekt. Malli shihej me sy, por edhe provohej. Lebërit kishin të tyret hanet në zonën pranë teqesë, por vinin edhe në hanin e Stavros, atë Bame Kores, të Hasan Xhaferrit, Hani i Hidaj në krye të Varoshit ishte i lunxhiotëve. Hidajt p.sh. kishin bërë edhe krushqi me Lunxhërinë; kishin marrë vajza, por edhe kishin dhënë. Shitësja nikoqire i kishte marrë masat.
Me thikë të pastër priste një copë dhe pa e prekur me dorë ia servirte blerësit. Kështu bëhej edhe me gjalpin, gjizën, mjaltin e sende të tjera ushqimore. Për të tjerat si fiqtë, rrushi etj. fruta nuk bëhej qameti të merrnin nga një kokërr sa për t’i provuar. Kjo ishte faza e parë, përcaktimi i cilësisë. Pas kësaj bëhej pazari për çmimin. Tani kishte diskutim: jo aq, po kaq. Ishte i natyrshëm dhe i drejtë diskutimi se në fund të fundit Pazar ishte dhe secili shihte leverdinë e tij, por në ndershmëri e seriozitet ishin realistë. Pala shitëse nuk abuzonte me vlerën dhe cilësinë e mallit të saj. Edhe ajo që e blente nuk e shante apo nënvlerësonte mallin, që të përfitonte ulje çmimi. Këto marrëdhënie të sinqerta ndikonin edhe në lidhje miqësie midis fshatarëve shitës dhe gjirokastritëve blerës. Krijoheshin myshteri të qëndrueshme me interes për të dy palët.
Edhe qytetarët shesin
Në tregun fshatar shisnin edhe qytetarë, sidomos gra të moshuara. Ato shisnin bizhuteri, suvenire, orendi karakteristike, veshje, enë bakri e fajance, abazhurë e llamba që vareshin, sixhade persie, mangall, vegla muzikore, si organo e gramafonë, dylbi, por edhe takëme luftarake si pisqolla të qëndisura me ar, shpata, qostekë për mbajtjen e orës, kallamarë boje etj. Këto tregonin klasën e mbajtësve e të përdoruesve, marrëdhëniet e tyre me shtetet ku kishin luftuar apo punuar. Ishin sende e orendi që tregonin standard, kulturë, mënyrë jetese e marrëdhënie të ndryshme. Shumë nga ato, në mos të gjitha ishin me etiketa, disa edhe me stema dhe emblema që tregonin firmat prodhuese, datën e të tjera indikacione me interes studimor. Pra, atyre familjeve të hershme e të mëdha sa më shumë t’u afrohesh e të rrëmoje në sepetet, sergjenët e hatëllat e tyre siç bënte muzeologu i nderuar Lefter Dilo, aq më shumë vlera do t’u gjeje. Por për një mijë arsye ndodhte edhe kështu që pinjollë të atyre fiseve apo familjeve i sillnin vetë në treg, ato relike dhe i shisnin për hiçmosgjë.
Fshatarët shisnin, por edhe blinin…
Fshatarët në tregun e Gjirokastrës ishin edhe blerës. Kur shkonin në qytet, synonin të shisnin prodhimet e tyre për të fituar diçka. Me ato do të porosisnin artikuj që nuk i kishin në fshat apo krahinën e tyre. Lista ishte e gjatë, por ata mendonin për më të domosdoshmet: drithë (pjesa më e madhe e fshatrave të rrethit) nuk e prodhonte ose prodhonte në sasi të pamjaftueshme për 3-4 muaj në vit) dhe pastaj vinin me radhë që nga kripa e sheqeri se kafesë i qe harruar emri, vaji e vajguri, veshmbathje, ndonjë orendi shtëpiake e domosdoshme. Një sërë shpenzimesh bëheshin për blerje veglash bujqësore, për meremetime të ndryshme që nga samari i kafshëve, kallajisjet e enëve të bakërta, pale pastaj për shpenzime të veçanta për dasma, lindje, vdekje e shumë të tjerë. Kështu fshati dhe qyteti ishin të varur, ia kishin nevojën njëri-tjetrit. Fshatarët atë ditën e pazarit iu duhej të zinin me radhë dyqanet e Gjirokastrës, përsëritej e njëjta marrëdhënie si në tregun fshatar, por me ndryshim rolesh fshatari blerës dhe dyqanxhiu gjirokastrit shitës. Ndryshe nga tregu fshatar sundonte një marrëdhënie e ftohtë dhe e acaruar. Dyqanxhiu s’luante nga e tija në çmim. Abuzonte me llojin e artikujve që ishin të domosdoshëm e që fshatari ishte i detyruar të blinte. Të kësaj natyre, në mos edhe më të acaruara, ishin marrëdhëniet me sarafët e këmbimit të monedhës. Me këtë kishin punë kryesisht fshatarët e krahinave: Zagori, Pogon, Lunxhëri e Dropull, të cilët të ardhurat financiare i prisnin nga kurbeti. Kur u vonoheshin ato të shkreta para, hynin në një marrëdhënie të re edhe më spekulative me sarafë, por edhe huadhënës që jepnin para me fajde. Ka pasur shumë raste që sarafë, të pasur të tjerë, por edhe tregtarë e zejtarë kanë shfrytëzuar varfërinë e vështirësitë e fshatarëve.
Etimologji
Gjirokastra, një nga qytetet më të vjetër të Shqipërisë, i shpallur muze, i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, është një shembull mbijetese në Ballkan i qyteteve tregtare të stilit otoman. Ka disa versione për prejardhjen e emrit të Gjirokastrës si nga mitologjia, por edhe nga historia. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit, u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut. Që këtu rrodhi edhe emri “Kalaja e Argjirosë”. Por kjo duket e pamundur, pasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman. Qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, Argyrókastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jetë filluar nga prijësi shqiptar, Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit, Gjinokastër.
Turizëm
Shumë te huaj, por edhe venës, e vizitojnë Gjirokastrën për vlerat arkitekturale të ndërtimit të shtëpive me gurë e çative me dërrasa. Ka shumë hotele private të ndërtuar në një shtëpi te vjetra karakteristike. Në Gjirokastër mund të vizitosh Qendrën Historike me Pazarin dhe objektet e tij karakteristike, si dhe Kështjellën, ku përveç Muzeut të Armëve të ofron pamje shumë të bukura të qytetit nga lart. Në Gjirokastër vizitori mund të vizitojë edhe Muzeun Etnografik, Shtëpitë karakteristike të Zekatëve, Skëndulatëve, Babametos, Kadarësë,Topollajve, Hanin e Zagorisë, Dulajve, etj.
Në Luginën e Drinos gjenden disa site arkeologjike ku më të rëndësishmit janë “Antigonea”, rreth 14 km nga Gjirokastra dhe siti romak i Hadrianopolit shek.II pas.k. në afërsi të fshatit Sofratikë. Mbresëlënëse dhe me vlera historike e arkitektonike janë edhe Kishat paleokristiane të Shën Marisë në Labovë dhe Peshkëpi.
Për të apasionuarit e natyrës me shumë vlera janë parqet natyrore si, Viroit, Sotirës, Ujit të Ftohtë Tepelenë, Hotova, Pllaja e Cajupit (1200 m), Ujërat Termale të Bënjës (Përmet) si dhe kanionet e Lumit të Suhës Zagorisë dhe Vjosës.
Gjirokastra
…Si vend…
E vendosur në Shqipërinë jugore, Gjirokastra qëndron në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drino, në një pozicion mbisundues mbi një peizazh të pasur me histori, kufijtë e të cilit përvijohen nga maja malesh të larta. Ky është “qyteti i një mijë shkallëve” që përfshin qindra shtëpi-kullë të tipit otoman me çatitë dalluese të gurta, ballkonet e drunjta dhe muret e gurta herë-herë të zbardhura me gëlqere. E mbisunduar nga ana e vet prej kalasë madhështore që ngrihet mbi një kodër të thiktë, Gjirokastra është një qytet magjik me një të shkuar të trazuar. Nga bastion i feudalizmit në xhevahir otoman më pas në qendër e rëndësishme e pushtuesve fashistë italianë, qyteti ka njohur shumë sundimtarë dhe ka frymëzuar shumë poetë, shkrimtarë dhe artistë. Qyteti me popullsi 40 000 banorë, është qendra ekonomike e administrative e rrethit me të njëjtin emër.
…dhe si njerëz
Gjirokastra është qyteti i festivaleve folklorike kombëtare prej vitit 1968. Në kështjellë mblidhen çdo katër vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia dhe treva ku flitet shqip. Në Gjirokastër kanë kaluar apo kanë jetuar, Evlia Çelebiu, udhëtar dhe kronist turk, që ka lënë edhe shënime për këtë qytet; George Gordon Byron, përfaqësues i romantizmit; Edward Lear, piktor; Çerçiz Topulli, shkrimtar, luftëtar, atdhetar; Enver Hoxha, politikan, ministër, kryeministër, burrë shteti, diktator;Ismail Kadare, shkrimtar; Filip Koti, mjek gjinekolog, profesor; Eqrem Çabej, gjuhëtar, etnograf, albanolog; Ruzhdi Skenduli, mjek stomatolog; Musine Kokalari, disidente, shkrimtare; Ramize Gjebrea etj.etj.
Me Gjirokastrën, historia ka ditur të zgjedhë…
Pazari fshatar në atë kohë ishte një tjetër hapësirë e madhe jo thjeshtë sillnin produkte me shitje-blerje, por ai ishte edhe panair, ekspozitë, demonstrim kulture, traditash e vlerash të tjera të Gjirokastrës dhe krahinave të saj. Nga të dy hyrje-daljet e qytetit, që në mëngjes herët vërshonte një mori e madhe njerëzish, me veshje karakteristike shumëngjyrëshe. Që nga larg i dalloje të cilës krahinë ishin. Lunxhiotët p.sh. sa arrini tek ura e lumit, i hiqnin këpucët e përditshme dhe vishnin llustrinjat. Si shtojzovalle ecnin me tertip e në majë të
gishtërinjve. “Trëk-trëk”/ ato këpucë zonjushe/ kadale mos shkel në lucë /moj, zonjushë“ se do të shkonin në kasaba (qytet) dhe s’ishte shaka; nderonin veten dhe mikun me të cilin do të piqeshin (takoheshin). Zagoritët dhe zagoritet, që kishin bërë edhe më shumë kilometra udhë, ecnin më të shpenguar, ndihmonte edhe prerja e fustanit të tyre të gjerë pala-pala. Rëndë, rëndë shkelnin lebrit me shollët e tyre e atë veshjen prej shajaku të prerë e ngjeshur ngushtë pas trupit. Bënte më ftohtë nga ato anë. Dalloheshin edhe nga malli që binin në treg, nga mënyra e ambalazhimit, por edhe nga kafshët që përdornin dhe stolisjen e tyre. Shisnin ato që prodhonte vendi. Peponët (pjepërat), aromatikë vinin nga Dropulli. Zarzavatet, erëzat e frutat nga Lunxhi. Mataratë me djathë, gjalpë, gjizë e kos dhe bagëti të trasha e të imta nga Labëria. Valarejtë e Pogonit sillnin talëre, bucela, fllaska, bute druri; shumica e tyre përsëri do të shkonin në fshatra. Qyteti blinte
më pak prej atyre asortimenteve. Të gjithë vinin me kafshë, rrallë me këmbë, dhe vetëm ndonjëri që kishte pakogjë për të shitur ose ishte në pikën e hallit që asnjë bisht gomari
s’blente dot. Vinte në këmbë. Dropullitët vinin të gjithë me gomarë (gomerët e Dropullit thuhet në Gjirokastër), jo se s’kishin të blinin kuaj e mushka, por gomarët ishin më
ekonomikë e pa shumë pretendime në të ngrënë. Zona si Lunxhëria përdornin kuaj e mushka (ato të kamurit). Zonat malore Zagoria e Pogoni dhe ana tjetër, krahina e Kardhiqit vinin me kuaj, pela e mushka, të ushqyera mirë sa u ndriste qimja. Edhe takëmet: samarë, palldëm, kapistër i mbanin në gjendje të mirë. Mbi samarë për t’u ndierë rehat hidhnin rroba të leshta si çull, velenxa etj.; lunxhiotët edhe jastëkë të
butë dhe anës me tantellë. Kujdesi për mirë paraqitjen dhe dukurinë e vetes reflektohej edhe te kafshët e tyre. Në këtë drejtim, më praktik e më pak e vrisnin mendjen lebërit.


