“Njerëzit e Edi Ramës vjelin taksën prej 30% për çdo rrënjë kanabis të mbjellë”.
Deklarata vjen nga kreu i departamentit të Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili citon një raport sekret italo-gjerman i publikuar në media, duke shtuar se sipas këtij raporti, e gjithë Shqipëria është kthyer në fermën e madhe të hashashit.
Alibeaj: Njerëzit e tij të besuar që janë drejtuesit e Policisë në çdo qark, si Nallbati në Fier, Jeart Cela në Vlorë, Lleshi në Berat, Cullhaj në Durrës, Lenja në Lezhë, Targaj në Dibër, Alban Cela në Shkodër, Hodaj në Tiranë, Arapi në Gjirokastër, Zyberi në Korçë, të gjithë drejtuesit, shefat e komisariateve e klani i tyre, me urdhër të Edi Ramës kanë braktisur detyrën dhe janë vetëm në shërbim të ruajtjes e trafikimit të drogës. Sepse edhe Edi Rama ka braktisur detyrën, dhe ka prioritet vetëm plantacionet me drogë.
Ai tha se kanabizimi i vendit po sjell krime dhe vrasje dhe se nga ky biznes përfitojnë vetëm bandat.
Alibeaj: Kjo nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Shqiptarët nuk duan drogë, por punë të ndershme e siguri për familjet e tyre. Qytetarët do ta heqin këtë zgjedhë të bandave të drogës me Edi Ramën në krye. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.
