Kreut i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar këtë të hënë se, “dy ditë nga denoncimi me prova, foto dhe video për 50 mijë rrënjë drogë 2 kilometra larg aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, Edi Rama hesht”.
“Dhe Tahiri i tij, që së fundmi organizon ture festive nëpër ca parcela me kanabis, nuk u shfaq. Pse? Sepse këto 6 hektarë me drogë, 2 kilometra larg Rinasit, 20 kilometra larg zyrës së Edi Ramës, janë me leje. Janë të paprekshme. Janë të Bushit”, ka deklaruar Alibeaj.
Sipas tij, “të gjithë kanë dijeni” për këtë parcelë, “nga operativi i zonës, polici që ka shtëpinë ngjitur, shefi i komisariatit, drejtori i policisë e deri tek Tahiri e Rama, por e fshehin, e ruajnë dhe po bëhen gati ta vjelin e ta hedhin në treg”.
“Pas denoncimit tonë dy ditë më parë, policia ka bërë sikur ka ndërhyrë në një pjesë të parcelës. Ndërkohë që pjesa më e madhe qëndron aty dhe po nxitohet të mblidhet edhe në këtë moment që flasim”, ka vijuar Alibeaj.
Ai ka theksuar se, ky është një sundimi i pastër i bandave të drogës në vend. “Biznesi kriminal që bëhet në zemër të vendit, me lejen e Edi Ramës, i cili është në krye të skemës së 30 për qind të përfitimit. Ka ardhur koha që shqiptarët të bashkohen, të ngrihen e të pastrojnë vendin nga droga, nga trafikantët e nga kumbarët në qeveri. Shqipëria meriton zhvillim e punë të ndershme, jo krime e drogë. Shqipëria dhe shqiptarët më mirë pa Edi Ramën”, ka shtuar Alibeaj.
