Partia Demokratike pretendon se Komisioni i Venecias ka mbështetur 70% të propozimeve të saj për reformën në drejtësi. Enkelejd Alibeaj, kreu i grupit të ekspertëve të PD për reformën në drejtësi tha se ashtu siç kishin propozuar demokratët, edhe Komisioni i Venecias ka kërkuar që të ulet numri i institucioneve të reja që do të ngrihen pas miratimit të reformës.
“70% e rekomandimeve, këshillave dhe vërejtjeve tona janë gjetur të bazuara dhe arsyetimi i opinionit të Komisionit të Venecias mbështet rreth 70% në mos më tepër të vërejtjeve tona. Kritika e Komisionit të Venecias që përbën njëkohësisht edhe një këshill sesi në të ardhmen do të duhen të rishkruhen edhe njëherë këto projekt amendamente, përmblidhen në atë sintezën që Komisioni ka bërë në 8 çështje kryesore”, tha Alibeaj për Ora News.
“Numri i madh i organizmave të reja kushtetuese mbi drejtësinë do të duhet të thjeshtëzohet, do të duhet të shkurtohet, do të duhet të rrudhet. Pra nuk duhet të jenë kaq organe të reja kushtetuese që kanë të bëjnë me drejtësinë, sepse krijon një lloj realiteti të ri, krijon një klime të re, një frymë të re, e panjohur dhe e pa testuar për shqiptarët, ata të cilët merren me sistemin e drejtësisë. Kjo ka një rrezik të madh, mosbashkëpunimi i këtyre organeve dhe të mos japi një lloj frye të tille konsolidimi të sistemit të drejtësisë”, shton ai. /Dita/
