Opozita kundërshton taksën siç e cilëson ajo të vendosur nga qeveria për kalimin në Rrugën e Kombit.
Sipas demokratëve, qytetarët e varfër të vendit do të duhet të paguajnë 10 euro për të kaluar në këtë rrugë, ndërsa shuma është 33% më e lartë se ajo e sugjeruar nga ekspertët.
Partia Demokratike paralajmëron se do ta anulojë këtë koncesion që opozita e konsideron të dyshimtë.
Tabaku: Sipas strategjisë, pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën. Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 Euro! Të paktën 33% më shumë se çmimi i maksimal sugjeruar nga ekspertët!
Deputetja Jorida Tabaku shprehet se kjo është një aferë e pastër me miliona euro në vit dhe një barrë e re e vendosur në kurriz të shqiptarëve.
Tabaku: Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?! Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shteruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet shqiptare.
