PD e ndarë për Bashën, Berisha dhe familja pro, kundërshtarët heshtin

redaktor

Demokratët ende nuk janë të qartë nëse Lulzim Basha duhet të rikandidojë, ose jo, për një tjetër mandat në Bashkinë e Tiranës.

Zërat që kanë ardhur nga SHQUP-i janë të dyzuar. Linja e Berishës duket se është duke e nxitur Bashën që të zhvillojë një tjetër betejë elektorale, pavarësisht faktit se ai është edhe kryetar i opozitës, por dhe një kryebashkiak me bilanc aspak pozitiv.

I pari që ka folur për këtë ka qenë dhëndri i Sali Berishës, që tashmë është edhe anëtar i kryesisë në PD. Në një intervistë televizive, Jamarbër Malltezi u shpreh se Basha i duhet kryeqytetit edhe katër vite, ose të paktën deri në zgjedhjet e tjera parlamentare.

Më pas, ishte Sali Berisha i cili tha se Basha duhet të rikandidojë nëse vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zërat kundër rikandidimit janë ata të aleatëve. Kështu Fatmir Mediu, por dhe Edi Paloka dhe Arben Ristani, janë shprehur kundër.

Ndërsa është pro Dashamir Shehi dhe Eduart Selami. Ata që nuk janë përfshirë në këtë debat janë kundërshtarët e Bashës brenda partisë. Astrit Patozi, Mesila Doda apo dhe Jozefina Topalli, nuk janë prononcuar në lidhje me këtë temë.

Shehi shprehet pro

Në një intervistë televizive dje, Dashamir Shehi tha se kandidatura më e mirë që mund të përfaqësojë opozitën në këtë garë është vetë lideri Lulzim Basha, i cili prej katër vitesh drejton bashkinë e kryeqytetit.

“Duhet të ishte Lulzim Basha vetë si kryetar i partisë. Ky është funksioni më i lartë që kemi dhe është në vazhdim të punëve. Unë e gjykoj që është më mirë që edhe në zgjedhjet e përgjithshme të jetë drejtues si kryetar i bashkisë të Tiranës, se sa si një qytetar i thjeshtë”, tha Shehi. Shehi mendon se Basha duhet të vijojë me projektet e nisura në bashkinë më të madhe në vend.

Deri më tani, vetë Basha nuk e ka deklaruar publikisht se nuk do të rikandidojë për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Tiranës, ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, gjatë një interviste në emisionin “Fakt” në UTV, në prill 2014, do të bënte të ditur mos kandidimin e Bashës.

“Është vendosur që Basha nuk do të kandidojë më për Bashkinë e Tiranës”, do të shprehej Paloka./E.Habilaj

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *