Genc Burimi
1. A është e djathtë Partia Demokratike?
Për mua pa dyshim PD-ja është një parti e djathtë me gjithë inkonherencat ideologjike që partitë në përgjithësi mbartin në vetvete në mënyrë të paevitueshme. PD-ja është e djathtë në radhë të parë për dy arsye evidente që lidhen me historinë e saj , dhe me retoriken e saj. Historikisht, Partia Demokratike është partia e parë opozitare ndaj ish-sistemit totalitarist komunist shqiptar. Retorikisht dhe sot e kësaj dite, kryetari i PD-së nuk rresht se vjelluri kundra majtistëve, bij të etërve marksistë-leninistë sipas tij; Berisha nuk e fsheh se idhulli i tij, libri që e ka formuar si politikan, është një vepër e Ronald Reganit. Më hapur se kaq nuk mund të thuhet. Përveç historisë dhe retorikës, PD-ja afirmohet si e djathtë edhe në programin dhe në qeverisjen e saj. Ajo është pro-privatizimeve përfshirë dhe sektorët më strategjikë që mund të mendohej se mund të rrinin në perimetrin e një shteti sovran siç janë energjia dhe hidrokarburet. PD-ja është pro taksave të ulëta, si çdo e djathtë klasike. Taksa e sheshtë në Shqipëri, gjen ekuivalencë vetëm në Irlandë apo Republike çeke, dy vende të karakterizuara po ashtu nga tendenca të djathta të ç’kompleksuara. Amnistia fiskale, rritja e moshës së pensioneve, stabiliteti i monedhës janë po ashtu leva të politikës së PD-së që e radhisin atë qartazi djathtas. Po të vazhdojmë më tej, në tema që prekin shoqërinë civile, PD-ja po ashtu paraqitet me koncepte të forta djathtiste, konservatore, mbi rolin e familjes e të kryefamiljarit, mbi rolin e martesës, ajo është e atashuar ndaj vlerave fetare, ndaj vlerave të pronës etj, koncepte këto që kanë më pak rëndësi në kulturën e majtë. Kujtoj me këtë rast sulmet e Berishës ndaj Ramës si i degjeneruar, një koncept që nuk ekziston për të majtën klasike, më liberale, më e hapur në çështjet që prekin shoqërinë civile, më laike kur flitet për fenë. E djathta po ashtu njihet kudo si më autoritare, dhe PD-ja në Shqipëri i përket këtij prototipi. Mos të harrojmë që në emër të luftës kundra trafiqeve dhe gomoneve, PD-ja bllokoi me ligj edhe lundrimin e mjeteve që s’kishin të bënin me trafiqet duke kufizuar në një farë mënyre dhe liritë e njerëzve të ndershëm. Të tjera të djathta në Europë apo dhe në SHBA, në emër të luftës kundra terrorizmit kanë ndërmarrë masa “kufizimesh” lirish që s’do kishte ndërmarrë. Mos të harrojmë po ashtu se Berisha i periudhës 92’- 96’ nuk ishte për përhapjen e shumë mediave private. Gjë që nuk “habit” shumë për një parti të djathtë konservatore. Mediat lulëzuan në Shqipëri me ardhjen e të majtës në pushtet pas krizës së piramidave financiare. Një fenomen të ngjashëm e gjejmë me Francën e para viteve ‘80 të De Golit autoritar e të D’Estenjit ndërkohë që pas viteve ‘80 kur në pushtet erdhi e majta e Miterandit filluan të lulëzonin radiot private në valët FM. Por gjithë këto aspekte evidente të djathta të PD-së shqiptare, nuk pengojnë manifestimin e kontradiktave ideologjike. Merrni ekonominë, PD-ja është për rritje rrogash, për fiksimin e një rroge minimale, koncepte këto të majta të mirëfillta. PD-ja siç thashë tregohet e kujdesshme për vlerat e familjes dhe besimit fetar, por nga ana tjetër Berisha u bë një moment militant i kauzës së homoseksualëve. PD mitizoi pronën si simboli me të madhe për vlerat e të djathtës. Por njëkohësisht PD-ja deri më sot, pas 12 vjetësh në pushtet nga 20 vite tranzicion, ende nuk ka arritur të zgjidhë këtë ngërç të pronës që është kthyer në një gjyle për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Paradoksalisht mbi një vlerë bazë të së djathtës tradicionaliste që është prona, PD-ja ka lënë të pakënaqur shumë ish-pronarë, bazë e elektoratit të saj. Ashtu siç ka lënë ajo të pakënaqur shumë ish-të përndjekur politikë, ndërkohë që kjo është kategoria e parë që duhet të kishte përfituar nga orientimi i djathtë dhe anti-komunist i PD-së. Por me gjithë këto imperfeksione, unë mund të pohoj pra pa dyshim se PD–ja është parti e djathtë, kjo edhe për arsyen tjetër se e majta në Shqipëri nuk është shumë e majtë. Për mua, në këtë vend është më thelbësore t’i përgjigjesh pyetjes a është e majtë e majta, sesa a është e djathtë e djathta. Realiteti për mua është se shqiptarët në përgjithësi anojnë djathtas, edhe ata që kujtojnë se kanë një ndërgjegje të majtë. Kjo e detyron dhe PS-në të shkasë në një parti të qendrës, ose të qendrës së djathtë. Në Shqipëri nuk ka sindikata. Sindikatat nuk i krijon politika por ndërgjegjja e majtë e një populli që nuk mund të pranojë që një grusht njerëzish të pasurohen me punën e një shumice njerëzish që nuk arrijnë dot as të mbyllin fundin e muajit. Sindikata është një formë kundrapeshe sociale për një shpërndarje më të drejtë të fitimeve që krijon sistemi kapitalist në një vend. Gjersa s’ka në Shqipëri (nuk po flas për sindikatat marioneta), kjo tregon se ka shumë shqiptarë që e gjykojnë sistemin kapitalist në mënyrën sesi funksionon ai në Shqipëri si normal. Pra shqiptarët janë me koshiencë apo pa koshiencë djathtas, liberale në ekonomi. Liberalizmi thotë që është normale që pronari të fitojë e të mos ndajë fitimin po si pëlqeu, liberali thotë është normale që ai që trashëgon një pasuri nga prindi, të bëjë ç’të dojë me të; ndërkohë që i majti pretendon të kundërtën; domethënë pronari duhet të dijë të ndajë një pjesë të fitimit (rritje rrogash, apo kompensime të tjera) me atë kanë punuar për të dhe që e kanë bërë të pasur; pronari duhet të dijë po ashtu të ndajë një pjesë të fitimit, për dëmin që ai i ka shkaktuar natyrës në procesin e prodhimit në mënyrë që mbillen pemë të reja, e të tjera masa ekologjike; trashëgimtari po ashtu duhet të dijë të ndajë (me taksë) një pjesë të pasurisë të trashëguar nga prindërit që i ra “nga qielli” , pa sikur ka qenë në shkollë, apo kur ka parë një mjek, dhe shoqëria ka paguar për të etj. E shihni pra, janë tema të forta ideologjike që opozojnë një të majtë e të djathtë që aktualisht në Shqipëri anojnë djathtas, pasi shoqëria shqiptare kaloi pa tranzicion nga socializmi më brutal në kapitalizmin më brutal. Kam pasur rast të kem një debat privat me Berishën mbi këtë temë, i cili me thënë të drejtën e pranon debatin, të paktën privatisht. Dhe me nxori një anekdotë. Në vitin 1995 kur ishte president, pret në Tiranë homologun gjerman të asaj kohe Roman Herzog. Ndër të tjera ky i fundit i thotë pak a shumë: keni një fat që do t’ja ndjeni shumë shpejt të mirën. Nuk keni sindikata, nuk ka gjë më të mirë për ta zhvilluar shpejt një vend. Dhe është e vërtetë që Gjermania u detyrua të presë vitin 2004 kur Shroder, një i majtë, arriti të “thyeje” rezistencën e sindikatave gjermane, sigurisht me negociata e shantazh, më të famshmet reformat Hartz IV, më liberalët që Gjermania ka njohur pas Luftës së Dyte Botërore. Anglia i kishte bërë këto me kohë që me Theçerin në fund të viteve ‘70, që përdori gjuhën e negociatave por kërbaçin. I vetmi vend i madh perëndimor ku këto reforma liberale po vonojnë është Franca. Italia, Spanja dhe Greqia nga ana e tyre e kanë marrë tashmë këtë rrugë reformash liberale nën presionin e tregjeve financiare. Pra, jo vetëm Shqipëria, por gjithë Europa, gjithë bota po anon djathtas. Ose thënë më mirë gjithë bota po anon nga versioni i një kapitalizmi darvinian. Ashtu si në xhungël ku mbijeton më i forti, më i shkathëti, më rezistenti, dhe në globalizim ligjin e bëjnë ato shtete ku punëtori ka se më pak pushime, ku dita punës zgjat 14 orë, ku në punë mund të futesh dhe fëmijët 10 vjeç, ku nuk ka harxhe për sigurime shoqërore etj. Këtë parajsë liberale e gjen sot në Kinë, Brazil, Indi, dhe është ky model që po i imponohet Europës nëse kjo kërkon të mbijetojë. Përndryshe pronaret “kapitalista” i marrin uzinat me vete dhe i çojnë atje ku s’ka sindikata dhe fuqia punëtore e qep gojën siç në vendet që përmenda më sipër. Cili është roli i të majtës europiane? A duhet të pranojë apo të kapitullojë? Në Spanje, Zapatero u tërhoq, në Gjermani, Shroder u shndërrua në liberal dhe tani punon për gazin rus, pra e ardhmja më duket fatalisht blu dhe jo rozë. Nuk flas për Shqipërinë por në planin ndërkombëtar. Pasi në Shqipëri debati e majtë e djathte nuk është ekonomik, të dyja palët janë dakord, por moral (ti vjedh e unë jam i ndershëm). E çuditshme me Shqipërinë është se vendi ynë është transformuar prej kohësh në një përplasje të tillë liberale, siç e tregova më sipër me anekdotën midis Berishës dhe presidentit gjerman. Pra tek ne s’ka sindikata, s’ka të drejtë pune, kontrata pune, të denja. Gjykatat nuk do të gjykojnë kurrë një pronar që flak, në rrugë një punonjës që nuk i pëlqen; në Shqipëri kjo është norma; plus kësaj rrogat e ulëta. Atëherë si shpjegohet që Shqipëria nuk tërhoqi si Kina e Vietanmi investime të huaja; përse Gjermania i prodhon veturat në Çeki e Sllovaki dhe jo në Shqipëri ku është më lirë në të gjitha pikëpamjet? Kjo e ka një përgjigje. Nuk mjafton vetëm që në xhungël, kafsha që mbijeton të kënaqet me ujë e ushqim një herë në javë. Duhet po ashtu që të ketë rrugë për të qarkulluar, polici për të ruajtur rendin, spitale për të uruar punëtorin e shkolla për t’i formuar, që montazhin e një veture Uolfsvagen mos ta bësh mbrapsht. Vimë pra tek nocionet e majta që e kanë vlerën e tyre ku në qendër vënë investimin tek njeriu, tek burimet njerëzore, dhe jo vetëm tek fitimi me çdo kusht. Franca sado socialiste anakronike mbetet në krahasim me pjesën tjetër të perëndimit, tërheq më shumë investime se çdo vend liberal, pasi shteti ka investuar në rrugë shkolla e spitale, dhe Toyota pranon të vijë aty sesa të shkojë në xhunglën kineze. Por këto investime i bën shteti jo privati. Por shtetit i duhen taksat. Por po vure taksa nuk mund të jesh i djathtë; detyrimisht bie në filozofinë e majtë; dhe mbërrijmë kështu në një debat pa fund që askush sot nuk është në gjendje ta parashikojë se cila filozofi do të triumfojë; për momentin jemi në shkallë botërore në epruveta komunikuese (globalizim pa dogana), ku nivelimi bëhet nga poshtë (standarde kineze) dhe jo nga sipër standarde që kem njohur në perëndim gjatë gjithë shekullit të xx.
Sa për shqiptarët t’ja lëmë ndërgjegjes së tyre të zgjidhë e të veprojë: ajo që kërkohet politikanëve është një ofertë e qartë politike dhe elektorati zgjedhë. Në këtë pikëpamje oferta e PD-së më duket më e qartë: ajo është e djathtë safi.