Letër e nënshkruar,
Preng Pjetri
Lajmi i mirë që dha opozita për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale këtë behar pa kushte, doemos duhet përshëndetur sinqerisht. Pas shumë kohësh bojkot dhe gjithfarë gjokulldinash tashmë mund të themi se u ndez drita jeshile. Ndofta atmosfera politike pas shumë kohësh po ngrohet disi e bashkë me pranverën do kthehet edhe ndërgjegjësimi i opozitës. Nuk është aspak e udhës të mos reflektojë faktori mbarë politik, pasi Europa i ka drejtuar sytë dhe shigjetat nga Shqipëria. Ndofta kësaj rradhe shanset janë më të mëdha që Shqipëria të vlerësohet pozitivisht qoftë nga Europa por edhe nga faktori ndërkombëtar. Fjalimet e liderëve demokratë nëpër konferenca të shumta përkujtimore dhe rutinë të bëjnë të mendosh se kjo parti bën një hap përpara dhe pesë pas. Ndofta kreu i komanduar i PD-së zoti Basha nganjëherë flet në kokën e tij pa u konsultuar me patriarkun e partisë së tij Berisha. Gjithësesi duhet inkurajuar dhe përgëzuar për çdo gjë të dobishme që bën e ndërmerr qoftë edhe në emrin e tij personal. Ka ardhur dita dhe koha që opozita t’i kthehet punës, madje pa u kursyer, pasi është mjaft difiçitare me elektoratin e saj. Liderët që rrëmbehen nga emocionet personale nuk duhen mbështetur, përkundrazi populli simpatizant i PD-së duhet të replikojë me ato koka të nxehta që kërkojnë me çdo kusht të rrënojnë dhe sabotojnë punën kolosale të qeverisë dhe mazhorancës absolute parlamentare. Asgjë e mirë nuk i vjen popullit dhe Shqipërisë nga destabilizimi, bojkoti dhe mitingjet e herëpashershme thjesht për tekat e disa rrangallave mediokre që batica politike i ka nxjerrë në ajsbergun e jetës politike. Koha nuk pret më gjatë prandaj të nderuar opozitarë, bëni punën dhe detyrimin tuaj kushtetues në të mirë të popullit tuaj dhe Shqipërisë tonë.
