Kuvendi pritet të votojë në seancën e radhës dy anëtarët e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza dhe Tom Ndreca. Gazeta “Shqip” shkruan sot se sipas të gjitha gjasave, ky votim pritet të realizohet me datën 25 prill, pasi Komisioni i Ligjeve të realizojë procedurën formale të seancës dëgjimore me dy emrat e propozuar nga Presidenti. Ndryshe nga votimi për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ku PD-ja gjeti mbështetjen e katër deputetëve të pavarur “socialistë”, Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Dritan Prifti dhe Gjovalin Kadeli, për votimin e dekreteve të kreut të shtetit, nuk do t’u lutet atyre për kartonin e tyre të jeshilët. Kjo, për faktin se Byroja e Kuvendit ka penalizuar katër deputetët e opozitës aq sa i nevojitet mazhorancës për të pasur votat e duhura për të votuar dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas seancës së tensionuar të së hënës, disa deputetë të PS-së replikuan ashpër me deputetin Kastriot Islami. Kjo bëri që Topalli, si Kryetare e Parlamentit, të shpallë penalizimin e deputetëve të PS-së, Sajmir Tahiri, Gazmir Bizhga, Ndrec Deda dhe Arben Çuko. Vetë kryeparlamentarja, në seancën e fundit, u shpreh se e fali Ilir Bejten nga ndëshkimi, duke nënkuptuar kështu se të katërt të penalizuarit e tjerë brenda radhëve të opozitës, i mjaftojnë për të kaluar jo vetëm ligjet me shumicë të thjeshtë, por edhe dekretet e kreut të shtetit.
Nëse seancat mbahen të hënën dhe të enjten, atëherë mazhoranca deri në datën 2 maj, ditë që mund të sjellë seancën e fundit, e ka të sigurt kalimin e çdo ligji. Rrjedhimisht, kjo e bën të pamundur për opozitën një mocion mosbesimi ndaj qeverisë “Berisha”, e cila mund të bjerë, për shkak të mospasjes së numrit të artë të 71 deputetëve. Kjo, për rastin nëse në sallë votojnë 140 deputetë.
Me daljen e LSI-së nga koalicioni qeveritar, mazhorancës i ikin katër deputetë. Pra qeveria ka 69 deputetë, edhe pse me numra deputetësh ka rënë, PD-ja ka gjetur shpresën e vazhdimit të qeverisjes deri më 23 qershor me katër votat e të pavarurve, vota e të cilëve ka qenë determinante jo vetëm në shkarkimin e Ilirjan Muhos, por edhe në kalimin e disa ligjeve të veçanta.
Ndërkohë që PD-ja inatin e ikjes së LSI-së nga qeveria e ka shprehur jo vetëm me largimin e administratës së të propozuarve nga radhët e LSI-së, por dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, tre deputetët e PD-së që militonin në grupin e LSI-së, Rajmond Hoxha, Ismail Hoxha dhe Mehmet Xheka, depozituan kërkesën për largimin nga ky grup. Po të shohësh faqen zyrtare të Kuvendit, grupi i LSI-së nuk ekziston dhe deputetët Meta, Naço, Koka dhe Tavo janë përfshirë në listën e të pavarurve. Kjo solli dhe largimin e deputetit të LSI-së, Nasip Naço, nga posti i nënkryetarit të Kuvendit. Ai dha dorëheqjen e parevokueshme për shkak të kësaj hakmarrjeje. Ndërkohë që Topalli, edhe pse Islami ka mbi dy vite që është përjashtuar nga PS-ja, vazhdon ta mbajë këtë deputet në listën e grupit të PS-së, ashtu si dhe dy deputetë të tjerë të vetëlarguar, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani./ Shqip
