Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje se do të depozitonte në Kuvend një kërkesë për miratim të përshpejtuar të ngritjes së Byrosë së Hetimit, por ndërkohë nuk ka një draft të posaçëm për këtë.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë seancës së sotme i kërkoi PD-së që të depozitonte variantin e saj për ngritjen e këtij institucioni.
“Do të doja të bëja një sqarim meqenëse kjo çështje u diskutua gjatë në Konferencën e Kryetarëve dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan që ky projekt të hyjë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend. Në fakt asnjë prej tyre nuk kishte asnjë projekt përfundimtar me vete”, theksoi ai.
Kreu i Kuvendit i sugjeroi Partisë Demokratike që të depozitonte një variant në Kuvend dhe më pas të ndiqeshin procedurat e zakonshme.
“Duke përshëndetur faktin që ata janë dakortësuar me këtë iniciativë, e cila u miratua një herë nga ky Parlament dhe më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mos pajtim me parimet e Kushtetutës, që atë variant për të cilin Partia Demokratike është dakord, ajo mund ta depozitojë në Kuvend dhe ndërkohë ai variant mund të ndjek rrugën e vet sipas procedurave parlamentare.
Kështu që mendoj që ky është një debat i panevojshëm, sepse nuk e kemi të qartë se për cilin variant bëhet fjalë. Por, atë variant për të cilin është dakord Partia Demokratike mund ta depozitojë në Kuvend sipas Rregullores së Kuvendit dhe ne do ta ndjekim atë me prioritet besoj”, theksoi ai. /Dita/
