Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmata ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se ka punësuar si inspektor një afërm të tij, që është përjashtuar dy herë nga policia e Shtetit për shkelje të rënda.
Sipas deputetes, faktet tregojnë se Tahiri ka inkriminuar kupolën e rendit dhe se lidhjet e tij me krimin janë tronditëse. Në një deklaratë për mediat, Hajdarmata në emër të opozitës kërkon largimi i tij dhe një hetim të plotë nga drejtësia.
“Një nga njerëzit më të afërt të Ministrit të Brendshëm, Anastas Meçi, inspektori i tij personal që ka në fakt më shumë pushtet se sa i jep detyra dhe ligji, është përjashtuar dy herë nga policia e Shtetit për shkelje të rënda. Fillimisht u përjashtua në vitin ‘96 për falsifikim provash. Ai u akuzua se falsifikoi provat në djegien e magazinës së armatimeve në Peqin, në vitin 91.
Më pas, u përjashtua në vitin 2001, nga Bilbil Mema, atëherë drejtor i Përgjithshëm i Policisë, për abuzime të rënda me atributet e Policisë. U kap me abuzime me armatimin, kur ishte shef i sektorit të grumbullimit të armëve në komisariatin e Kuçovës. Kemi këtu dy shkresat zyrtare për inspektorin e Tahirit. Por sot, ky i përjashtuar dy herë për shkelje të rënda, është krahu i djathtë i Ministrit të Brendshëm. Pikërisht, me të tillë persona, Ministri Tahiri mbyll aferat e tij dhe kujdeset për bizneset e tij kriminale.
Ai është sot ministri më i akuzuar në dy dekadat e fundit, për lidhje me bandat e trafikut të drogës. Oficerë të larët të Policisë kanë dhënë prova e dëshmi të implikimit të drejtpërdrejtë të Saimir Tahirit në trafikun e drogës. Faktet tregojnë se Tahiri ka inkriminuar kupolën e rendit dhe lidhjet e tij me krimin janë tronditëse. Ka vetëm një rrugë, largimi i tij dhe hetimi i plotë nga drejtësia”, tha ajo.
Reagon MPB-ja: Meçi punon në administratën publike
Ndërkohë ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila sqaron se Ansastas Meçi, është përjashtuar nga detyra në vitin 1996 për motive politike nga ish-Ministri i Brendshëm Agron Musaraj.
Por MPB-ja përmes një njoftimi për shtyp, deklaron se Meçi nuk punon në Policinë e Shtetit, por në administratën publike.
“Sot, z. Meçi nuk punon në Policinë e Shtetit por në Administratën Publike, dhe jo në varësi të Ministrit të Brendshëm, siç deklaron PD-ja. Meçi gëzon statusin e nëpunësit civil dhe i plotëson të gjitha kriteret për t’u rekrutuar në administratën shtetërore. Saktësojmë se në vitin 1996, z. Meçi është liruar nga detyra në Policinë e Shtetit, jo përjashtuar siç deklaron PD-ja, ndërkohë sa i përket urdhrit të vitit 2001, z. Meçi është përjashtuar pa respektuar procedurën”, thuhet në deklaratë.
