PD: Rama kopjon ligjet tona për arsimin

anazapta

PD akuzon kreun e PS-së se ka kopjuar ligjet e miratuara nga qeveria për arsimin. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, tha se gjatë takimit të djeshëm në Durrës, Rama bëri premtime që janë kthyer tashmë në normë ligjore nga parlamenti. “Dje në Durrës, zoti Rama mbrojti krijimin e vendeve të punës nëpërmjet programeve qeveritare që kanë kohë që ekzistojnë si dhe vazhdoi serinë e fakteve imagjinare që ai krijon në dhomën e tij mavi. Dje u bëmë dëshmitarë të çudirave të reja të Z. Rama. Në mungesë të ideve të reja, z. Rama premtoi si ide të tij një normë ligjore të ligjit të arsimit parashkollor të votuar dhe miratuar në parlament qysh në shtator 2012, që parashikon emërimin e mësuesve në partneritet me prindërit e nxënësve. Në përpjekje për të thënë diçka, z. Rama po kopjon edhe nenet e ligjeve të miratuara nga qeveria. Kjo, dëshmon më së miri padijeninë e Ramës dhe njerëzve të tij”, tha ajo.

Vorpsi akuzoi gjithashtu kreun e PS-së se nuk ofron zgjidhje konkrete për familjet e varfra në programin e tij. “Zoti Rama vazhdoi të tregonte se jo vetëm që disponon të dhëna të gabuara, por ka dhe ide të gabuara. Zoti Rama në të vërtetë propozoi që Shqipëria të kthehet në një sistem ku familjet e varfra në nevojë detyrohen nga qeveria lokale të bëjnë punë të detyruar në mënyrë që të përfitojnë asistencën sociale. Kjo nuk duhet të jetë një surprizë, pasi ky ishte një sistem që ai e mbrojti si kryetar bashkie. Dhe le të jemi të qartë, këto familje do të detyrohen të punojnë për më pak se ç’është paga minimale. Kjo pra është, zgjidhja e zotit Rama për familjet që kërkojnë ndihmë ekonomike – familje që janë në nevojë -, t’i detyrojë ato të punojnë për më pak se rroga minimale”, tha ajo.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *