Opozita iu bashkua shqetësimit të deputetit Eduart Ndocaj, i cili siç thekson ai është kërcënuar nga vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.
Sipas demokratëve, teksa Rama shton dozat e propagandës, një denoncim publik prej dy ditësh nuk ka marrë ende përgjigje.
Opozita thotë se Arben Ndoka u nxor jashtë Parlamentit për shkak të dekriminalizimit, por ai ende vijon me të njëjtat metoda të drejtojë Partinë Socialiste në Lezhë.
“E turpshme është retorika e Ramës me të rinjtë për partinë e për vlerat, kur ai e ka inkriminuar atë në qelizë, kur nuk gjen kohë të mbajë një qëndrim për faktin se deputeti i tij kërcënohet me jetë nga koordinatori i tij. Banditë e trafikantë të njohur kanë nën kontroll këtë forcë politike, në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kavajë e shumë qytete të tjera. Ata kanë jo vetëm partinë në dorë, por edhe emërimet e tenderimet”, thekson zëdhënësja Ina Zhupa.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë këtë rast me profesionalizëm e pa ndikim politik.
“Bëhet fjalë për të njëjtin dhunues e shantazhues, për të cilin Gjykata e Lartë dha pafajësi nën presionin e Edi Ramës. Dhe sot ky mercenar i Edi Ramës kthehet sërish në rolin e tij të kërcënuesit e dhunuesit të kundërshtarëve të kryeministrit. Por është e sigurt se qytetarët e vendit, demokratë e socialistë, me dhe pa parti, do ta shkulin këtë farë të keqe të politikës nga rrënjët. Dita po afron”, theksoi më tej. /Dita/
