Partia Demokratike ka reaguar ndaj kërkesës së kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, për t’u ulur në një tryezë me partitë parlamentare për të zgjidhur çështjen e Fierit.
“PD është e gatshme të ulet në çdo tryezë të diskutojë me PS çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament,” tha zëdhënësja e PD.
“Pas bllokimit prej dy muajsh të votimit në Parlament të tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian si kushte për statusin kandidat të vendit dhe pasi vendosi në mbledhjen e paradites së sotme të Grupit Parlamentar te Partisë Socialiste, bllokimin ditën e enjte të votimit të këtyre ligjeve, zoti Rama botoi dje pasdite një deklaratë në të cilën përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e bllokimit të votimit të këtyre ligjeve me forca të tjera parlamentare që kanë qenë dhe janë të gatshme në cdo kohë për votimin e tyre. Në deklaratën e tij ai lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit, gjëra këto, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Për më keq, ai kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e qarkut te Fierit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj Gjykate. Me këtë kërkesë, Z. Rama, dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar, për të bllokuar votimin e këtyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e PD.