PD: Teza doli përpara nisjes së testimit, Nikolla: ‘Babalja’ e radhës

Dita

Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla ka reaguar ndaj denoncimit të bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, se teza e provimit të letërsisë për Maturën Shtetërore doli pak minuta para nisjes së testimit.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Nikolla shprehet se opozita ka filluar “Babalen” e radhës.

Ajo vijon të shkruajë se qëllimi i opozitës nuk është dashamirës ndaj maturantëve, por ndaj kënaqësisë personale për të marrë ndonjë “buzëqeshje politike”.

Ministrja e Arsimit i konsideron fotot e qarkulluara të faqeve të testit nëpër rrjete sociale si fotografi që nuk kanë lidhje me Maturën Shtetërore 2018.

Postimi i plotë

E keqardhur që opozita nuk ndalet as para emocioneve të maturantëve e prindërve të tyre, qëllimshëm për të krijuar amulli dhe zemëratë nga hiçi.

Filluan “babalen”e radhës duke publikuar në rrjete sociale pas orarit zyrtar të testimit faqe nga testi i Gjuhë- Letërsisë, duke nënvizuar se kjo tezë ka qarkulluar prej orësh.

Thua deputeti Boçi nuk e di se kur fillon e mbaron zyrtarisht testimi? A mos vallë mendoi për maturantët? Po pse nuk bën denoncimin se si pëfundoi tek ai teza nëse është i interesuar që gjëra të tilla të mos ndodhin?

Përgjigjen e dha sot dhe nuk më zhgënjeu. Qëllimi i tij nuk është as testimi e as maturantët, por dëshira që përmes të pavërtetave të marrë ndonjë buzëqeshje politike. Sigurisht, jo nga maturantët. Ata e dinë fare mirë se dy fotot e publikuara si dhe tezat në to nuk kanë asnjë lidhje me Maturën Shtetërore 2018.

Të dashur prindër, e keni fare të thjeshtë të provoni të vërtetën e fotove. Vetëm pyesni fëmijët tuaj.

Koha kur kopjo dilte nga zyrat e ministrisë ka 5 vite që ka kaluar.

Provime të maturës ku kufiri i kalimit ndryshonte sipas oreksit politik të ministrit ka 5 vite që janë harruar.

E kanë të vështirë ta besojnë. Punë e tyre. E jona punë është t’iu shërbejmë fëmijëve të shqiptarëve me seriozitet e përkushtim.

Suksese maturantëve!

s.a/dita

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *