Parlamenti Evropian votoi me shumicë të madhe një rezolutë jodetyruese për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Deputetët theksuan se do të vazhdojnë angazhimet për zgjerim, pavarërisht krizës së euros.
Në Strasburg së fundmi flitet kryesisht për krizën financiare dhe shumë europarlamentarë thonë se “nuk do të ishin fare në parlament, po të mos ekzistonte zgjerimi i Bashkimit Evropian”. Zëdhënësja e Parlamentit Evropian, Marilena Kopa, paralajmëron se “dëshpërimi” që po vërehet kohët e fundit, si pasojë e lodhjes nga zgjerimi i Bashkimit Evropian. Eurodeputetja greke thotë se një prej sukseseve më të mëdha në politikën e jashtme ishte pikërisht zgjerimi i BE-së. “Kjo fuqi e Evropës është theksuar edhe me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe”, pohon ajo. Dëshpërimi që vërehet gjithandej është megjithatë i arsyeshëm. BE-ja po vë objektiva gjithnjë e më të larta, ndërkohë që disa politikanë vënë në pikëpyetje çdo gjë, e në veçanti anëtarësimin e një vendi të caktuar, atë të Turqisë.
Mendime të ndryshme për Turqinë
Në debatin e fundit nuk u fol gati fare lidhur me disa kërkesa për rivendosjen e vizave për disa vende të Ballkanit. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle pohon se “Kriteriet e Kopenhagenit”, të miratuara para 20 vitesh, mbeten në vazhdim baza e negociatave për anëtarësimin e vendeve të tjera. Marilena Kopa lidhur me këtë thotë: “Bëhet fjalë për besueshmërinë ndaj nesh. Nëse një vend i përmbush kushtet për anëtarësim, atëherë pse duhet të ketë dyshime që ky vend mund t’i takojë familjes evropiane”.
Kundërshtime lidhur me këto ide ka nga konservatorët e djathtë të Austrisë, nga partia FPO. Franc Obermajër nga kjo parti pohon se “zëdhënësja, duket se shumë gjëra po i sheh me syze rozë, në veçanti ato që kanë të bëjnë me “Kriteret e Kopenhagenit”. Në Turqi unë nuk shoh asnjë zhvillim pozitiv në çështjen e lirisë së mendimit, lirisë së mediave, lirisë së fesë dhe të drejtave të grave. Të gjitha këto janë çështje të hapura dhe nuk po shoh ndonjë zgjidhje të shpejtë.”
“Kriteriet e Kopenhagenit” të miratuara në vitin 1993 parashikojnë vendosjen e stabilitetin politik, ekonomisë së tregut dhe kërkojnë përmbushjen e kushteve për anëtarësim. Për shembull, secili vend duhet të plotësojë kushtin e reformave juridike, para anëtarësimit.
Gabimet të mos përsëriten
Me rastin e anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë ka pasur vërejtje se këto vende nuk janë financuar sa duhet. Tani ka vërejtje edhe lidhur me Kroacinë, e cila do të anëtarësohet në verën e vitit të ardhshëm. Eurodeputeti spanjoll, Jose Milan Mon kritkon kërkesat e britanikëve për shkurtime në buxhet. “A është kjo BE-ja e së ardhmes? A është kjo ajo që i pret gjeneratat të reja? Shkurtimet më së shumti dëmtojnë vendet e reja anëtare të BE-së”, thotë ai.
Rezoluta e miratuar të enjten parashikon financimin e duhur të zgjerimeve të reja. Komisioni i BE-së kërkon që liderët e shteteve anëtare të kundërshtojnë frikën nga zgjerimi i BE-së. Kriza nuk duhet të ndikojë në procesin e zgjerimit, pohon socialdemokrati gjerman Knut Flekenstein.
Somario: Nëse një vend i përmbush kushtet për anëtarësim, atëherë pse duhet të ketë dyshime që ky vend mund t’i takojë familjes evropiane