Miratimi nga Parlamenti Europian i Marrëveshjes Tregtare BE-SHBA, mund të rrezikohet nëse NSA nuk ndalon aktivitet e saj të survejimit në masë. Ky është thelbi i Rezolutës, që përmbledh hetimet 6 mujore, të Komisionit të Lirive Civile të Parlamentit Europian. Teksti i bën thirrje BE-së, të pezullojë Marrëveshjen mbi të dhënat bankare me SHBA dhe Marrëveshjen “Sfera e Sigurisë”, mbi ruajtjen e të dhënave. Lufta kundër terrorizmit nuk mund të justifikojë një survejim në masë sekret dhe ilegal, sipas tekstit të rezolutës.
“ Deklarimet e Edward Snowden, na kanë dhënë një shans për të reaguar. Shpresoj që do t’i transformojmë këto reagime, në diçka pozitive dhe të përhershme, përgjatë legjislaturës së ardhshme të Parlamentit, në një legjislacion për ruajtjen e të dhënave, mbi të cilën ne mund të jemi të gjithë krenarë”,- ka deklaruar raportuesi britanik Claude Moraes. “Bëhet fjalë për të vetmin hetim ndërkombëtar, mbi survejimin në masë (…) edhe Kongresi amerikan nuk ka kryer një hetim të tillë”,- shtoi ai.
Rezoluta thekson se, Parlamenti Europian nuk duhet të japë miratimin e tij, për Marrëveshjen finale të Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve me SHBA-të, në rast se ato nuk respektojnë tërësisht të drejtat themeltare të BE-së. Teksti shton gjithashtu se, ruajtja e të dhënave duhet të përjashtohet nga negociatat tregtare. Miratimi i Parlamentit “mund të kërcënohet, për sa kohë aktivitetet e survejimit në masë dhe perceptimit të komunikimeve në gjirin e institucioneve dhe të përfaqësive diplomatike të BE-së, nuk do të braktisen plotësisht”, saktëson teksti.
Nga ana tjetër eurodeputetët kërkojnë pezullim të menjëhershëm të principeve të ‘Sferës së Sigurisë’ (norma të përcaktuara mbi ruajtjen e të dhënave, për ndërmarrjet jo europiane që transferojnë të dhënat me karakter personal, të qytetarëve të BE-së, në SHBA). Këto principe nuk lejojnë sigurimin e një mbrojtje të mjaftueshme për qytetarët e Unionit. Eurodeputetët ftojnë SHBA-të, të propozojnë dispozita të reja mbi transfertat e informacioneve personale, që u përgjigjen kërkesave europiane të ruajtjes së të dhënave.
Sipas eurodeputetëve, Marrëveshja mbi Programin e Survejimit të Financimit të Terrorizmit duhet gjithashtu të pezullohet, për sa kohë, akuzat sipas të cilave autoritetet amerikane, kanë akses në bankat e të dhënave të qytetarëve evropianë përtej marrëveshjes, nuk janë qartësuar ende.
Hetimi i Komisionit të Lirive Civile në lidhje me survejimin masiv të qytetarëve të BE-së, ka filluar më shtator 2013 dhe ka përfunduar pas 16 seancave. Rezoluta që konsiston mbi sistemin amerikan të survejimit në masë, u miratua të mërkurën me 544 vota pro, 78 vota kundër dhe 60 abstenime. Eurodeputetët prezantuan rezultatet dhe rekomandimet e tyre me synim përforcimin e jetës private të qytetarëve evropianë. /im.ta/
