Pedagogët: Argumentet pse reforma nuk duhet të kalojë në Kuvend

redaktor

Studentë e pedagogë kanë protestuar për të disatën herë para Kryeministrisë, duke kundërshtuar përmbajtjen e projektligjit për arsimin e lartë, i cili çon në rritjen e tarifave studimore, cenimin e autonomisë universitare, teksa favorizon hapur strukturat private të arsimit të lartë. “Reforma nuk kalon”, -kjo ka qenë thirrja që ka shoqëruar gjatë gjithë kohës protestën e studentëve dhe pedagogëve, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë që pezullojë draftin e paraqitur.

“Jemi këtu, përherë dhe më këmbëngulës në kundërshtinë tonë, që t’i bëjmë të ditur kryeministrit dhe çdo pronari diplomoreje private, se ne nuk bëjmë asnjë kompromis me ata që duan të cenojnë universitetin si një hapësirë autonome dhe një e mirë e përbashkët. Nëse kryeministri, me anë të kësaj reforme, ka ndërmend të ndajë fondet publike me universitetet private, ne i themi “jo”. Kërkojmë rritjen e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë dhe nuk pranojmë që ky buxhet të ndahet me universitetet private, të cilat janë krijuar për interesa të ngushta private. Ne nuk bëjmë asnjë kompromis me ata që kërkojnë të rrisin tarifat studentore.

Ne kërkojmë uljen graduale të tyre”, kanë theksuar studentët gjatë protestës. Të rinjtë janë shprehur se projektligji cenon rëndë fondet publike, duke i transferuar ato tek privatët, e nga ana tjetër i penalizon studentët e publikut me tarifa tepër të larta. Studentët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, para Parlamentit të Shqipërisë.

Ndërkohë që stafi akademik I universiteteve ka nisur mbledhjen e firmave për peticionin që do të depozitohet pranë Kuvendit kundër miratimit të projektligjit. Në përfaqësimin e Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, pedagogët kanë bërë të ditura edhe qëndrimet se pse kjo reformë është e dëmshme për universitetet.

“Pavarësisht përpjekjeve tona dhe të grupeve aktive studentore, si edhe të këshillave të profesorëve të mjaft fakulteteve, për të paraqitur komente dhe sugjerime konstruktive për përmirësimin e ligjit, kemi rënë në veshin e shurdhër te Ministrisë te Arsimit dhe Sporteve kërkojmë që ky projektligj të mos marrë edhe miratimin e kuvendit.

Mendimi ynë është se arsimi i lartë ka nevojë për reformim të thellë dhe të plotë. Megjithë boshllëqet e konstatuara, ai ka arritur të transformojë sistemin e dijeve universitare brenda dy dekadave, duke krijuar një brendi dhe forma të hapura e demokratike dijesh dhe pedagogjie universitare. Por, ky projektligj nuk u përgjigjet pritshmërive tona dhe mbi të gjitha përgatitjes së një kuadri tërësor juridik që do të krijonte mundësitë për integrimin e dijes universitare në shoqëri dhe krijimin e një shoqërie të dijes, të emancipuar, ku kërkimi dhe shkenca, njerëzit e përgatitur me nivelet më të mira të njohurive shkencore do të mund të gjenin vendin e tyre në shoqëri”, ka bërë të ditur koordinatori i këtij forumi, Mark Marku. Sipas tij, projektligji anashkalon zgjidhjen e problemeve të tilla të mprehta sikurse janë papunësia midis të diplomuarve, prapambetja në sistemin e mekanizmit ekonomik të funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë, mungesa e kritereve të përpunuara të matjes së cilësisë të kërkimit shkencor, kushtet e punës dhe të mësimdhënies të profesoratit, kushtet e jetesës dhe të drejtat studentore për një akses të drejtë në vlerat e dijes universitare apo në të drejtat e tyre sociale. Bashkangjitur shkrimit gjenden të detajuara argumentet e pedagogëve se pse ky projektligj nuk duhet të kalojë në Kuvend.

 

 

Pedagogët, argumentet pse projektligji nuk duhet të kalojë në Kuvend

 

 

  1. Mbi të gjitha, projektligji në fjalë e përkeqëson kuadrin e tanishëm juridik në fuqi duke rrezikuar zbehjen dhe zhbërjen e shumë arritjeve mbi bazën e të cilave ngrihet një sistem universitar në shoqëritë e përparuara demokratike. Asnjëherë, nuk na është treguar se në cilin model është mbështetur ky projektligj, cilat përvoja konkrete të zhvilluara dhe demokratike mban parasysh. Eklektizmi i theksuar ka karakterizuar platformat e paraqitura të projektligjit, të pambështetura në asnjë studim të thelluar e konkret të realitetit shqiptar, çka na jep shqetësimin e improvizimeve subjektive dhe nën influencën e lobingjeve të interesit privat.

 

  1. Po vihet në rrezik parimi kushtetues i cili thekson se: “Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike garantohet me ligj”. Kjo duket në të gjithë frymën e projektligjit të paraqitur, dhe sidomos nëpërmjet kontrollit të parashikuar në të, ushtruar nga ana e agjencive të ndryshme nën autoritetin e Ministrisë së Arsimit. Autonomia e këtyre institucioneve mbaron në çastin kur anëtarë të bordit administrativ të institucioneve të arsimit të lartë, si persona të deleguar në këto funksione nga Ministria e Arsimit, parashikohet të kontrollojnë të gjitha aspektet thelbësore të jetës universitare. Projektligji nëpërmjet një radhe nenesh i jep ministrit kompetenca të mjaftueshme për të ushtruar një autoritet të skajshëm mbi universitetet, në kundërshtim me parimet e autonomisë së tyre, sikurse është për shembull shfuqizimi prej tij i akteve që ai i quan të paligjshme.

 

  1. Institucioneve të arsimit të lartë u hiqet e drejta e regjistrimit të studentëve duke ia kaluar QSHA, e duke privuar këto institucione nga të ardhura të rëndësishme, si edhe duke centralizuar në mënyrë të gabuar kriteret e pranimit në universitete.

 

  1. Projektligji nuk shprehet hapur dhe drejtpërdrejt për garantimin e një sërë lirish dhe vlerash demokratike të arsimit tonë universitar, si edhe krijon rreziqe për drejtimin koherent të institucioneve të arsimit të lartë, të sektorit të arsimit të lartë në përgjithësi, duke e thërrmuar këtë drejtim në duart e shumë agjencive të konceptuara në forma burokratike, si edhe duke e divergjuar drejtimin e institucioneve të arsimit të lartë në praktika që krijojnë potenciale të sigurta bllokimesh institucionale.

 

  1. Nëpërmjet këtij projektligji MAS i jep një goditje të fortë sistemit të vlerave profesorale, duke fshirë krejtësisht rolin drejtues në kërkimin shkencor dhe në mësimdhënie të trupës së profesoratit, eliminohen këshillat e profesorëve, këshillat e fakulteteve, si edhe juritë e ngritura prej tyre për vlerësimin e drejtimin e punës shkencore dhe kualifikimin shkencor të punonjësve.

 

  1. Vihet në rrezik financimi i pagave dhe i shpërblimit për personelin, duke mos shpallur të drejtën për të pasur grantin e pakushtëzuar dhe duke e vendosur universitetin publik përpara dilemës që ose të ngrejë çmimin e tarifave të studimit për studentët, ose të pranojë të vegjetojë në një varfëri mjetesh dhe mundësish materiale dhe financiare. Prandaj, ne vendosim në vëmendjen tuaj të domosdoshmërisë për një financim të plotë, të barabartë, të drejtë që u lejon studentëve të kenë akses në arsimin universitar, si një e drejtë themelore e qytetarit, dhe të lejojë institucionet e arsimit të lartë për ta kryer si duhet, e me cilësi misionin e tyre shumë të rëndësishëm përpara shoqërisë.

 

  1. Nga konstatimet tona rezulton se projektligji krijon një peizazh konkurrencial krejtësisht të pabarabartë midis institucioneve publike dhe atyre private, në favor të dukshëm të këtyre të fundit, duke rrezikuar të krijojë pabarazi të theksuara shoqërore në dëm të qytetarëve dhe të mbarë shoqërisë. Thërrmimi i buxhetit publik në një numër tipologjish universitetesh publike, shkon krejt në kundërshtim me prirjen e sotme te krijimit të poleve universitare të integruara. Ndërkaq, parashikimi për të financuar institucionet private të arsimit të lartë në kushtet e liberalizimit të tarifave që ato ushtrojnë, jo vetëm krijon një padrejtësi sociale , por edhe lejon shpërdorimin e parasë publike. Ndërkaq, konstatojmë se institucionet e pavarura publike nga ndërtimi dhe funksionimi i tyre janë në thelb kamuflime të qepura keq të interesit privat të ushqyer krejtësisht me paratë publike.

 

  1. Nisur nga këto konsiderata të cilat janë shprehur dhe analizuar në detaje dhe sipas neneve përkatëse, duke marrë parasysh gjithashtu besimin tonë se ligjvënësit shqiptarë me ndërgjegjen e detyrës përpara kulturës kombëtare dhe fateve të edukimit të brezave të rinj, do të sensibilizohen nga reagimi ynë kolektiv, kërkojmë dhe bëjmë apel qytetar dhe profesional, që ky projektligj të rikonceptohet, të ndjekë procedurat e konsultimit me aktorët e interesuar, nga e cila jemi mënjanuar tërësisht, duke mos lejuar interferime të rënda me konflikt interesi, duke marrë parasysh mendimet zyrtare të shprehura nga këshillat e profesorëve dhe senatet, nga organizatat shoqërore dhe personalitete të ndryshme akademike dhe universitare, si edhe nga lëvizjet aktive studentore.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *