12 punonjës policie përdoren për të survejuar Skënder Tufën dhe qindra policë, mjete financiare e bazë logjistike përdoret për të përgjuar kritikët e Kryeministrit apo për të mësuar ”cilët janë të majtët” nëpër lagje që nuk do votojnë PD-në e Berishës, ndërkohë që pedofilët dhe lloj-lloj, kriminelësh ordinerë bredhin të lirë, kur duhet të jenë nën kontroll dhe survejim për shkak të precedentëve
Në kulmin e traumës shoqërore që shkaktoi arrestimi i pedofilit Ardian Prenjasi, e më pas zbardhja e vrasjes së bërë prej tij dhe disa dhunimeve, janë ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me efiçencën dhe faktin: a është policia në detyrë? Gazeta “DITA” ka mësuar në lidhje me një episod të ndodhur me katër policë dhe një ish-të burgosur politik disa javë më parë, episod i cili duket se flet shumë në lidhje me mënyrën se si është ”orientuar” puna e policisë shqiptare. Disa javë më parë Skënder Tufa trokiti në një institucion dhe dëshironte të depozitonte një ankesë. Ankesa konsistonte në faktin se Tufa ndihej gjatë gjithë kohës i survejuar madje tha se në çdo kohë të ditës e natës e mbanin nën vëzhgim. Është bërë një hetim mbi këtë denoncim dhe ka rezultuar se vetëm për survejimin e Skënder Tufës ishin katër policë në dispozicion për çdo turn, ose e thënë ndryshe, 12 policë në dispozicion në 24 orë. Si Skënder Tufa survejohen dhe pesë ish-të përndjekur të tjerë politikë. E gjithë “rrezikshmëria” e këtyre ish-të burgosurve konsiston në faktin se mund të shkojnë në një ushqimore të blejnë vezë ose miell me të cilat më pas mund të godasin automjetin e ndonjë politikani të lartë. A është normale që 12 policë të angazhohen pa ndërprerje për të survejuar këta persona ndërsa dita ditës mësojmë në mënyrë shokuese se në Shqipëri nuk skedohen e kontrollohen nga policia as pedofilë të skeduar disa herë dhe shumë kontingjente të tjera kriminale?
Policia
Sot policia shqiptare mund të dijë me ekzaktësi se çfarë ”prirjesh politike” kanë banorët e x apo y zone në kryeqytet e më gjerë. Ata dinë me saktësi madje edhe aktivistët politikë të opozitës në zona dhe lagje të caktuara, madje ministri i Brendshëm Flamur Noka në disa raste e ka pohuar me forcë dhe krenari këtë të vërtetë, duke u mburrur madje se “i kishte të gjitha informacionet”.
Në këtë pikë bëhet mëse e qartë se përse policia nuk mundet dot të evidentojë dhe të ketë kartela të sakta dhe periodike të personave me rrezikshmëri shoqërore në lagjet e kryeqytetit dhe më gjerë. Policët kanë ndryshuar kursin e orientimit të tyre në punë, ata nuk janë më gardianë të evidentimit dhe parandalimit të akteve kriminale, por prej kohësh janë kthyer në gardianë të oreksit politik të qeverisë shqiptare dhe krerëve të Ministrisë së Brendshme. Rasti më i fundit me pedofilin dhe vrasësin Ardian Prenjasi ka nxjerrë në mënyrë të qartë në pah faktin se territori është jashtë kontrollit dhe punonjësit e policisë nuk kanë bërë aq sa duhej(për mos të thënë se s’kanë lëvizur vendit) në rastin e hetimit të zhdukjes së 10 vjeçar-it Julian Çela. U desh një kombinim i rrethanave dhe fatit që pedofili të kapej ndërsa po bëhej gati të dhunonte në mos të vriste dhe fëmijën e dytë i cili u shpëtua mrekullisht falë orientimit që dhanë vetë banorët e zonës. Në këto kushte nuk na mbetet tjetër veçse të urojmë që policia të ulë numrin e efektivëve që survejojnë gjithë ditën Skënder Tufën, nga 12 policë le ti bëjë 6, ndërsa 6 të tjerët le ti shpërndajë nëpër lagjet e kryeqytetit, kështu do të kemi më pak shanse për të parë pedofilët serialë duke bërë sehir nën hundën e policisë.
Familjarët e Julianit: Të pakënaqur nga kërkimet e policisë
Kërkimet në landfillin e Sharrës për gjetjen e trupit të Julian Çelës janë ndërprerë, pasi policia e sheh të pamundur gjetjen e eshtrave të vogëlushit të vrarë. Ata thonë se në këto kushte e me këto mjete nuk mund të japin rezultat dhe se duhen mjete me te specializuara, por pa dhënë detaje se kur do të ndërmerret ndonje veprim konkret. Kjo apati në kërkimë ka shkaktuar reagimin e familjarëve që kërkojnë më shumë angazhim. “Ne kemi besim te drejtësia dhe tek shteti. Por po shohim vonesa dhe këto kërkime janë të vakëta. Policia erdhi rreth orës 10.00, bëri një rrethim dhe kaq. Ndërkohë që prej ditës së djeshme kur këtu ishte monstra policia duhet të ishte shumë e vëmendshme, pasi ai thotë se këtu është edhe batanija që është provë materiale. Por kërkimet nuk janë kryer ashtu siç duhet”, thonë familjarët e Julian Çelës. Ndërsa hetimet vazhdojnë, policia ka përcaktuar vendin se ku do të kryejë kërkimet e saj, në bazë edhe të dëshmisë së vetë Ardian Prrenjasit i cili ka pranuar vrasjen e vogëlushit. Për familjarët, thëniet e tij janë kontradiktore, ndërkohë që edhe për veprimet proceduriale të prokurorisë dhe të policisë gjyqësore, ata kanë rezervat e tyre. Në hulumtimin individual të tyre, rezulton se shkarkimet e mbeturinave në datat 30 nëntor kanë qenë në një sektor tjetër dhe jo aty ku pretendon pedofili Prenjasi se e ka parë kufomën e 11-vjeçar-it. “Përgjegjësit këtu e kanë të dokumentuar se ku hidhen plehrat. Në datën 30 nëntor është bërë procesverbal dhe plehrat e muajit nëntor janë hedhur në një sektor të caktuar, jo në vendin ku thotë monstra se ka hedhur trupin. Prokurorët duhet ta shohin mirë këtë çështje”, thonë familjarët. Policia e ka marrë në ruajtje landfillin e Sharrës, ndërsa ka pezulluar deri në nje moment të papërcaktuar shkatërrimin e mbetjeve në një sektor të saj, ku dyshohet se mund të jetë hedhur trupi i minorenit. Gjatë së martës nuk janë kryer kërkime, ndërkohë që vetë policia nuk ka shumë bindje në gjetjen e eshtrave të minorenit.

Policia asht me na,ka than Sala,pasha zoten