Pero Pejic snobon deklaratën e trajnerin të Partizanit Shpëtim Duro, sipas të cilit kroati di t’u shënojë vetëm skuadrave të vogla. 32-vjeçari kujton se për të nuk janë të rëndësishme fjalët e trajnerit të Partizanit, por arritja e objektivave me Kukësin.
“Ky është opinioni i trajnerit Shpëtim Duro, por unë nuk mendoj shumë për atë që ai thotë, sepse e kam mendjen te skuadra. Në fund të fundit unë kam shënuar 15 gola, pavarësisht se nuk kam mundur t’i realizoj Partizanit. Të shohim tani se kush do ta fitojë ndeshjen e radhës, pastaj mund të flasim sërish. Ne jemi kryesuesit e kampionatit bashkë me Tiranën dhe kemi synim titullin kampion, kështu që në çdo ndeshje futemi në fushë për fitore”, tha Pejic.
Pejic u kujton të kuqve se janë tri pikë prapa në klasifikimin e përgjithshëm, kështu që presioni bie mbi ta. “Partizani ka më shumë presion për ta fituar takimin, sepse ata kanë 3 pikë më pak se në dhe kërkojnë të na arrijnë. Pastaj ne luajmë në fushën tonë”, theksoi kroati.
Partizani është e vetmja skuadër që i ka marrë pikë të plota Kukësit në dy fazat e para, por sipas kroatit kjo nuk do të thotë se të kuqtë janë më të mirët dhe meritojnë titullin.
“Në takimin e fazës së parë që Partizani e fitoi me rezultatin 1-0 ne dominuam në lojë, patëm shumë shanse për të shënuar, ndërsa ata vetëm një herë iu afruan portës sonë dhe fituam. Ky është futbolli. Ne duhet ta harrojmë çfarë ka ndodhur dhe të mendojmë vetëm për sfidën e radhës. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, sepse nëse fitojmë do të shkëputemi 6 pikë nga një rival direkt”, shtoi ai.
Në Kukës bashkë skuadrën do të jetë i grumbulluar edhe mbrojtësi Dritan Smajli, por stafi teknik nuk ka dhënë garanci për aktivizimin e tij me të kuqtë, pasi më parë do të kryhen edhe disa ekzaminime mjekësore, pas dëmtimit që pësoi në kokë në transfertën e humbur me Laçin.
